Votimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës u shfaq si një dilemë e vjetër: “Më mirë servil apo mosmirënjohës?” Ky postulat, i dalë nga goja e përvojës së atyre që merren me të ashtuquajturën politikë, mban gjallë disa tipa atipikë në tallavanë mediatike të kasabasë sonë.
“Lum ai, është i zoti!” thotë tjetri që ka punuar gjithë jetën për bukën e gojës. Por ka edhe një kategori tjetër, që ka shijuar jetën me breza. Këta jo vetëm që e kanë ushtruar servilizmin si sport popullor, por duket se janë infektuar nga ndonjë epidemi e kohës. Sëmundja ngjitëse e spiunllëkut, e trashëguar nga koha e mbretërisë, fashizmit, komunizmit dhe padyshim demokracisë, vazhdon të përhapet.
“Mos të lëntë Zoti pa halle!” thotë populli… Dhe me fillimin e shtatorit politik, halli më i madh i sezonit është: si do të sillet kaposhi politik dhe opinionbërësit? Në një media flitet për besprerë e tradhtarë, në një tjetër fjala shoqërohet me imazhe, ku nënkuptohet se dikush do të godasë tjetrin nën brez. Dhe i ziu që përgojohet, thuajse i nxihet faqja, edhe pse të pasmet ia ka nxirë dielli hokatar i verës së nxehtë.
Pastërmaja e verës po gatuhet. Do të kemi dasma politike e mediatike, thika të mprehta për të mirëpritur ushqim me finesë. A shkohet pa pirunj në dasmë? Jo, ato duhen ngulur në pastërmanë e datës 18, kur do të zgjedhim mes trimave dhe trimëreshave të SPAK-ut.
Kumti i debatit politik të kësaj legjislature, ndryshe nga ajo e vitit të kaluar, do të sillet rreth togfjalëshit: “Servil i devotshëm dhe mosmirënjohës i ndershëm.” Një tentativë për t’u larguar nga terminologjia parazgjedhore si “lëpirës”, “tradhtar”, “bukëshkalë”, “kolltukofag”, “miku i armikut tim është miku im”, “konservator transvestit”, “dardhaxhinj të urritur”, “kriminel kriptomonedhash pa portofol” e të tjera si këto.
Në një takim mes një nëpunësi dhe kreut të një dikasteri (që nuk është më), nëpunësi i mençur dhe pragmatist, kur iu dha mundësia të fjalosej kokë më kokë me eprorin, tha: “Më mirë servil se sa mosmirënjohës.”… Dhe me këtë shprehje, ai u shndërrua nga drejtor i vogël, në të madh e, më pas, ministër… I bëri gropën ish-shefit të tij.
Në këtë orë, “tungjatjeta” nuk i themi më servilizëm apo mosmirënjohje, por “sëmundja e butë të ha kokën si tënja.” Kjo tënja e ka hëngër gjithë jetën e politikës shqiptare. Dhe gjeniu popullor e ka ngritur në art: “O Balo, të hëngërt tënja, e ke të keqen brenda.”
Mirë…, këshilltarëve të Hekalit u këndohet kënga edhe sot, po këtyre të Bashkisë së Tiranës, çfarë kënge do t’u këndohet?
Hasan SOKOLI