
Misionarja e dashurisë dhe shërbimit pa kufi
Më 5 shtator 1997, bota humbi një zemër të madhe.
Gonxhe Bojaxhi, e njohur botërisht si Nënë Tereza, ishte një simbol i dashurisë së
palëkundur dhe i shërbimit pa kufi. Me çdo hap të saj, me çdo fjalë dhe veprim, ajo tregoi
se dashuria dhe kujdesi për njeriun mund të triumfojnë mbi urrejtjen, dhimbjen dhe
indiferencën.Në udhëtimin e saj nga Shkupi i thjeshtë në zemrën e botës, ajo u shndërrua në simbolin më
të lartë të dashurisë njerëzore. Nënë Tereza, gruaja me trup të brishtë e me sy që
shkëlqenin, mbajti mbi shpatulla vuajtjen e njerëzimit dhe e ktheu atë në shpresë.
Ajo shkroi me duar që përqafonin plagët, foli me heshtjen që ngushëllonte, nuk mbajti
kurorë, por një vello bardhë e blu që u bë flamuri i mëshirës mbi tokë.Me themelimin e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë, ajo ndërtoi një urë mes njerëzores
dhe hyjnores. Në Kalkutë, në rrugicat ku jeta humbiste çdo kuptim, ajo gjunjëzohej përpara
mjerimit dhe ngrinte një altar dashurie. Zemra e saj e thjeshtë si buka e përditshme, u bë
strehë e gjithë njerëzimit.Bota e nderoi me çmime, por ajo vetë kurrë nuk pranoi të ishte tjetër veçse një shërbëtore e
më të varfërve. Çmimi Nobel për Paqe nuk e ngriti mbi të tjerët, por ia thelloi edhe më
shumë përulësinë. Fjalët e saj, të thjeshta e të drejtpërdrejta, mbeten testament shpirtëror:
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri
të madhe.”Nënë Tereza na mësoi se të jetosh nuk do të thotë vetëm të ekzistosh, por të shërbesh dhe të
lësh gjurmë në shpirtin e njerëzve që takon. Ajo është frymëzim dhe model për çdo brez që
do të vijë, një kujtesë e përjetshme se dashuria dhe mirëbërja janë armët më të fuqishme të
njeriut.
Nga Borea Lisi