
Gatime tradicionale, kulturë dhe argëtim për të gjitha moshat në Food-Festival Opfikon ku “Vatra” sjell aromën e Shqipërisë
Në Zyrih, ku shumë kultura takohen përmes shijeve, ansambli shqiptar “Vatra” po prezanton sot gatimet tradicionale shqiptare në kuadër të Food-Festival Opfikon, i cili feston 10-vjetorin e tij.
Eventi po zhvillohet në Graffland Zyrih / Spielraum ara Glatt, Glattbrugg, nga ora 11:30 deri në 20:30, duke ofruar një udhëtim gastronomik ndërkombëtar për vizitorët. Për vetëm 6 franga për porcion, mysafirët mund të shijojnë recetat autentike shqiptare, të sjella me pasion nga “Vatra”.
Përveç kuzhinës, festivali ka menduar edhe për argëtimin e fëmijëve, me hapësira lojërash dhe aktivitete të veçanta, si pikturimi falas i fytyrës nga Jubla-Glattbrugg. Kështu, dita shndërrohet në një përvojë të plotë për të gjitha moshat.
Ky festival është jo vetëm një festë shijesh, por edhe një mundësi për shqiptarët në diasporë që të promovojnë kulturën e tyre përballë një publiku ndërkombëtar, duke treguar se tradita kulinare është një pjesë e gjallë e identitetit kombëtar.