
Intelektuali i mërgimit që nuk reshti së ëndërruari një Shqipëri të lirë
Më 3 tetor 1949, në një dhomë modeste në Nju Jork, pushoi së rrahuri zemra e njërit prej bijve më të shquar të kombit, Mid’hat Frashërit. Biri i Abdylit të madh, trashëgimtari i një gjaku të shenjtë që ndezi pishtarin e Lidhjes së Prizrenit, ishte vetë një dritë e ndezur në rrugën e kombit shqiptar.
Mid’hat Frashëri ishte intelektual, diplomat dhe politikan, ai ishte engjëlli rojtar i kujtesës kombëtare, një nga ata që në çdo rrethanë, edhe në më të errëtat, nuk e harroi asnjëherë Shqipërinë. Librat e tij, veprat e tij, gazetaria dhe fjalimet e tij mbetën gjithmonë të ngarkuara me një mision: që shqiptarët të mos humbisnin rrugën e tyre drejt lirisë dhe qytetërimit.
Në ditën kur ndërroi jetë, ai nuk u gjend në atdheun e tij të dashur, por Shqipëria ishte brenda tij deri në frymën e fundit. I mërguar, i lodhur, por i palëkundur në ideal, Mid’hat Frashëri mbeti një shqiptar i plotë, që nuk e ndau kurrë fatin personal nga fati i kombit.
Sot, kur kujtojmë Mid’hat Abdyl Frashërin, kujtojmë një epokë të tërë përkushtimi. Kujtojmë fisnikërinë e një shpirti që nuk u përkul, guximin e një mendjeje që nuk u shua dhe besnikërinë e një zemre që nuk rrahu për veten, por vetëm për Shqipërinë.
Qoftë i paharruar emri i tij, qoftë e përjetshme vepra e tij, qoftë Shqipëria gjithnjë e denjë për bij si Mid’hat Abdyl Frashëri!
Nga Borea LISI