
Një tragjedi që la plagë të përjetshme në botë dhe në zemrat shqiptare.
Më 11 shtator 2001, qielli i Nju Jorkut u mbush me hirin e një tragjedie që ndryshoi botën. Kullat binjake, dikur simbol i lirisë dhe fuqisë amerikane, u shembën përpara syve të njerëzimit, duke marrë me vete mijëra jetë të pafajshme. Çdo vit në këtë ditë, bota ndalet për një çast, për të kujtuar ata që u larguan papritur, për të nderuar sakrificën dhe për të reflektuar mbi brishtësinë e paqes dhe jetës njerëzore. Pamjet e ndërtesave që u shembën përpara syve të botës shënuan fillimin e një epoke të re të pasigurisë globale dhe ndryshuan përgjithmonë kursin e historisë.
Në mesin e mijëra viktimave, dhimbja preku edhe zemrën shqiptare. Tre bashkëkombës tanë humbën përgjithmonë atë mëngjes:
Shkëlqim Alushaj, vetëm 29 vjeç, me një jetë përpara, që shërbente në restorantin “Windows on the World” në majën e Kullës së Veriut.
Rrok Camaj, 60 vjeç, nga Malësia e Madhe, i cili çdo ditë kujdesej për mirëmbajtjen e godinës ku gjeti edhe fundin e tij tragjik.
Mon Gjonbalaj, 31 vjeç, gjithashtu me rrënjë shqiptare, që ndau fatin e të pafajshmëve atë mëngjes.
Ata u shuan në heshtje, larg atdheut , por emrat e tyre mbeten të gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Janë pjesë e atyre tre mijë jetëve që u shuan atë ditë, por që vazhdojnë të ndriçojnë si kujtim i përjetshëm i jetëve të ndërprera dhunshëm.
Sot, ndërsa kambanat e kujtesës bien sërish, përulemi me respekt para kujtimit të tyre dhe të çdo jete të humbur më 11 shtator 2001. Është një kujtesë e përjetshme se jeta është e çmuar, se dhimbja nuk njeh kufij dhe se përgjegjësia jonë e përbashkët është të ruajmë paqen dhe të mbrojmë lirinë.
Nga Borea LISI