
Sami Frashëri, në enciklopedinë e tij historike dhe gjeografike Camus-ul Alam, shkruante: “Me vdekjen e Skënderbeut, e gjithë Shqipëria u pushtua nga osmanët dhe në atë kohë u shpërngulën disa qindra mijëra shqiptarë. Ata u vendosën në zonat e Kalabrisë dhe Siçilisë, ndërsa të tjerë u shpërndanë nga Venediku, Gjenova, Marseja deri në Spanjë. Vetëm ata që u vendosën në Kalabri u sistemuan në krahina dhe fshatra më vete, duke arritur të ruajnë gjuhën, kombësinë dhe besimin e tyre, të cilat edhe sot i mbajnë gjallë.”
Sipas autorit që ka shkruar historinë më të hershme të vendosjes së shqiptarëve në Itali, Anxhelo Mashi, në fund të shekullit XV në Kalabrinë e Përtejme ekzistonin këto koloni shqiptare: Amatoja, Andali, Arjeta, Kazalnuvoja, Vena, Zangaroneja; ndërsa në Kalabrinë e Këtejme: Akuaformoza, Kastrorexhioja, Çivita, Ejanina, Falkonarja, Firmoja, Frashinetoja, Lungroja, Makia, Marri, Plataçi, San Bazileja, San Benedeto, Ulanoja, San Kozmo Albaneze, San Demetro Koroneja, San Xhorxho Albaneze, Santa Sofia d’Epiro, Vakarico Albaneze, San Kostantino Albaneze, San Paolo Albaneze, Vila Badesa, Piana degli Albanesi, Kontesa Entelina, Palaco Adrianoja, Mexojusoja.
Në vitin 1532, shqiptarët nga qyteti i Korones në Peloponez lanë vendin e tyre, pasi ishin të bindur se, po të qëndronin, do të përballeshin me egërsinë dhe terrorin turk. Ata zbarkuan në bregdetin Adriatik dhe u vendosën pjesërisht në ishullin Lipari, ndërsa të tjerët themeluan kolonitë: Barilen, Maskiten, San Konstantionin në Kazalnuovo të Basilikatës, Farnetën në Kalabrinë e Këtejme.
Në vitin 1680, shqiptarë të tjerë zbarkuan në Itali dhe themeluan kolonitë: Ururin, Portokanonen, Kampo Marinon, Monteçifonen në krahinën e Kampo Basos, Kieutin dhe Kastel Vekion në provincën e Foxhies. Shqiptarë nga fshati Piqeras i Himarës erdhën në vitin 1744 dhe themeluan 79 fshatra shqiptare. Nga këto, 25 ushtronin ritin ortodoks, ndërsa 54 atë katolik.
Në vitin 1806, numri i shqiptarëve në Itali ishte 110,955; në vitin 1846 arriti në 168,802; në vitin 1866 në 196,768; dhe nga fundi i shekullit XIX rreth 200,000. Sipas Sami Frashërit, në enciklopedinë e tij të vitit 1896, në Kalabri jetonin 150,000 shqiptarë. Deri në vitin 1980 thuhej se numri i tyre kishte arritur rreth 300,000.
Shqiptarë në Itali ka pasur edhe përpara pushtimit turk. Në vitin 1396, ata ishin të vendosur me shumicë në Venedik dhe në krahinën e Lombardisë, falë marrëdhënieve të mira të Skënderbeut me mbretin e Napolit, Alfonsin e Aragonës. Në betejat ndërmjet francezëve dhe mbretit të Napolit, një nga ushtarakët e Skënderbeut, Dhimitër Rëra, së bashku me dy djemtë e tij, Gjergjin dhe Vasilin, luftuan në krah të ushtrisë së Alfonsit dhe u shpërblyen me toka në Rexhio Kalabros. Dy djemtë e tij më pas u vendosën në provincën e Katanxaros. Më vonë, Dhimitër Rëra u vendos së bashku me djemtë në Siçili për të mbrojtur këtë krahinë nga një sulm i mundshëm francez.
Por emigrimi më i madh i shqiptarëve në Itali ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Shqipërisë në duart e osmanëve, siç shkruan Shuflai. Ai e quante këtë rrjedhje “lumi drejt Puljas dhe Kalabrisë”. Shqiptarët ikën nga Shqipëria me frikën se do të bëheshin skllevër të pushtuesit dhe nuk e dinin se nuk do të ktheheshin më në atdhe, duke rrezikuar humbjen e kombësisë. Mendimi se do të ktheheshin një ditë i brente përbrenda.
Pritja e shqiptarëve nga mbreti Ferdinandi II dhe favoret që u bënë nga kontët e kohës në Kalabri mbeten një dilemë e madhe, siç dëshmojnë dokumentet e kohës. Megjithëse Skënderbeu kishte vdekur, pasha politike e tij në Evropë ishte ende e fuqishme, dhe Ferdinandi II nuk mund të qëndronte indiferent ndaj ndihmës që shqiptarët i kishin dhënë Alfonsit për të vendosur birin e tij në fronin e lëkundur.
Ka fakte që dëshmojnë se në shumë krahina të Jugut të Italisë, emigrantët shqiptarë nuk trajtoheshin njësoj. Në disa raste, atyre u njihej e drejta për të udhëtuar të hipur në kalë me shalë dhe të armatosur, duke hyrë kështu në oborrin mbretëror. Në vende të tjera, u janë dhënë favore për t’i çliruar nga taksat dhe detyrimet.
Në një dokument të shekullit XVII me titull Kalabria dhe kalabrezët, lexojmë për vuajtjet e vendasve nga egërsia e baronëve: “Angarive, detyrime dhe dëme që u shkaktohen nga luftërat këtyre të varfërve dhe egërsia shtypëse e baronëve. Kalabria është copëtuar aq shumë, sa nga një pronë feudale kanë lindur njëqind të tilla. Çdo gjë që prodhohet nga toka rrëmbehet prej baronëve. Shumë njerëz janë kthyer në lypës dhe janë dëshpëruar aq shumë, sa janë të gatshëm të lënë krishtërimin dhe të kthehen në myslimanë, të bëhen vasalë të sulltanit ose të ikin, duke braktisur shtëpitë për të gjetur feudalë më pak të lig.”
A kanë bërë përjashtim shqiptarët e emigruar nga ky rregull mjerimi? Krahas mjerimit që pllakosi në krahinat e Italisë, një dekret mbretëror i datës 8 prill 1532, i nxjerrë nga Karli, urdhëronte që shqiptarët të mos vendoseshin bashkë në një krahinë të vetme, por të shpërndaheshin në vende të ndryshme të Italisë së Jugut. Prandaj, siç thotë De Rada, qeveria që dyshonte tek shqiptarët nuk i lejoi të qëndronin bashkë, por i shpërndau. Ata trajtoheshin si njerëz të egër dhe injorantë, sepse kishin doke dhe tradita të tjera, qëndronin të veçuar, dhe nga ana tjetër, qeveritarët për qëllime përçarëse bënin çmos që t’i armiqësonin me vendasit.
Frika nga një zbarkim turk e bënte mbretin e Napolit shumë skeptik për t’i ndihmuar shqiptarët. Fshatrat ku u vendosën ata ishin të parat të populluara dhe tokat që iu dhanë ishin të varfra dhe jo pjellore. Megjithatë, shqiptarët treguan se dashuria për punën dhe tendenca për progres ishin po aq të zhvilluara sa edhe tek vendasit. “Shqiptarët u vendosën më shumë në tokat e kishës se atje mendonin se do të ishin më mirë, se sa në ato të baronëve dhe feudalëve të tjerë laikë më të vegjël… Kolonët shqiptarë nuk janë aspak servilë, bile ata kanë një shprit lirie” – thotë Tajani.
Timoleo GURI