Monday

27-10-2025 Vol 19

“Alternative für Deutschland” shpallet “ekstrem i djathtë”

Nga Edon QESARI

Zyra Federale gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës (Bundesamt für Verfassungsschutz, BfV), pjesë e shërbimeve të brendshme të inteligjencës, e ka shpallur sot partinë AfD (Alternative für Deutschland) si “ekstrem i djathtë”. Pakkush mund ta dyshonte një cilësim të tillë, por kjo “certifikatë” zyrtare është e vlefshme për ta ndarë mendjen në këtë drejtim. Interesant, e shumë domethënës, është gjykimi i Zyrës Federale se kategorizimi si “ekstremiste” i AfD-së bazohet në ligjërimin përjashtues të kësaj partie.

Deri më sot, AfD-ja ishte gjykuar si “e dyshuar” për ekstremizëm. Kategorizimi i ri do t’i lejojë shërbimeve të inteligjencës gjermane që të jenë më këmbëngulëse në përpjekjet e tyre për ta kaluar në sitë aktivitetin e brendshëm të partisë.

“Pikëpamja se populli përcaktohet në bazë të etnisë dhe vazhdimësisë së gjakut—pikëpamje që mbizotëron brenda kësaj partie—është në kundërshtim me rendin e lirë demokratik” sepse “synon të përjashtojë grupe të caktuara të popullatës nga pjesëmarrja e lirë në jetën shoqërore, duke i nënshtruar ata ndaj një trajtimi që shkel Kushtetutën”.

Me pak fjalë, mendimi sipas të cilit është “pastërtia” e gjakut dhe ndonjë lloj kategorizmi tjetër kinse-biologjik që të bëjnë gjerman, e jo shtetësia apo procedurat civile, është një mendim që shkel normat e Kushtetutës gjermane. Ky është thelbi i ekstremizmit të djathtë, apo i neofashizmit, të AfD-së.

Tani le të presim ndërhyrjet nëpër studiot televizive të eksponentëve më të lartë të mendimit të djathtë shqiptar, që të na tregojnë, me shkencë dhe me politikë, sesi fashistët dhe/apo nazistët, në të vërtetë, kanë qenë të majtë—në mos komunistë.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *