
Ndërsa bota nderon kontributin e gjeneratave të vjetra, të moshuarit shqiptarë përballen me pensione të turpshme , mungesë kujdesi shëndetësor dhe indiferencë të thellë nga institucionet
Në mbarë botën, 1 Tetori shënohet si Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, një ditë e shenjtë për kujtesën shoqërore, që na rikujton respektin, mirënjohjen dhe detyrimin moral ndaj brezave që me mund, djersë dhe sakrifica ndërtuan të tashmen ku jetojmë sot. OKB e ka shpallur këtë ditë si një moment reflektimi mbi sfidat dhe nevojat e të moshuarve, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në jetën e çdo kombi.
Por në Shqipëri, kjo ditë shpesh kalon në heshtje. Heshtje që rëndon si braktisje. Të moshuarit tanë mbijetojnë me pensione qesharake, që nuk u mbulojnë dot as minimumin jetik, e jo më ilaçet e domosdoshme. Sistemi ynë shëndetësor u ofron vetëm kujdes formal, shpesh të cunguar, shpesh të vonuar. Vizitat mjekësore kthehen në barrë financiare të papërballueshme, ndërsa farmacitë nuk mund të zëvendësojnë dot mungesën e një shteti të përgjegjshëm.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka hedhur dritë mbi një realitet të hidhur: shtëpitë e të moshuarve në vend janë kthyer në simbole të braktisjes institucionale. Auditimi zbuloi se:
- Infrastruktura është e amortizuar, shpesh e papërshtatshme për jetesë dinjitoze.
- Mungon stafi i kualifikuar, me punonjës socialë dhe mjekësorë të pakët, të lodhur dhe pa trajnime të vazhdueshme.
- Ushqimi dhe ilaçet janë të pamjaftueshme, duke e kthyer të moshuarin në viktimë të dyfishtë: të varfërisë dhe të harresës.
- Investimet mungojnë, fondet janë të pakta ose të shpërndara pa efikasitet.
Ky raport është një kambanë alarmi që flet për një shoqëri që nuk kujdeset për rrënjët e saj. Një shoqëri që, në vend që t’i përqafojë të moshuarit, i lë ata mes harresës dhe izolimit. Shumë të moshuar mbeten pa vend në institucionet publike dhe braktisen në shtëpitë e tyre, shpesh në fshatra të thella, duke mbijetuar vetëm falë mëshirës së fqinjëve ose kursimeve të fëmijëve që jetojnë jashtë.
Ndërkohë që vende të tjera ndërtojnë politika për ta mbajtur këtë brez aktiv dhe të integruar, Shqipëria mbyll sytë. Përkujdesja për ta lihet në dorën e familjeve, të bamirësisë apo të rastësisë.
1 Tetori duhet të jetë një thirrje e fuqishme për politikën shqiptare, për institucionet dhe për të gjithë ne: shëndeti, dinjiteti dhe mirëqenia e të moshuarve nuk janë luks, janë detyrim kombëtar. Sepse pa ta, pa rrëfimet e tyre, pa sakrificat dhe kujtesën e tyre, një shoqëri humbet shpirtin, rrënjët dhe të ardhmen.
Nga Borea LISI