Monday

27-10-2025 Vol 19

Konrad Adenauer: Strategjia e përulësisë, nevoja për rimëkmbje

Në librin “LIDERSHIP” me autor Henri Kisinger, në një nga faqet e të cilit shtrohet pyetja: “A kanë rëndësi individët në shoqëri?” Ai më tej vazhdon. Një bashkohës i Çezarit apo i Muhamedit, Luterit apo Gandit, Çërçillit apo Franklin Delano Ruzveltit vështirë se do të bënte një pyetje të tillë. Udhëheqësit mendojnë dhe veprojnë në pikëprerjen e dy boshteve: i pari, midis së shkuarës dhe së ardhmes, i dyti, midis vlerave dhe aspiratave të popujve që ata udhëheqin. Udhëheqësit e mirë nxisin te populli i tyre dëshirën për të ecur krah tyre. Ata gjithashtu duhet të frymëzojnë grupin e njerëzve me të cilët punojnë, që këta të fundit të përkthejnë mendimin e udhëheqësit dhe ta reflektojnë atë në çështjet praktike të ditës. Një udhëheqës i tillë i formuar në rrethanat e jashtëzakonshme të kohës historike në të cilën ka jetuar ishte edhe Konrad Adenauer. Ai si dhe të tjerë udhëheqës në rrugën e tij, kish kaluar përmes furrës përvëluese të “Luftës së Dytë Tridhjetëvjeçare”, pra të konflikteve shkatërruese që nisin nga fillimet e Luftës së Parë Botërore, në gusht 1914, deri në përfundim të “Luftës së Dytrë Botërore, shtator 1945, kështu e ka përshkruar autori i librit “LIDERSHIP” diplomati dhe profesori i diplomacisë botërore Henri Kinger, Humbja e plotë ushtarake e Gjermanisë, së bashku me humbjen e plotë të legjitimitetit moral ndërkombëtar të vendit, çuan në mënyrë të pashmangshme në shpërbërjen e përshkallëzuar të strukturës civile gjermane. Henri Kisinger përshkruan ndër të tjera situatën kritike kur kishte ikur për 6 vite nga përndjekja racore, në kohën kur Hitleri sapo kishte aneksuar Austrinë dhe po merrej me copëtimin e Çekosllavakisë dhe ndërsa ishte kthyer si ushtar amerikan si pjesë e Divizionit të 84-të të Këmbësorisë. “Ndryshimi ishte shumë i madh në krahasim me Gjermaninë e rinisë sime. Në atë kohë sundonte mbështetja popullore për tiranizimin, ndërsa tani, në shumë dritare vareshin çarçafët e bardhë, ku populli shprehte dorëzimin”. Gjermanët që disa vite më parë mburreshin me idenë e sundimit të Europës, nga Kanali Anglez e deri në lumin Vollga, tashmë ishin të përulur dhe të përhumbur. Ishte një kohë e dëshpëruar në historinë gjermane. Kishte mungesa të rënda ushqimore. Shumë njerëz vuanin nga uria dhe vdekshmëria foshnjore. Tregtia e mallrave dhe shërbimeve ishte rrënuar, shërbimi i postës ishte dëmtuar. Transporti hekurudhor ishte i çalë dhe transporti rrugor ishte bër shumë i vështirë. Detyra e forcave pushtuese në vitin 1945, ishte të vendosnin njëfarë rendi civil në Gjermani, derisa personeli i trajnuar i qeverisë ushtarake, të mund të zëvendësonte trupat luftarake. Kjo ndodhi rreth kohës së Konferencës së Postdamit në korrik dhe gusht (Çërçill, Atli, Stalin, Truman). Në atë samit, aleatët e ndanë Gjermaninë në katër zona të pushtuara: Shtetet e Bashkuara morën një pjesë jugore ku ndodhet Bavaria; Britania mori zonën industriale të Rainit të Veriut dhe Luginën e Ruhrit; Franca mori Rainin e Jugut dhe territorin përgjatë kufirit me Alzasën; ndërsa sovjetikët morën zonën që shtrihej nga lumi Elba në vijën Oder-Najse, e cila formoi kufirin e ri polak, duke e zvogëluar kështu territorin gjerman të paraluftës me gati një të katërtën. Të tria zonat perëndimore u vunë secila nën juridiksionin e një zyrtari të lartë të fuqive pushtuese, me titullin e komisionerit të lartë. Detyra për t’i kthyer dinjitetin dhe legjitimitetin kësaj shoqërie të dërmuar ra mbi Konrad Adenauerin, i cili kishte shërbyer si kryetar bashkie (Oberburgeermeister) i Këlnit për 16 vjet, përpara se të shkarkohej nga Hitleri. Adenaueri lindi në vitin 1876, vetëm 5 vite pas bashkimit gjerman nën drejtimin e Bismarkut. Ai mbeti gjithmonë i lidhur me qyetin e tij të lindjes Këln, me katedralen e tij, të lartë gotike me pamje nga lumi Rinit dhe historinë e qytetit, si një vend i rëndësishëm në grupin hanseatik të qytet-shteteve. Si i rritur, Adenaueri kishte përjetuar tre format e shteti të bashkuar gjerman pas Bismarkut; trazirat e tij nën Kajzerin, përçapjet e brendshme gjatë Republikës së Vajmarit dhe aventurizmin nën Hitlerin, që kulmoi në vetëshkatërrim dhe shpërbërje. Adenauerit i njihet veprimi i parë politik kombëtar kur organizoi tri protesta publike opozitare në janar të vitit 1933, kur Hitleri shpalli të ashtuquajturin Akt Mundësues, që pezullonte sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve civile. Pas fitores elektorale së Hitlerit atë e shkarkuan nga detyra. Pas shkarkimit nga puna Adenaueri kërkoi strehë tek një mik i vjetër shkolle, i cili ishte bërë abat i një manastiri benediktian. Edhe në manastir e përndoqën zyrtarët nazistë dhe pas komplotit të pasuksesshëm për të vrarë Hitlerin në korrik të 1944, të organizuar nga përfaqësues të klasës së lartë prusiane, Adenauerin megjithëse i fshehur dhe me një jetë të padukshme e arrestojnë dhe e fusin në burg në vjeshtën e vitit 1944. Në maj të viti 1945, forcat amerikane që u vendosën fillimisht në Këln, e emëruan sërish Adenauerin kryetar bashkie. Në dhjetor të vitit 1945, Adenaueri mori pjesë në një takim për të formuar një parti të re, të mbështetur në mësimet e krishtërimit katolik dhe atij protestant. Aty ishin të pranishëm ish anëtarë të Partisë së Qendrës Katolike, me të cilët Adenaueri ishte lidhur si kryebashkiak i Këlnit, si dhe anëtarë të Partisë Popullore Kombëtare Gjermane, që ishte konservatore dhe Partisë Demokratike Gjermane, e cila ishte liberale. Shumë prej tyre kishin kundërshtuar Hitlerin dhe disa prej tyre ishin burgosur për qëndresën e bërë. Muajin pasardhës, Adenaueri ndihmoi për t’i dhënë formë filozofike politke të CDU-së, si partia e demokracisë, konservatorizmit social dhe integrimit europian, duke hedhur poshtë të kaluarën e afërt të Gjermanisë dhe totalitarizmin e çdo forme. Fjalimi i parë publik i Adenauerit pas përfundimit të luftës më 26 mars 1946 jepte një pamje paraprake të udhëheqjes së tij poltike të mëvonshme. Në përpjekjen për t’i gjetur një vend shtetit të tij në rendin e ri të pasluftës. Duke qortuar sjelljen e Gjermanisë nën sundimin e Hitlerit, Adenaueri pyeti publikun prej mijra njerëzish në sallën kryesore të Universitetit të Këlnit, të dëmtuar rëndë, se si ishte e mundur që nazistët kishin ardhur në pushtet. Ai tha se ata kishin kryer “krime të mëdha” dhe se gjermanët mund të gjenin rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë, vetëm duke pranuar të kaluarën e tyre. Një përpjekje e tillë ishte e nevojshme për rilindjen e vendit. Nga ky këndvështrim, qëndrimi i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore duhej të ishte krejt i kundërt me atë ndaj Luftës së Parë Botërore. Në vend që të zhytej sërish në nacionalizmin e keqardhjes për veten, Gjermania duhej të kërkonte të ardhmen e saj brenda një Europe që ishte në bashkim e sipër. Në këtë mënyrë, Adenaueri po shpallte një strategji të përulësisë, shkruan Henri Kisinger. Adenaueri u përball së jashtmi me mërinë e botës, dhe brenda në vend, me ç’orientimin e një populli të goditur nga rrjedha e gjatë e revolucionit, luftës botërore, gjenocidit, disfatës, përçarjes, përmbysjes ekonomike dhe humbjes së integritetit moral. Adenaueri zgjodhi një drejtim që ishte i përulur dhe i guximshëm: vendosi të rrëfente haptazi gabimet gjermane; të pranonte dënimet e humbjes dhe pafuqisë, duke përfshirë ndarjen e vendit; të lejonte çmontimin e bazës së tij inustriale si dëmshpërblim për luftën; dhe të kërkonte mes këtij nënshtrimi, për të ndërtuar një strukturë të re europiane, brenda së cilës Gjermania të mund të bëhej një ortak i besuar. Ai kishte shpresën se Gjermania do të bëhej një vend normal, megjithëse gjithmonë, me kujtime jonormale. Në janar 1947, SHBA-ja dhe Britania vendosën një politikë të përbashkët ekonomike për zonat e tyre. Një vit më vonë u bashkua edhe Franca, duke formuar atë që u quajt “Trizone”. Ekonomisti Ludvik Erhard u emërua drejtor i Këshillit Ekonomik dhe mbikqyri tranzicionin e qetë në monedhën e re, Markën gjermane. Më 23 maj do të shpallej kushtetuta gjermane dhe u krijua zyrtarisht Republika Federale e cila u përfshi në tri zonat perëndimore. Disa muaj më vonë, do të shpallej zyrtarisht Republika Demokratike Gjermane, e cila shtrihej në zonën e pushtimit rus. Më 15 shtator u mblodh Bundestagu gjerman dhe fitoi me një diferenc prej vetëm një vote Adenaueri, i cili arriti të fitonte katër zgjedhje radhazi, duke shërbyer si kancelar për 14 vjetë. Në fjalimin e tij të parë si kancelar ai pohoi se nuk do të sfidonte ndarjen e Gjermanisë dhe cënimin e sovranitetit të saj nga statutet e ndryshme të vendosura nga aleatët, si një çmim për dorëzimin e pakushtëzuar. Shtatlarti Adenauer, fliste shkurt dhe qartë dhe përcaktoi vizionin europian të Gjermanisë si një vend që do të ndihmonte për të formuar një Europë të re, nëpërmjet pajtimit, jo detyrimit. Për Adenauerin, forcimi i lidhjeve me Perëndimin dhe veçanërisht me Amerikën, ishte çelësi i rivendosjes së pozicionit të Gjermanisë në botë. Në vitin 1947 gjenerali Xhorxh.C.Marshall, pasardhësi i Açesionit si sekretar Shteti( ky i fundit kur ishte takuar me Adenauerin i kishte bërë përshtypje imagjinata dhe mençuria e qasjes së tij. Shqetësimi i tij i madh ishte që ta integronte Gjermaninë në Europë) dhe më parë shef i shtabit të ushtrisë, ishte shprehur mbi këtë çështje, në një fjalim në Universitetin e Harvardit: “Politika jonë nuk është drejtuar kundër një vendi apo doktrine, por kundër urisë, varfërisë, dëshpërimit dhe kaosit. Qëllimi i saj duhet të jetë rilindja e një ekonomie fuksionale në botë, në mënyrë që të lejojë krijimin e kushteve të nevojshme politike dhe sociale, në të cilat mund të ekzistojnë institucionet e lira”. Fjalimi Marshallit e bindën Adenauerin që të pajtohej me Marrëveshjen e Ruhrit të vitit 1949. Ky ishte një nga mjetet e tjera me të cilat aleatët ruajtën kontrollin mbi industrinë gjermane. Një tjetër synim themelor kishte Adenaueri pajtimin me Francën. Ai kishte takuar dy herë ministrin e Jashtëm të Francës Robert Shuman. Në atë kohë politika franceze synonte të gjymtonte prodhimin industrial gjerman dhe të merrte rajonin Saar nën kontrollin francez. Adenaueri me