
Një ndër frymëzuesit e kryengritjes kundër Burbonëve ishte edhe Rafaelo Kamodeka, i cili u ekzekutua prej tyre në moshën 24-vjeçare. Ky revolucionar shqiptar kishte kryer mësimet në kolegjin e Shën Dhimitrit, kishte prirje për letërsi dhe ishte i dhënë sidomos pas asaj greko-romake. Kamodeka përqafoi çështjen e lirisë bashkë me Axhezilao Milanon në organizatën “Italia e Re”. Ai vdiq duke thirrur: “Ky është çasti më i lumtur i jetës sime! Rroftë Italia!”.
Me këto motive, poeti italian i shekullit XIX, Xhozue Karduçi, i kushtoi vargje idesë së lirisë dhe atyre që binin ose jetonin për të. Vrasja heroike e Kamodekës frymëzoi studentët e kolegjit që të armatoseshin e të përgatiteshin për kryengritjen e re. Antonio Markiano dhe kolegët e tij mësues u lidhën me vëllezërit Mauro të Shën Dhimitrit. Domeniko Mauro kishte qenë një revolucionar i paepur i Kalabrisë, pjesëmarrës në lëvizjen “Italia e Re” dhe njeri tepër i kulturuar. Një autor italian, duke kujtuar kohën kur ai ndodhej në Siçili me “Njëmijtët” e Garibaldit, shkruan: “Domeniko Mauroja, njeri shumë i ditur, rreth pesëdhjetë vjeç, u fliste të rinjve për Danten, duke thënë se, nëse fati do t’i ndihmonte, edhe Kalabria do të ngrihej”. Mauro mori pjesë aktive në revolucionin e vitit 1848 në Napoli dhe u zgjodh anëtar i Asamblesë Legjislative. Dora d’Istria e përmend si udhëheqësin kryesor të kryengritjes së Kalabrisë. Pas dështimit, ai u arratis në Shqipëri (Shkodër), pastaj në ishujt e Jonit dhe më në fund në Romë, ku luftoi për republikën bashkë me Garibaldin, Macinin dhe revolucionarë të tjerë. Pas disfatës u vendos në Piemont deri më 1860, kur u bashkua sërish me garibaldinët në Siçili.
Sipas De Radës dhe De Sanktisit, Mauroja dhe të tjerë shkuan edhe në Shqipëri për të gjetur vullnetarë që do të zbarkonin në Kalabri kundër Burbonëve, por arritën të rekrutonin vetëm Pashko Vasën. Mauro luftoi trimërisht në të gjitha betejat e Garibaldit në Siçili – Kalatafimi, Milaco e të tjera – dhe ishte një ndër figurat kryesore të Kalabrisë, një nga “Njëmijtët”. Pas bashkimit të Italisë u zgjodh disa herë deputet. Romeo Pavone shkruan për të: “Ai mbetet një nga njerëzit më të zjarrtë për të kaluarën e lavdishme, sepse qe ndër iniciatorët e lëvizjes italiane, si nga mendimi, ashtu edhe nga veprimi”. Ndërsa De Sanktis vëren: “Ishte më i vobekti ndër emigrantët, por dinjiteti i tij ishte aq i lartë, saqë as familjarët nuk mund ta detyronin të pranonte ndihmë. Ishte i dhënë pas punës dhe kundërshtar i mediokritetit e bujës”.
De Rada e njihte mirë Mauron dhe e kishte vizituar edhe në burg, ku kishin komunikuar shqip. Ai madje e kishte paralajmëruar për një spiun austriak, Bokaçampe, i cili vepronte kundër vëllezërve Bandiera. Mauro, megjithëse e pa Italinë e bashkuar, mbeti i pakënaqur sepse pas bashkimit nuk u vendos republika, por monarkia.
Edhe vëllezërit Petrasi dhanë shumë për kryengritjen. Vincencoja u vra, dy të tjerët u burgosën e më pas u bashkuan me “Njëmijtët” në Siçili. Për ta shkruajnë De Rada dhe Çezare Lombrozo, i cili në librin Në Kalabri vlerëson karakterin liridashës e antitiranik të shqiptarëve të Italisë: “Të durueshëm dhe këmbëngulës, por plot fantazi e imagjinatë, ata nuk durojnë asnjë sundim dhe asnjë politikë tiranike”.
Kryengritjet shpërthyen kudo: në Toskanë, Firence, Livorno, Milano, Gjenovë, Mbretërinë e Dy Sicilive. Në jug, varfëria ishte ekstreme: thuhej se më kushtonte të mbaje një gomar sesa një njeri. Në Milano, demonstruesit kërkonin armë kundër austriakëve; në Palermo, në Napoli e në Romë shpërthyen lëvizje për republikë. Garibaldi, ndonëse nuk kishte mbështetje nga sovranët italianë apo Papa, u bë simbol i luftës: “Jam zog pylli, nuk jam zog kafazi” – thoshte ai.
Në këtë lëvizje shqiptarët dhanë një kontribut të çmuar. Në parlamentin e Mbretërisë kushtetuese të Napolit u zgjodhën deputetë shqiptarë si Gulielmo Toçi, Domeniko Mauro, Muço Paçeja e Xhuzepe Mashi, autor i Teoria e qeverimit të popujve. Pas masakrës së 15 majit 1848 në Napoli, shqiptarët e Kozencës formuan Gardën Kombëtare, me komandant Muço Paçen, dhe themeluan “Komitetin e Shpëtimit Publik”.
Në këto kryengritje shquhen edhe figura të tjera shqiptare si Xhenaro Plako, Xhovani Moshari, Batista Falkone e shumë të tjerë, që morën pjesë në ekspeditat e Bandierave, Pizakanesë dhe më pas në atë të “Njëmijtëve” të Garibaldit. Midis tyre u dalluan Françesko Krispi, Domeniko Damisi, vëllezërit Mauro, Aleksandër Toja dhe të tjerë. Krispi, që më vonë u bë president i parlamentit italian, fillimisht ishte republikan, por më pas iu bashkua monarkisë me moton: “Republika na ndan, monarkia na bashkon”.
Edhe poeti shqiptar i Italisë, Vincenco Stratigoi, mbajti fjalime e shkroi oda patriotike si “Jam shqiptar”, ku krenaria kombëtare dhe mallëngjimi për atdheun shprehen me forcë e dhimbje. Për të, të jesh shqiptar do të thotë të dashurosh gjithçka të bukur dhe të luftosh për lirinë.
Timoleo GURI