Monday

27-10-2025 Vol 19

Shqipëria e fasadave luksoze dhe e realitetit të hidhur

Nën shkëlqimin e kullave e jahteve, Shqipëria vuan çmime të fryra, paga të ulëta e shërbime joprofesionale; ndërsa thellohet shpopullimi

Në Shqipërinë e sotme, tabloja që na paraqitet është kontradiktore: kulla dhe resorte luksi që ngrihen në çdo cep të kryeqytetit e qyteteve bregdetare, çmime apartamentesh që arrijnë deri në 10 mijë euro për metër katror, biznese elitare e supermarkete ku çmimet janë ndër më të lartat në EVropë. Përballë tyre, një realitet krejt tjetër: rrugë me gropa, mungesë energjie, mungesë uji, paga të ulëta dhe një popullsi që pakësohet çdo ditë për shkak të emigracionit.

Karburanti është një tjetër shembull i absurdit shqiptar. Çmimi për qytetarët renditet mes më të lartëve në kontinent, i ngarkuar me taksa që paguhen dyfish, një herë në çdo litër dhe një herë tjetër në çdo kalim autostrade. Ndërkohë, me një ironi therëse, jahtet luksoze të botës furnizohen në Shqipëri me çmimet më të ulëta të karburantit, nën justifikimin e promovimit të “turizmit elitar”. Por këta miliarderë nuk vizitojnë asnjë destinacion turistik shqiptar, nuk kontribuojnë në ekonominë vendase, veçse lënë pas mbetje e ndotje në ujërat shqiptare.

Historia moderne e kësaj ekonomie nisi me “syqorrin” ndaj kultivimit masiv të kanabisit. Paratë e pista futën në qarkullim miliona euro “cash”, duke rritur artificialisht konsumin dhe çmimet. Një pjesë e shoqërisë u mësua me fitime të shpejta e të lehta, ndërsa të ndershmit u lanë pas në garën e pabarabartë.

Më pas, mbyllja e kazino-ve dhe basteve ia preu buxhetit të shtetit miliona euro të ardhura, duke lënë në rrugë me mijëra të punësuar dhe duke përqendruar paratë në pak duar të fuqishme.

Skema tjetër e errët ishte ajo e “bursave” dhe mashtrimeve telefonike, që vepruan për vite të tëra duke u zhvatur para qytetarëve nga Italia, Gjermania, Kanadaja e më gjerë. Vetëm në këtë industri të paligjshme u punësuan rreth 25 mijë të rinj, të cilët merrnin paga marramendëse krahasuar me sektorin formal. Pasoja ishte shkatërrimi i vlerës së punës së ndershme dhe krijimi i një rinie të pasuruar në mënyrë të shpejtë, por pa baza të qëndrueshme.

Vitet e fundit janë shoqëruar me skandale të pafundme: afera të rrugëve me tendera të fryrë; inceneratorë të paguar e të pashfrytëzuar; ministra të lidhur me trafik droge; vëllezër ministrash të akuzuar për krim të organizuar; abuzime me fondet e tërmetit të vitit tragjik; një listë e gjatë korrupsioni që ka konsumuar besimin publik.

Periudha e pandemisë shënoi një tjetër kapitull të errët: Ministria e Shëndetësisë e ktheu krizën shëndetësore në biznes, me tendera të dyshimtë dhe blerje abuzive, ndërsa qytetarët paguanin me jetën e tyre. Shqipëria u trondit nga vdekjet që shpesh vinin nga neglizhenca dhe mungesa e profesionalizmit, duke e bërë pandeminë jo vetëm një tragjedi shëndetësore, por edhe një simbol të dështimit dhe korrupsionit qeveritar.

Në fund, lind një pyetje që pakkush guxon ta bëjë me zë të lartë: Kush ia ka shkaktuar dëmin më të madh ekonomisë shqiptare?

A janë paratë e korrupsionit, të pastruara përmes tenderave dhe aferave publike?! A janë milionat e mashtrimeve me bursa dhe “call center”, ku punoi pjesa më e madhe e rinisë shqiptare, duke vrarë besimin tek puna e ndershme?! Apo janë paratë e pista të trafikantëve grosistë shqiptarë, që kontrollojnë rrugët e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës dhe i kthejnë fitimet e tyre marramendëse në Shqipëri, duke e shndërruar vendin në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave?!

Një vend kaq i vogël, e megjithatë i aftë të përthithë miliarda euro të pista. Një “ekonomi fasadë” që rritet mbi luksin e pakicës dhe mbi ikjen e shumicës. Një Shqipëri që po humb veten, ndërsa paratë e zeza e bëjnë gjithnjë e më të bardhë sipërfaqen e saj.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *