Monday

27-10-2025 Vol 19

Librat e grisur: Turpi që na serviret si dhuratë!

Në një vend ku librat falas vijnë të grisur dhe dinjiteti prindëror blihet me borxh, fëmijët mësojnë jo dijen, por plagën e pabarazisë!

Një shekull më parë, Migjeni i prezantoi lexuesit shqiptar figurën e Lulit të vocërr, fëmijës që hynte në oborrin e shkollës i heshtur, me këmbë zbathur dhe tollumba të grisur, duke soditur me zili çizmet e reja të shokëve. Ishte fëmija i varfër që në vend të lodrave e gëzimit të moshës, mbante mbi supe barrën e mjerimit dhe vetmisë.

Askush s’e njihte Lulin. Ai ishte vetëm, i vocërr, me gishtat që i shfaqeshin tej tollumbave të grisur, me hundën e skuqur nga të ftohtit dhe me një buzëqeshje të vogël që i humbte diku ndër rrezet e pakta të diellit të vjeshtës. Nuk kërkonte asgjë, vetëm shikonte, pranë derës së rruginës shkollore, çizmet që shkëlqenin në këmbët e shokëve të tij. Dhe në ato çizme të lëmuara si pasqyra, Luli shihte gishtat e tij të zbathur. Tollumbat e grisur ishin një shtresë që nuk e mbronte, por e turpëronte.

Kanë kaluar afro njëqind vjet. Tollumbat e Lulit tashmë janë bërë libra. Libra të vjetër, të grisur, pa kopertina, me emra të huaj të shkruar me stilolaps blu e me fletë që të bien sapo t’i hapësh. Libra që mbajnë erën e viteve të shkuar, copëza fjalësh të zbehura, figura të mbuluara me njolla e rrudha kohe mbi çdo faqe.

Këta nuk janë libra, janë goditje ndaj së ardhmes, janë dëshmi të një shteti që i jep fëmijës librin e grisur e i kërkon të mësojë dinjitetin; e detyron të marrë borxh, e i kërkon krenari. Ky është realiteti ynë i zymtë. Një realitet ku librat nuk frymëzojnë, por poshtërojnë, ku dijes i është hequr petku i shenjtë dhe i është veshur rreckë. Në bankat e shkollës, ku duhej të niste ëndrra, nis turpi që ushqehet, turpi që normalizohet, turpi që bëhet sistem.

Sot, një djalë i vogël ulet në bankë me një çantë plot me libra të vjetër, krah tij shoku i bankës nxjerr gjithë krenari Abetaren që vezullon. I turpëruar, ai nuk guxon ta nxjerrë Abetaren e tij e nëna me zë që i dridhet i thotë: “Do marr borxh dhe do të të blej libra të rinj.”

Turp!

Në një shtet që flet për zhvillim, një fëmijë që mban në çantë një libër të grisur është turpi më i madh institucional. Nuk ka më arsyetime, nuk ka më fjalë. Sot ka fonde, ka projekte, ka taksa, ka mbështetje ndërkombëtare, por nuk ka libra, nuk ka dinjitet.

Pas një shekulli pavarësie, Shqipëria ende përballet me klasa të zbrazura, shkolla të mbyllura dhe fëmijë të harruar. A është ky progresi i premtuar, apo janë kambanat e alarmit që na kujtojnë se një komb pa dije është një komb pa të ardhme?!

Një vend që ëndërron Evropën, por që pas një shekulli ende përballet me bankat bosh dhe librat e përdorur, mbetet i mbërthyer në plagët e së shkuarës. Ëndrra e shkollës së re është ende një premtim i papërmbushur.


Nga Borea LISI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *