
Arbëreshi Pasquale Baffi
Gruaja italiane Katerina Pigorni, pas një vizite në fshatin shqiptar të Lungros, shprehet:
“Janë njerëz të përzemërt, me një mikpritje si në lashtësi, pa nënkuptime dhe pa rezerva, krenarë për origjinën e tyre.”
Mikele Markianoja, autori i librit Këngë popullore shqiptare, tregon për udhëtimin e tij në disa fshatra shqiptare të Kapitanatës. Gjatë këtij udhëtimi, një shqiptar nga Portokanoneja, Luigj Kampofreda, i kishte thënë me ngulm se duhej t’u mësonte patjetër bijve të vet gjuhën shqipe, sepse përndryshe do të paditej prej shqiptarëve për tradhti të lartë.
Sot, nëse një shqiptar i Italisë pyetet “Ç’je?”, ai nuk do të përgjigjet se është italian, por vetëm shqiptar — megjithëse që në fëmijëri, që nga klasat e para të shkollës fillore, e kanë mësuar të jetë italian.
Në Piana të Siçilisë, kujtimi i të parëve ishte aq i fuqishëm, sa për shqiptarët me veti të veçanta thuhej: “Içt nkaa ata të farës”, që do të thotë nga ata shqiptarë që ruajnë karakteristikat më të mira të të parëve — shqiptarë të vërtetë, pasardhës të denjë të prindërve të tyre.
Për lëvizjen çlirimtare italiane dhe vetë shqiptarët e Italisë, kolegji i San Demetrios shkëlqente në natën e tiranisë si një fener i ndritshëm i lirisë. Ai edukonte trima të rinj me entuziazmin e një ideje, të cilën ata e gjenin në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj grekë, shkruan Oresto Ditoja në librin Revolucioni Kalabrez.
Si institucion lartësisht popullor, kolegji ishte qendra kryengritëse e Kalabrisë. Aty u konceptuan dhe u organizuan lëvizjet e viteve 1844 dhe 1848. Aty u gatua ndjenja e revolucionit të të gjithë shqiptarëve. Studentët më të shumtë ishin shqiptarë, ndërsa vendasit ishin në pakicë. Disiplina ishte rigoroze dhe organizimi i shkollës ishte i përparuar për kohën. Shqiptarët, të etur për dituri, e konsideronin atë si burimin për të shuar etjen për arsim dhe kulturë — ose, siç thotë Dora d’Istra, “si pemë të jetës së tyre”.
Për këto arsye, regjimi tiranik i Burbonëve e quante kolegjin “çerdhe gjarpërinjsh” ose “çerdhe djajsh”, ndërsa për lëvizjen çlirimtare italiane dhe për vetë shqiptarët, ai ishte “çerdhe patriotësh”.
De Rada e ka përshkruar themelimin e kolegjit shqiptar në Kalabri me fjalët:
“Kolegji u hap si derë e madhe drite të ëmbël e të re për të gjitha familjet shqiptare… Ishte ky agim i ditës sonë, megjithëse pak i largët.”
G. Mcioti shkruan për të:
“Nga kjo fidanishte e diturisë dhe e virtyteve patriotike dolën kampionët e ardhshëm të revolucioneve të viteve 1844, 1848, 1860.”
Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe Vincenzo Tarantino, autori i librit Il contributo degli italo-albanesi al Risorgimento italiano (Rassegna dei studi albanesi, viti II, nr. 1, 1962, f.159).
Rektori i kolegjit të Palermos, Nikolla Keta (1702–1803), në vargjet e tij shkruan për rëndësinë e madhe të këtij kolegji në ruajtjen e traditave kombëtare të shqiptarëve të ishullit:
“Si krimb mëndafshi veten harroi, E katër visart tori, qëndisi e shkroi, Shqipërinë të ndrinte tej e tej.”
Kolegji shqiptar nga San Benedetto Ullanoja u zhvendos në fshatin San Demetrio, pasi ishte më afër fshatrave të tjera shqiptare të provincës së Kozencës, duke u dhënë mundësi më shumë fëmijëve të mësonin.
Shumë shqiptarë të shquar të Italisë, pjesa më e madhe e të cilëve kishin studiuar në këtë kolegj, u dalluan për virtyte dhe dituri. Midis tyre përmendim: Samuele Rodotën, Xhuzepe Bastën, Nikola Bastën, Domenko Mauron, Paskuale Bafën, Stefano Bafën, Domeniko Buliarin, Domeniko Belushin, Mikele Belushin, Antonio Varibobën, Nikolla Marinin, Francesko Marinin, Paolo Skurën, Xhuzepe Noçitinin, Aleksandër Marinin, Saverio Mazin, Angjelo Mashin, Salvatore Marinin, Xhovani Marinin, Domeniko Xhuraishten, Rozaria Xhurën, De Radën dhe Gavril Dara të Riun.
Jehona e Revolucionit Francez kishte mbërritur edhe në Itali. Sidomos periudha e diktaturës jakobine (1793–1794) i tmerroi klasat sunduese. Jakobinët shiheshin me admirim dhe dëshira e tyre ishte të shpërthente furtuna. Në Piemont, Bolonjë, Palermo, Napoli, u formuan grupe revolucionarësh me parrullat “Liri ose vdekje”, “Roma ose vdekje”.
Në Napoli, qeveria burbone ekzekutoi disa revolucionarë si Vitaliani, De Dedo, Galiani e të tjerë, të cilët u përshëndetën nga populli si heronj të lirisë. Në janar të vitit 1793, burbonët në Napoli thërrisnin: “Rroftë Shën Pjetri!”
Pushtimi i gjatë i Italisë kishte lënë gjurmë të thella. Copëtimi politik i vendit kishte forcuar pozitat e feudalëve, ndërsa borgjezia ende nuk ishte e zhvilluar. Pushteti i Papës, siç theksonte historiani napoletan Petro Xanoni, ishte pengesë themelore në rrugën e ndryshimit.
Në vitin 1796, ushtria franceze korr sukses në Itali dhe jakobinët italianë shtuan veprimtarinë e tyre revolucionare. Më 27 shkurt, gjenerali 27-vjeçar Napoleon Bonaparti mori komandën e ushtrisë franceze në Itali dhe shpalli një manifest, duke i nxitur ushtarët të pushtonin “fushat më pjellore të botës, krahinat më të pasura të Italisë, qytetet e mëdha…”.
Revolucionarët italianë e quajtën pushtimin e Italisë nga Napoleoni si çlirim, sepse besonin se ai do të sillte ndryshime të thella politike e shoqërore. Por harronin faktin se Napoleoni dhe gjeneralët e tij, gjatë periudhës 1796–1814, thithën nga Italia para, ushqime, vlera artistike dhe njerëz.
Me marshimin e ushtrisë franceze, në Itali u krijuan disa republika, ndërsa monarkia e Burbonëve u përmbys. Gëzimi i revolucionarëve italianë ishte i papërshkrueshëm. Në vitin 1796, Buonaroti shkruante:
“Po, ne jemi afër çastit të lumtur, kur do ta shikojmë atdheun tonë të lirë!”
Patriotët italianë i kërkuan gjeneralit francez Championnet të njihte Republikën e Napolit dhe të caktonte një qeveri provizore, gjë që ai e bëri më 24 janar 1799. Qeveria përbëhej nga njëzet vetë, mes tyre dy shqiptarë: Xhuzepe Albaneze dhe Paskuale Bafa ishin pjesë e qeverisë provizore të Republikës së Napolit. Albaneze, së bashku me disa të tjerë, ishte i mendimit se të gjitha pronat e feudalëve duhej t’i përkisnin kombit, konkretisht bashkësisë fshatare. Si rrjedhim, ai besonte se ishte e rrezikshme të mos bëhej “reforma agrare”, sepse baronëve do t’u lihej një fuqi e madhe ekonomike dhe politike.
Dora d’Istra shkruan se martirizimi i Paskuale Bafës e nxiti edhe më shumë lëvizjen revolucionare të shqiptarëve të Italisë së Jugut për bashkimin e atdheut të tyre të ri. Qeveria reaksionare e Burbonëve nuk u mjaftua me ekzekutimin e tij; urrejtja ndaj Bafës ishte aq e tërbuar, saqë ajo dha urdhër t’i rrëmbehej edhe ajo pak pasuri që kishte.
“Thjeshtësia e tij ishte e barabartë me trimërinë e tij. Ai ishte në lartësinë e patriotizmit të tij. Dashuria për bashkimin nuk ishte më e paktë se energjia e tij.”
Historiani italian Karlo Bota, që jetoi në atë periudhë dhe e njohu mirë Paskuale Bafën, shkroi:
“Nuk i hyri në punë Paskuale Bafës as ëmbëlsia e pabesueshme e natyrës së tij, as erudicioni i jashtëzakonshëm, as fakti që ishte një nga helenistët e klasit të parë të kohës së tij… Njohës i shkëlqyer i letërsisë, dhe ai u dënua me dënim kapital prej atyre që nuk dinin më shumë sesa të vinin një firmë mbi vendimin për vdekje.”
Edhe Vincenzo Dorsa shkruante për të:
“Ai ishte nga ata njerëz që, në fund të shekullit XVIII, zbukuronin të dy Siçilitë (Mbretëritë e Dy Siçilive).”
Megjithatë, xhelatët nuk u zbehën përpara këtij krimi.
Timoleo GURI