politkën e përulësisë, e cila sipas tij ishte rruga e vetme e barazisë doli efikas dhe aleatët nënshkruan një marrëveshje të re duke ulur numrin e fabrikave që ishin piketuar për t’u çmontuar dhe duke pranuar një rrugë për pranimin e Gjermanisë në Këshillin e Europës. Në mars të vitit 1950, Këshilli i Europës ftoi Republikën Federale të Gjermanisë, që t’i bashkohej, megjithëse vetëm si një anëtar i asociuar. Tre muaj më vonë, Robert Shumani, me dëshirën për të lidhur Gjermaninë me Francën, paraqiti një plan për të hedhur poshtë Autoritetin e Ruhrit dhe për ta zëvendësuar atë. Plani Shuman çoi në krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), që përciptazi ishte një treg i përbashkët për këto mallra, qëllimi thelbësor i të cilit ishte politik. Shumani deklaroi se “lufta midis Francës dhe Gjermanisë me këtë marrëveshje, do të bëhej jo thjesht e papërfytyrueshme, por edhe materialisht e pamundur”. Adenaueri u përgjigj se e miratonte planin e Shumanit me një arsyetim të ngjashëm, duke thënë se ai kishte “hedhur themelin e vërtetë për eleminimin e të gjitha konflikteve të ardhshme midis Francës dhe Gjermanisë”. Bashkimi Sovjetik e shihte si një sfidë të drejtpërdrejtë rindërtimin e ekonomisë së Gjermanisë Perëndimore dhe ngritjen e shkallëzuar të institucioneve politike gjermane. Më 1948 Bashkimi Sovjetik bllokoi rrugët e hyrjes për në Berlin, nga zona e pushtimit sovjetik. Kjo ishte një sfidë për marrëveshjen e arritur mes katër fuqive për qeverisjen e Berlinit, e cila ishte vendosur në Samitin e Postdamit, në vitin 1945, thekson ndër të tjera Henri Kisinger. Më 7 tetor 1949, Bashkimi Sovjetik e ktheu zonën e tij të pushtimit në një shtet Sovran (megjithëse satelit), duke vulosur kështu ndarjen e Gjermanisë. Teksa gjendja shkallëzohej, Shtetet e Bashkuar dhe aleatët krijuan atë që u shndërrua në një shtyllë të poltikës amerikane: Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Kështu, Republika Federale e Gjermanisë u vu nën mbrojtjen e territorit të saj, megjithëse mbeti ende e paarmatosur dhe teknikisht nuk ishte anëtare e organizatës. Në kujtimet e Adenauerit tregohet se si reflektoi ai, nga Lufta Koreane e vitit 1950, kur Koreja e Veriut pushtoi Korenë e Jugut. Emërtimi i komandantit të lartë të NATO-s Duajt. D. Ajzehauer nga Presidenti Truman, ishte përgjigja e lutjeve europiane. Nga kjo situatë Adenaueri e shihte riarmatimin gjerman të domsodoshëm për hir të Europës, si dhe rimëkëmbjen e identitetit politik të Gjermanisë. Më 1950 u propozua riarmatimi gjerman nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u miratua shpejt edhe nga Gjermania, Franca ishte skeptike dhe paraqiti “Planin Pleven”, i cili në tetor të 1950 propozoi krijimin e një ushtrie europiane me kombësi të përziera, duke përfshirë edhe njësi gjermane. Gjatë një udhëtimi në Paris, Adenaueri mësoi se Amerika i kishte dhënë një goditje të madhe aleatit të saj britanik, për mos uljen e vlerës së paundit. Ai u trondit, por jo deri në atë pikë sa të vihej në pikëpyetje rëndësia e NATO-s. Ai argumentoi se aleanca e NATO-s ishte përbërësi më i rëndësishëm i sigurisë së çdo vendi europian. I këshilloi zyrtarët francezë që të mos krijonin polemika publike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi të gjitha, të mos kundërpërgjigjeshin me asnjë lloj hakmarrjeje, qoftë edhe verbale.

Timoleo Guri

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *