Wednesday

17-12-2025 Vol 19

Bukinisti dhe turisti francez

Ka njerëz që e thonë shpesh se “edhe muret kanë veshë“. Por ka ngjarje aq të vogla dhe aq të pastra, sa as muret nuk ndalen t’i dëgjojnë. Një e tillë ndodhi këto ditë në zemër të Tiranës, mes një bukinisti dhe një turisti francez, dhe kaloi thuajse pa u vënë re, siç kalojnë zakonisht gjestet e mira në një botë që ushqehet me zhurmë.

Në një cep të qytetit, aty ku dikur ishte kinemaja ‘Partizani’, një burrë që prej vitesh shet libra, i është mësuar heshtjes, pritjes dhe fjalës së shkruar. Një klient i huaj bleu një libër dhe u largua, pa e ditur se kishte lënë mbi tezgë portofolin, gjithë identitetin e vet të palosur në pak kartëmonedha e dokumente.

Bukinisti nuk u mendua gjatë. E ndoqi me nxitimin e instinktit, jo të interesit. E gjeti në hyrje të Pazarit të Ri, mes erës së peshkut dhe zhurmës së ditës. I foli frëngjisht, por turisti, i hutuar, nuk po kuptonte pse po e ndalte ai njeri i panjohur. Vetëm kur pa portofolin në dorën e bukinistit, kuptoi gjithçka. Falënderoi shkurt, me atë ndjesinë e lehtë të turpit që të kap kur kupton se harresa të ka tradhtuar.

Aliu u kthye te librat e tij. Tezga e priste, siç e pret gjithmonë, pa pyetje e pa zhurmë. Ky burrë, që mban mbi supe një dhimbje të madhe, humbjen e vajzës në lule të rinisë, ka mësuar se dinjiteti nuk bërtet. Ai ecën ngadalë, si njeri që e di peshën e jetës dhe nuk kërkon të rëndojë mbi të tjerët.

Dikush mund të thotë se kjo është një histori e vogël. Se portofolat humbasin çdo ditë dhe rrallë kthehen. Se xhepistët janë më të shumtë se njerëzit si Aliu. Por ndoshta pikërisht për këtë vlen të tregohet: sepse e mira, kur ndodh, është e heshtur dhe nuk kërkon duartrokitje.

Në një vend ku çdo ditë numërojmë vjedhje të mëdha, tendera, shifra e dosje, një njeri që vrapon pas një të huaji për t’i kthyer portofolin është një luks moral.

Po pse u lodhe?” – e pyeta, më shumë për të thyer heshtjen.
Ai buzëqeshi lehtë dhe m’u përgjigj thjesht, tironçe:
Ne na ka ik barra e vajit. Ç’punë kemi me paratë e tjetrit?

Në atë çast, fjala e tij peshonte më shumë se çdo koment, më shumë se çdo editorial. Sepse kishte brenda një të vërtetë të vjetër: askush s’ka bërë hajër me paranë e huaj.

Dhe Aliu, mes librave të tij, vazhdoi ditën si gjithmonë, pa bujë, pa kamera, duke i dhënë qytetit një mësim që nuk shitet nëpër media, por mbetet, si një faqe e mirë e palexuar ende.


Hasan SOKOLI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *