Monday

27-10-2025 Vol 19

Lufta e Vlorës dhe Ahmet Lepenica

Presidenti amerikan Wilson, me notën e tij të 6 marsit 1920, deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte që “kufijtë e përbashkët në krahinën e Fiumes” të caktoheshin me anë të bisedimeve të veçanta midis palëve të interesuara, Italisë dhe Jugosllavisë, me kusht që të mos prekej në parim memorandumi i 9 dhjetorit 1919, të mos cënohej pika mbi krijimin e qytetit të Fiumes dhe të mos i jepeshin Jugosllavisë toka shqiptare për lëshimet që ajo do të bënte në Fiume. “Çështja shqiptare, – thuhej në notën e Wilsonit, – nuk duhej të përfshihej në bisedimet që do të zhvilloheshin mes Italisë dhe Jugosllavisë”, dhe ai “nuk do të pranonte asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim tokësor në pjesën veriore të Shqipërisë për atë që asaj do t’i merrej gjetkë”.

Aprovimi i kësaj note nga Fuqitë e Mëdha krijonte një rrethanë të re për “çështjen shqiptare”. Në këto kushte, edhe qeveria e Beogradit, duke e parë veten jashtë përfitimit tokësor në kurriz të Shqipërisë dhe duke u shqetësuar nga depërtimi i Italisë në Ballkan, do ta kundërshtonte me këmbëngulje aneksimin italian të Vlorës dhe mandatin e Romës mbi Shqipërinë. Si rrjedhim, u bë e qartë për patriotët shqiptarë se problemi kryesor dhe zgjidhja e fatit të Shqipërisë ishte kundërshtimi në mënyrë kategorike i mandatit italian në Shqipëri dhe, mbi të gjitha, dëbimi i ushtrive italiane nga Vlora dhe rrethinat e saj.

Zgjidhja e kësaj çështjeje me sukses do ta bënte të pavlefshme edhe marrëveshjen Tittoni–Venizelos, sipas së cilës synimet e Greqisë në Shqipërinë e Jugut kushtëzoheshin, përveç të tjerave, edhe nga aneksimi italian i Vlorës dhe vendosja e mandatit italian mbi Shqipërinë e cunguar. Qeveria e Tiranës, ndërsa vazhdonte të rekrutonte vullnetarë për t’i dërguar në Vlorë, shpalli më 27 prill “Ligjin ndëshkimor për faje politike”, sipas të cilit dënoheshin ashpër të gjithë ata që viheshin në shërbim të fuqive të huaja dhe bënin propagandë kundër kombësisë shqiptare, kundër flamurit kuqezi me shqiponjë, kundër mëvetësisë shqiptare e kundër gjuhës me shkronja kombëtare, si dhe kundër atyre që shkaktonin përçarje fetare.

Kështu, deputetët e Vlorës në Këshillin Kombëtar, Qazim Koculi dhe Spiro G. Koleka, ishin për një veprim energjik deri në luftë të armatosur kundër ushtrisë italiane në Shqipëri. Sipas tyre, një luftë e armatosur do t’i tregonte opinionit publik ndërkombëtar vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë të atdheut të tyre, dhe po të realizohej me sukses, do t’u jepte shqiptarëve një armë më të fortë kundër pretendimeve të shovinizmit jugosllav dhe grek në kurriz të Shqipërisë.

Më 10 mars të vitit 1920, do të riorganizohej “Komiteti i Fshehtë i Mbrojtjes Kombëtare”. Siç dihet, “Komiteti i Fshehtë i Vlorës” ishte ngritur më parë, në vitin 1919. Në mënyrë të fshehtë u mblodhën jo vetëm burrat e Vlorës në shtëpinë e atdhetarit Abaz Mezini, ku merrnin pjesë patriotët Osman Haxhiu, Jani Minga, Hamza Isai – firmëtarë të Pavarësisë – dhe disa burra nga paria e Vlorës. Në atë mbledhje të fshehtë morën pjesë 40 burra, të cilët kishin autoritet në zonat e tyre.

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i drejtoi më 3 qershor një ultimatum gjeneralit Piacentini: “Populli shqiptar, – thuhej ndër të tjera në ultimatum, – nuk mund të pranojë ndarjen e Shqipërisë sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Sot, populli shqiptar, i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti në pazaret e Evropës si shpërblim për italo-greko-serbët, vendosi të marrë armët. Tepelena dhe Himara t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë së Tiranës.” Komiteti e ftonte pastaj komandantin që t’i përgjigjej kësaj kërkese deri në mbrëmjen e 4 qershorit; përndryshe, siç linte të nënkuptohej ultimatumi, shqiptarët do të fillonin kryengritjen e armatosur.

Gjeneral Piacentini drejtonte 20 mijë trupa. Në bregun e Vlorës ishte ankoruar një skuadër e flotës ushtarake, e përbërë nga një dyzinë anijesh. Për të drejtuar një lëvizje të armatosur, u krijua brenda në Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës, Osman Haxhiu. Në të hyri edhe Qazim Koculi. Deputeti tjetër, Spiro G. Koleka, u ngarkua të kryente funksionet e përfaqësuesit të fshehtë të komitetit pranë qeverisë së Tiranës.

Më 5 qershor 1920, kryengritësit filluan sulmin, pasi nuk morën përgjigje nga gjenerali Piacentini. Kryeministri italian u gjend nën presionin e të majtës italiane në parlament dhe urdhëroi fillimin e bisedimeve me qeverinë e Tiranës. Ministri fuqiplotë i Italisë, Alioti, nuk arriti rezultate në bisedime dhe u dërgua një tjetër ministër, Maxoni, i cili nënshkroi protokollin e 17 gushtit 1920. Me nënshkrimin e këtij protokolli, filloi tërheqja e trupave italiane nga Vlora.

Gëzimi i qytetarëve të Vlorës shpërtheu më 3 shtator 1920, duke tundur flamujt kuqezi për atdheun e pavarur. Për të festuar këtë ditë feste, u mor me zbukurimin e qytetit Don Mark Vasa. Në Vlorë do të parakalonin të gjithë luftëtarët që kishin ardhur nga e gjithë Shqipëria për të luftuar, sepse çlirimi i Vlorës ishte çlirim kombëtar. Ndër të tjera, në shtypin e kohës, si në Itali edhe në Shqipëri, Vlora për Italinë përcaktonte të ardhmen e saj; po ashtu, për Shqipërinë, Vlora përcaktonte ekzistencën dhe fatin e saj.

Heronjtë e Luftës së Vlorës – Selam Musaj, Zigur Lelo, Toto Hosi, Sino Micoli, Dule Dalani etj. – u përjetësuan në këngë popullore që i thurin lavdi trimërisë së tyre. Fitorja e Luftës së Vlorës pati efektin e saj të menjëhershëm në zgjidhjen e “çështjes shqiptare”, e cila parakuptonte çështjen e copëtimit të Shqipërisë. Në Konferencën e Paqes nuk u shtrua më për diskutim “çështja shqiptare”.

Një figurë me vlera të larta për çështjen kombëtare ishte edhe patrioti Ahmet Lepenica. Kryeministri Sulejman Delvina u takua me major Ahmet Lepenicën në afërsi të staneve të tij në Krivovë dhe pa vendosmërinë e luftëtarëve për të çliruar atdheun nga okupatori. Duke organizuar Këshillin e Luftës së Vlorës, me ushtarakë e luftëtarë të shquar popullorë nga krahinat e Vlorës, Kurveleshit, Mallakastrës, atdhetarët Osman Haxhiu, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Memo Mete Brati, Toto Hosi, Zaçe Xhelo, Çaush Mehmeti, Abdurrahman Çiraku, Kanan Maze dhe Rexhep Sulejmani ia besuan organizimin e luftës major Ahmet Lepenicës më 4 qershor 1920, duke e emëruar komandant të përgjithshëm të trupave kombëtare. Ngarkimi me këtë barrë të shenjtë dhe të rëndë u bë nga “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”.

Ahmet Lepenica e kishte treguar trimërinë dhe atdhedashurinë e tij për atdheun qysh në vitet 1909, në Manastir, ku bashkëpunoi ngushtë me “Komitetin e Manastirit” dhe patriotët Feim Zavalani e Hamdi Ohri; në Janinë me Kadri Gjatën dhe Namik Delvinën. Ai ishte shok shkolle me Qemal Ataturkun, me të cilin përkrahën në fillim lëvizjen e xhonturqve në “Komitetin e Selanikut”.

Kjo figurë e lartë e patriotizmit shqiptar, në Shpalljen e Pavarësisë, shërbeu pranë ministrit të Luftës Mehmet Pashë Dërralla. Më 1913, Ahmeti i gjendej pranë Ismail Qemalit si njeriu i tij besnik, në krye të njësisë ushtarake pranë qeverisë së Vlorës, ku bënin pjesë edhe 25 luftëtarët e Isa Boletinit. Më 22 janar 1914, Ahmet Lepenica, së bashku me Ali Asllanin, Osman Haxhiun dhe Ibrahim Abdullain, u gjend pranë Ismail Qemalit në momentet e dorëheqjes së tij dhe të qeverisë së Vlorës, pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, në godinën e Bashkisë së Vlorës.

Ai luftoi kundër trupave rebele të Haxhi Qamilit dhe trupave greke që kryenin masakra në zonat e Kolonjës në vitin 1914. Nga viti 1915 deri në vitin 1920, Ahmet Lepenica qëndroi në krah të Osman Haxhiut dhe atdhetarëve të tjerë të Vlorës për organizimin e rezistencës kundër pushtuesit italian. Në dhjetor 1919, ai u emërua komandant i xhandarmërisë së Lushnjës. Bashkë me Besim Nurin, kryetar bashkie, dhe prefektin Veli Vasjari, ata luajtën një rol të madh në punimet e Kongresit të Lushnjës.

Ahmet Lepenica, me ushtarakë të tjerë si Kasem Qafëzezi, Ismail Kuçi dhe kapiten Meleq Frashëri, organizuan mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Me këto merita, erdhi major Ahmet Lepenica në Luftën e Vlorës, ku hartoi planin e luftimeve për të organizuar ofensivën kundër garnizoneve italiane në Kotë, Gjorm, Drashovicë dhe Llogara. Në betejat e Bistrovës, Risilisë, Qafës së Vlorës dhe Vreshtave të Mëdha, major Ahmet Lepenica tregoi aftësi të larta ushtarake. Ai drejtoi edhe çetat e Kaninës për t’i qëlluar aeroplanët e armikut në Ujin e Ftohtë.

Forcat ushtarake të drejtuara nga Ahmet Lepenica dhe Idriz Sadiraj zhvilluan luftime të ashpra kundër ushtrisë serbe më 25 tetor 1921 në Lis të Matit. Më pas, ai shërbeu si komandant i krahut të Vjosës dhe qark-komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër. Luftoi kundër bandave greke që kryenin masakra në Jug të Shqipërisë. Ahmeti, së bashku me Avni Rustemin, ishte anëtar i Federatës “Atdheu” dhe në vitin 1922 aderoi në shoqërinë “Bashkimi”.

Ahmet Lepenica mbështeti revolucionin e Nolit dhe qeverinë demokratike të tij. Noli e emëroi qark-komandant të Beratit, Elbasanit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Me urdhër të Nolit, ai doli me një batalion tek Shkalla e Tujanit për të zbrapsur forcat mercenare të Ahmet Zogut, për të hyrë në Tiranë. Ahmeti u detyrua të emigrojë në Itali me ardhjen në pushtet të regjimit zogist. Vdiq më 14 janar 1941 dhe u varros në Shënmitër të Lepenicës.


Timoleo GURI 

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *