Monday

27-10-2025 Vol 19

Në kalendarin e kujtesës. Për të kujtuar ata që folën me jetën e tyre, kur fjala nuk mjaftonte. Rekuiem për Sabiha Kasimatin

Sabiha Kasimati: Zëri i dijes që nuk heshti

Në 15 shtator 1912 lindi një ndër gratë më të shquara të kombit shqiptar, shkencëtarja që sfidoi heshtjen dhe u bë simbol i qëndresës intelektuale përballë dhunës së verbër ideologjike.

Në heshtjen e gjatë të një kombi që rrallë kujtohet për bijat e tij më të mençura, qëndron silueta e një gruaje të brishtë në trup, por të hekurt në shpirt. Ajo quhej Sabiha Kasimati, një emër që sot është histori, ndërgjegje dhe plagë.

Lindi në në Edrene të Turqisë, në një familje shqiptare me rrënjë të thella atdhetarie nga Libohova. U rrit mes librave dhe idealit për një Shqipëri moderne dhe të qytetëruar, një Shqipëri që do të ecte në krah me dijen, jo me frikën. Ishte ndër vajzat e para shqiptare që ndoqi studimet jashtë vendit, duke përfunduar me sukses Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Firences, Itali, me specializim në iktiologji, shkencën që studion peshqit. Në një kohë kur emri i një gruaje në shkencë ishte përjashtim, Sabiha u bë zë.

Guxoi të ëndërronte shkencë në një vend sundonte errësira e injorancës .

Pasi u kthye në Shqipëri, punoi pranë Institutit të Shkencave dhe dha ndihmesën e saj në hapat e parë të organizimit të studimeve shkencore në vend. Ajo është ndër autorët e parë shqiptarë që hartoi studime të mirëfillta mbi faunën ujore të vendit, duke kontribuar në njohjen e ekosistemeve të brendshme dhe në hartimin e një baze të qëndrueshme për biologjinë e ujërave shqiptare.

Por Shqipëria që Sabiha ëndërronte, ajo e dijes, e mendimit të lirë dhe e zhvillimit, nuk ishte ajo që mori formë pas Luftës. Ajo nuk pranoi të bëhej pjesë e partisë, nuk u përul, nuk heshti. U bë zëri i pavarur në një det heshtjeje të imponuar, një mendje e lirë në një regjim që kërkonte nënshtrim. Kjo e bëri të padëshiruar për pushtetin komunist që në vitin 1951 organizoi një prej krimeve më të rënda kundër elitës intelektuale shqiptare.

Sabiha u arrestua bashkë me 22 intelektualë të tjerë nën akuzën absurde për përfshirje në një atentat në ambasadën sovjetike. Pa gjyq, pa mbrojtje, pa provë, u pushkatua në natën e 26 shkurtit 1951 si të ishte një kriminele, jo një shkencëtare që i dha kombit më shumë se kushdo tjetër në kohën e saj.

Sot, emri i saj është kthyer në simbol të dijes, dinjitetit dhe qëndresës.

Në këtë ditë të lindjes së saj, përulemi me dhimbje, por edhe me krenari. Krenari që Shqipëria rriti një bijë të tillë. Dhimbje, që nuk arriti ta mbrojë, kur ajo kishte më shumë nevojë për të!

Zemra e saj ndaloi nga plumbat, por idealet e saj jetojnë, më të gjalla se kurrë në çdo vajzë që guxon të mësojë, të flasë, të mendojë e lirë.

Prehu në paqe, Sabiha Kasimati. Emri yt është kujtesë. Fjalët e tua janë dritë. Heshtja jote është klithmë. Sakrifica jote është borxh që Shqipëria duhet të ta shlyejë.

Nga Borea Lisi

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *