
Në Bibliotekën “Blanchardstown” në Dublin, hapet shkolla e parë shqipe, komuniteti ndez “dritën e alfabetit” për brezat e diasporës.
Komuniteti shqiptar në Irlandë shënoi një moment historik me hapjen e shkollës së parë shqipe në kryeqytetin irlandez, nismë e klubit kulturor “Albanian Book Lovers Club”, themeluar nga Liljana Picari dhe Arjana Rama. Ceremonia u zhvillua në “Blanchardstown Library” (Dublin 15), me pjesëmarrjen e prindërve, nxënësve dhe përfaqësuesve të komunitetit.
Në mungesë fizike, ambasadori i Shqipërisë në Irlandë, S.E. Uran Ferizi, përcolli një mesazh zyrtar dhe konfirmoi mbështetjen me paketa mësimore. Orët e para u fokusuan tek alfabeti shqip, flamuri kombëtar dhe një hyrje historike për shkollën e parë shqipe në Korçë.
Programi lëndor mbështetet në materialet e Qendrës së Botimeve për Diasporën, ndërsa priten paketa shtesë nga Ambasada e Shqipërisë në Londër. Iniciativa vlerësohet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave ndër brezat e rinj të diasporës shqiptare në Irlandë.