Monday

27-10-2025 Vol 19

Në kalendarin e kujtesës. Për të kujtuar ata që folën me jetën e tyre, kur fjala nuk mjaftonte. Rekuiem për Imzot Vinçenc Prenushin

Martiri i fjalës, i fesë dhe i atdheut.

Vinçenc Prenushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885, në një vend ku kultura dhe besimi kishin rrënjë të thella. Ai ishte një shpirt i madh, një mendje e ndritur dhe një zemër që rrahu fort për kombin, për fenë, për kulturën, ishte një urë lidhëse mes qiellit dhe tokës shqiptare. Në një kohë kur fjala e lirë ishte nën kërcënimin e plumbit dhe shkrimet ngriheshin si flamuj të rezistencës shpirtërore, ai zgjodhi të flasë, të shkruajë, të përballojë. Rruga e tij ishte rruga e thirrjes hyjnore, por edhe e ndërgjegjes kombëtare. Si françeskan, si poet, si publicist dhe në fund si ipeshkëv i Durrësit, ai nuk u mjaftua të qëndrojë në altar, por zbriti mes njerëzve, me fjalën e tij plot peshë.

Vinçenc Prenushi u bë një nga zërat e parë që refuzoi të nënshkruante marrëveshje me shtetin ateist. Ai nuk pranoi të shkelte lirinë e kishës, dinjitetin e besimit dhe të ndërgjegjes. Për këtë guxim, për këtë qëndresë të heshtur, por të pathyeshme, ai u arrestua, u torturua dhe u martirizua në burgun famëkeq të Durrësit më 1949.

Sot kujtimi i tij na bën thirrje të mos heshtim përballë padrejtësisë, të mos tregtojmë besimin për kompromise politike, të mos harrojmë kurrë se liria nuk falet, por fitohet dhe ruhet me flijim.


Nga Borea LISI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *