Monday

27-10-2025 Vol 19

Serbia dhe “kënaqësia” e saj për Shqipërinë pa shumicë myslimane

Një portal serb ka shpërndarë me krenari një lajm të bujshëm: “Shqipëria nuk është më një vend me shumicë myslimane, për herë të parë, që prej shekullit XVII, sipas regjistrimit të popullsisë 2023.”

Ky lloj raportimi nuk është i pafajshëm. Ai nuk pasqyron thjesht një rezultat statistikor, por shërben si mjet propagandistik për të krijuar idenë se Serbia, përmes kishës ortodokse dhe mekanizmave të saj, ka arritur të shtrijë ndikim real në Shqipëri. Narrativa e publikuar lë të kuptohet sikur ka pasur një plan të heshtur, të mbështetur në bashkëpunim të tërthortë me qeverinë shqiptare, për të ndryshuar balancat sociale dhe kulturore të vendit.

Emigracioni masiv i shqiptarëve, sidomos drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përdoret si argument shtesë në këtë diskurs. Portali serb e sheh këtë si provë se Shqipëria po transformohet sipas interesave të tjera gjeopolitike, duke u paraqitur sikur është krijuar një terren i favorshëm për ndikimin ortodoks dhe rrjedhimisht, për zgjerimin e tentakulave serbe.

Pikërisht këtu lind dyshimi për një komplot më të gjerë: Serbia e përdor fenë vetëm si mbulesë, ndërsa thelbi është politika e saj për të treguar se edhe brenda Shqipërisë mund të diktojë zhvillimet. Në këtë mënyrë, çdo ndryshim shoqëror interpretohet si fitore e saj dhe si provë e një aleance të padukshme që e përforcon pozitën e saj rajonale.

Sipas leximit tim, nuk kemi të bëjmë me një analizë objektive, por me një manovër të menduar mirë për të krijuar perceptimin se Serbia ka arritur të orientojë zhvillimet në Shqipëri. Ky është thelbi i propagandës: të kthejë çdo fakt në instrument për të ushqyer arrogancën e saj politike dhe për të pretenduar se ka në dorë fatet e fqinjëve.

Nga Borea Lisi

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *