Bashkim Zajmi, një nga pjesëtarët e familjes Zajmi, i cili banon në rrugën “Hajdar Hidi”, sa herë që del në skenën e medias dhe të historisë shqiptare emri i Nënë Terezës, do të jetë personi i parë i kësaj familjeje i cili do të hapë portën e shtëpisë ku dikur kanë banuar motra, vëllai dhe nëna e Nënë Terezës. Pas ritualit të përshëndetjeve biseda e tij me njerëzit e medias është bërë rutinë e shpesh ai me modestin e tij shprehet se familja e tij thjesht ka bërë detyrën që do ta bënte çdo shqiptar në ndihmë të dy zonjave që pas blerjes së shtëpisë nga zoti Hamdi Zajmi, i ati i zotit Bashkim, i cili u kujdes që ato të strehoheshin në një shtëpi tjetër e tija, tek i vëllai Profesori i nderuar i sporteve Avni Zajmi. Rrjedha e jetës së babait të Bashkimit e kish prurë djalin nga Kosova për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak në ushtrinë serbe duke lënë në vendlindjen e tij në Vuçiternë vëllain e madh dhe motrën dhe gjithë të afërmit e tij të cilët i takoi pas shumë peripecive në vitin 1977. Me të mbërritur në Tiranë në vitin 1924, im atë Hamdiu u lidh me vëllain tjetër Avniun, i cili mbasi kish kryer studimet e larta në Stamboll dhe Dizhon të Francës për Edukim Fizik, punonte në Tiranë si mësues dhe ishte një nga aktivistët e parë të sportit në Shqipëri. Hamdiu, me zanat këpucar, kishte blerë një dyqan aty ku sot është “Partizani i Panjohur” dhe kish një klientelë të zgjedhur e natyrisht këtë e kishte arritur me punë. Selman Stërmasi, një biznesmen tiranas dhe sportëdshës e nxiste shpesh Hamdiun për të vajtur në Milano të Italisë, aty ku ai bënte furnizimet për shollat e këpucëve e materjalet e tjera të shikonte edhe fabrikat e këpucëve të sportit sepse shumë shpejt do të përhapet sporti edhe në Shqipëri. Kështu usta Hamdiu u bë i pari këpucar i këpucëve sportive në Shqipëri deri sa doli në pension. Viti 1946 me paratë që kish fituar, djaloshin kosovar tashmë të martuar, do ta gjente në kërkim të blerjes së një shtëpie ku edhe do të pleqëronte deri në moshën 85 vjeçare. Kjo shtëpi e Ballajve të Tiranës në rrugën “Hajdar Hidi” ishte dhënë me qera familjes Bojaxhiu të ardhur nga Shkodra, motra Age dhe nëna Drane e Nënë Terezës. I vëllai ishte oficer në kohën e Mbretit Zog dhe kish shkuar për studime në Itali nga ku nuk u kthye më. Shtrohej pyetja se kush do të interesohej për fatin e dy grave mbas shitjes së shtëpisë? Hamdiu menjëherë e pa gjendjen e trishtuar të grave dhe u tha mos kishin dert apo merak se edhe këtë punë do ta zgjidhnin e pas bisedës me të vëllain Avniun u pa e udhës që t’i strehonin në shtëpinë e tjetër shumë pranë Kishës Orthodokse në Rrugën e Kavajës. Aty ato qëndruan për afro 22 vjet dhe ne fëmijët e vegjël, sa herë që takonim nënë Dranen, ajo do kishte përherë një karamele ose bonbon për të na qerasur. Jeta e tyre falë aftësive për rrobaqepësi u bë më e lehtë dhe aty qepnin puthuajse gjithë vajzat gratë e ajkës së Tiranës. Kurrë nuk pushuan së dëgjuari radio “Vatikanin”, sa shpesh kur shkonte im atë për t’i takuar, priste deri sa mbaronin ato së dëgjuar lajmet. Ato kurrë nuk e fshehën kryqin e tyre të besimit katolik dhe e ruajtën një miqësi të gjatë me këngëtaren e shquar Marie Kraja e cila ishte për to si një motër. Më vonë ato i strehoi shteti i kohës në zonën e Tiranës së Re.
Pyetje: Zoti Bashkim si e pritët ju lajmin se do të vizitonte shtëpinë “Nënë Tereza”?
Ishte dikush nga Drejtoria e Punëve të Brendshme, që e thirri babain tim për vizitën në Shqipëri të një personaliteti botëror e ne duhej ta prisnim në shtëpi sipas zakoneve të shqiptarit. Me porosi të Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, personalisht zotit Jorgo Milica, ne u thirrëm në Ministrinë e Punëve të Jashtëme e na u komunikua se një grua me famë botërore e quajtur Nënë Tereza, ka shprehur dëshirën që të vizitojë shtëpinë ku kanë banuar nëna dhe motra e saj në Tiranë. Me organizimin e vizitës së saj nga Aeroporti direkt në shtëpinë tonë merrej protokolli i Ministrisë së Jashtëme. Dega e Punëve të Brendshme kishte marrë masa për të kontrolluar rrugicën. Ne sipas zakonit të shqiptarit dolëm në hyrje të derës për të pritur Nënë Terezën. Në fillim im atë Hamdiu i puthi dorën asaj dhe ajo me atë xhestin e saj të bekimit i vuri dorën mbi kokë e vazhdoi të na takonte ne me rradhë nënën time, motrën e madhe dhe të vogël mua dhe vëllezërit e mi. Nënë Terezën e shoqëronte një nga motrat me origjinë shqiptare nga Kosova e cila përkthente bisedën me babain tim, si dhe një gazetare angleze. Po ashtu ishte doktoresha e mirënjohur zonja Adelina Mazreku dhe këngëtarja e paharrueshme Marie Kraja. Të gjitha portat e rugicës u hapën si me magji për të pritur Nënë Terezën e nuk kishe ku hidhje kokrrën e mollës nga ajo masë njerzish atë ditë nëntori të vitit 1989.
Pyetje: Çfarë u bisedua mes jush dhe Nënë Terezës?
Së pari “Nënë Tereza” e pyeti njerëzisht babain, si ishte me shëndet e sa fëmijë kishte e me se merreshin. Dua t”ju them se Nënë Tereza kuptonte gjuhën shqipe dhe kjo ndihej tek ne kur im atë sapo i tha se ai ishte me origjinë nga Kosova ajo u ngrit dhe e përqafoi me shtrëngim në gjirin e saj. Përkthyesja u përlot e ndërkohë biseda vajti tek njohja e Hamdiut me nënën dhe motrën e Nënë Terezës, si kishin jetuar ato në këtë shtëpi e në shtëpinë tjetër. Im atë i tregoi asaj edhe për falenderimin që i kish dërguar i vëllai i tyre në vitin 1947 nëpërmjet një letre, ku ai i shprehte mirënjohje për zotin Hamdi Zajmi, i cili u ishte gjendur pranë dhe ishte interesuar për nënën dhe motrën si një vëlla i vërtetë.
Pyetje: Çfarë u bë me atë letër zoti Bashkim?
Më mirë të mos flasim për të se një gazetar ma mori gjoja për botim si shumë fotografi që mi kanë kërkuar gazetarë të tjerë e nuk mi kanë kthyer…. Vërtet ne jemi treguar dorëlëshuar e ndoshta tepër të sinqertë në të mirë të figurës së Nënë Terezës, por korrektësia e tyre ka qenë për të dëshiruar e shpesh tani kur vijnë gazetarët shqiptarë tregohem shumë i rezervuar.
Pyetje: Ju këtu në shtëpi keni një radio të vjetër dhe mangallin dhe një orë muri orendi të familjes Bojaxhi si keni arritur t’i mirëmbani?
Kjo është një histori më vete, sepse në njërën nga dhomat banonte i vëllai i Nënë Terezës. Ato orendi dhe krevati dopio me kornizë prej hekuri, kur do të shkonin në shtëpinë tjetër motra Age dhe nëna Drane nuk kishin vend ku t’i mbanin, pasi kishin shumë plaçka e ja dhuruan babait e ne tash pas kaq vjetësh që i kemi ruajtur, prisnim që dikush nga shteti do tregonte interes për të hapur një muzeum për Nënë Terezën dhe familjen e saj, por siç e dimë askush nuk u kujtua e tash dikush në Maqedoni është treguar më i përkushtuar e ka ngritur një muze për të.
Pyetje: Le të kthehemi tek biseda e asaj dite me Nënë Terezën
Po vërtet atë ditë të paharrueshme në jetët e familjarëve të mi ajo grua e vogël që falte shumë dashuri e veshur ashtu thjesht me mantelin e saj dhe me ato sandale që sa nuk preknin tokën, ne morrëm bekimin e saj, e siç e shikon edhe nga fotot kjo fëmija këtu që është duke e përqafuar fort në faqe Nënë Terezën është vajza ime në moshën 5 vjeçe. Asaj sa të jetë gjallë nuk do i iki nga kujtesa ai përqafim hyjnor. Sot ne si familje na njeh e gjithë bota, aq sa kur vijnë gazetarë, historianë apo pelegrinë të huaj nga e gjithë bota ne i presim me ato që na ndodhen në shtëpi sikur i kemi njohur prej kohësh. Të gjithë përulen me respekt përballë fotografisë me Nënë Terezën që kemi ne në këtë shtëpi. Pyetja më e shpeshtë që ne na bëjnë të huajt, është se, a jeni ju muslimanë, si shpjegohet kjo marrëdhënie e shkëlqyer e familjarëve tuaj me nënën dhe motrën e të madhes Nënë Tereza. Përgjigja jonë është mëse e thjeshtë. Përpara jemi shqiptar kudo që ndodhemi, si ajo që kur nuk e mohoi identitetin e saj shqiptar. Politikanë të ndryshëm të vendit herë kujtohen e herë bëjnë sikur harrojnë, se këtu në këtë shtëpi kanë banuar nëna dhe motra e Nënë Terezës, por njerëzit e thjeshtë dhe sidomos të huajt e vlerësojnë shumë këtë vend, ndaj ta ruajmë kujtesën historike jo thjesht për një ditë apo me një pllakë përkujtimore.