Tuesday

16-12-2025 Vol 19

Çështja e arit monetar të Shqipërisë sipas Konferencës së Londrës

Në Librin e Arben Putos “Shkrime të zgjedhura” e gjejmë me vend të riprodhojmë një temë interesante siç është ajo e arit shqiptar e grabitur nga nazistët dhe transferuar në Londër pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. I ndjeri profesor Arben Puto si një jurist i tw Drejtës Ndërkombëtare i ka kushtuar një kapitull të veçantë kësaj teme në shkrimet e tij. Ja se çfarë shkruan ai në fillim të këtij shkrimi:- Në Londër prej 2 deri më 4 dhjetor 1997, u mbajt një konferencë ndërkombëtare, ku morën pjesë përfaqësues të 41 shteteve, si dhe të një numri shoqatash, kryesisht izraelite. Në Konferencën e Londrës mori pjesë edhe një delegacion shqiptar. Në përbërje të tij është edhe profesor Arbeni. Ai për këtë Konferencë ka dhënë intervistë për gazetën “Koha Jonë” dhjetor 1997, ku është pyetur ndër të tjera “Cila ishte tema e konferencës?”Përgjigjet Arben Puto:_ Konferenca fillimisht, përcaktoi si temë “arin nazist”, d.m.th arin e grabitur nga nazistët gjermanë në vende të ndryshme të pushtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po, gjatë vazhdimit të Konferencës, kuadri u zgjerua, u kapërcyen kufijtë e temës, siç ishin përcaktuar në fillim, dhe Konferenca u la vend parashtresave të ndryshme mbi barbarizmat naziste dhe grabitjet e shumëllojshme të nazistëve në vende të ndryshme gjatë viteve të luftës. Dihet se viktima të gjenocidit nazist kanë qenë në mënyrë të veçantë hebrenjtë, por nuk kanë qenë të vetmit. Aty u kujtuan shfarosjet në masë të shumë popullsive civile në kampet e përqendrimit si dhe gjatë zhvillimit të luftimeve. Një karakteristikë tjetër në Konferencë ishte se aty kishin ardhur studiues dhe ekspertë, të pavarur, të cilët parashtruan rezultatet e punës së tyre kërkimore. Kështu e fillova dhe unë ndërhyrjen time në konferencë, thashë se nuk jam person zyrtar, jam një studiues dhe fusha ime është e Drejta Ndërkombëtare. Në këtë cilësi më është kërkuar nga Ministria e Jashtme të vij të parashtroj pozicionin shqiptar, ashtu siç del ai nga trajtimi i çështjes së arit monetar të Shqipërisë në dy aspekte e saj, në aspektin historik dhe atë juridik. Është fjala për arin monetary, d.m.th. për arin e Bankës Kombëtare. Pas kapitullimit të Italisë Shqipëria, siç dihet, u okupua nga trupat hitleriane në vjeshtë të vitit 1943. Nazistët gjermanë u përpoqën që të jepnin përshtypjen sikur çështjet e brendshme, përfshirë këtu edhe financat, do të ishin tani e tutje kompetencë e eskluzive e shtetit shqiptar. Nazistët deshën të bënin një lojë, edhe pse mjaft e trashë, duke shpallur se Shqipëria tani e tutje ishte e çliruar, e pavarur dhe sovrane. Mirpo, nga ana tjetër, pavarësisht nga këto lodra spekulative, makina ushtarake gjermane kishte nevojë për fonde. Kjo i shtyu nazistët të vidhnin e grabisnin lloj-lloj mjetesh financiare ose pasurish të tjera, në të gjitha vendet që futën nën sundimin e tyre. Kështu u bë në Shqipëri. I mplotëfuqishmi gjerman për Evropën Juglindore Neubacher, kërkoi në shtator 1943, pra menjëherë pas pushtimit, që bankonotat shqiptare dhe depozita e arit monetar shqiptar që ndodheshin në Bankën e Italisë në Romë, të viheshin në dispozicion të nevojave të luftës. Sasia e arit që arrinte në 2,5 tonelata, u transportua me avion të posaçëm dhe u depozitua në Reichbank. Të dhënat lidhur me arin monetar shqiptar kanë qenë të qarta dhe të plota dhe kjo lehtësoi shumë identifikimin e tij menjëherë pas mbarimit të luftës. Kjo ishte arsyeja që edhe organi i posaçëm i krijuar për këtë pas mbarimit të luftës, Komisioni Trepalësh (SHBA, Britani, Francë), vendosi se kjo sasi ari i përkiste Shqipërisë. Në bazë të po këtij vendimi, ai do të kthehej në masën 63/%, ashtu sikurse u bë edhe për të gjitha vendet e tjera që u grabitën gjatë luftës. Megjithatë ari nuk iu kthye menjëherë Shqipërisë, qoftë edhe në sasinë e lartpërmendur. Çështja u lidh me incidentine Kanalit të Korfuzit që ndodhi në tetor 1946, kur 4 luftanije britanike ndeshën në mina dhe 44 marinarë anglezë gjetën vdekjen. Pala britanike akuzoi Shqipërinë duke thënë se minat ishin në pjesën shqiptare të ujrave dhe pra, autoritetet shqiptare nuk mund të mos ishin në dijeni për vendosjen e minave. Pala shqiptare, nga ana e saj, refuzoi çdo përgjegjësi, duke thënë se nuk kishte kurrfarë dijenie. Kështu lindi konflikti anglo-shqiptar lidhur me incidentin e Kanlit të Korfuzit, një temë kjo mjaft e rrahur në literaturën juridike ndërkombëtare. Çështja kaloi fillimisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pastaj në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Pas një debati të gjatë kjo Gjykatë, në vitin 1949, e quajti Shqipërinë përgjegjëse për ndodhinë dhe madje e dënoi që të paguante dëmshpërblimet për viktimat dhe dëme material. Shqipëria nuk e njohu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, rezistoi të pranojë përgjegjësinë e saj dhe hodhi poshtë kërkesën për dëmshpërblime. Këtu hyn ari monetar, për të cilin u vendos të bllokohej derisa konflikti anglo-shqiptar të gjente një zgjidhje. Ndryshimet në Shqipërinë e viteve 1990-të u pasqyruan edhe në fushën e politikës së jashtme. Qeveria e re e njohu përgjegjësinë për incidentin e Kanalit të Korfuzit, njohu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, dhe kjo hapi rrugën për marrëveshjen me Britaninë e Madhe, më 1992. Por duhet theksuar se pati pretendime edhe nga SHBA për pasurinë e shtetasve amerikanë që u shtetëzuan këtu pa Luftës së Dytë Botërore. U gjet edhe për këtë një zgjidhje, me një marrëveshje që u përfundua më 1995. Për ta mbyllur kapitullin, Franca, fuqia e tretë e Komisionit Trepalësh, lëshoi një deklaratë çinteresimi dhe kjo i hapi rrugën për kthimin e arit monetar Shqipërisë, gjë që dhe u bë në tetor të vitit 1996. Siç tha ministri i Jashtëm Britanik Robin Cook në Konferencë, mbetet ende për t’u trajtuar çështja e një sasie të arit monetar që ndodhet në dispozicion të Komisionit Trepalësh. Kjo sasi ai-u tha në konferencë, mbahet në Bankën e Anglisë dhe në Federal Reserve të SHBA. Del pyetja: “çduhet bërë me këtë sasi ari? Janë rreth 5.5 tonelata ari që mund të arrijnë në rreth 60 milionë dollar me kursin e sotëm të këmbimit. Ëhstë hedhur ideja që kjo shumë të ndahet në dnihmë të viktimave të të barbarisë naziste, veçanërisht të atyre që janë sot në moshë të thyer. Siç u tha, viktimat kanë qenë izraelitët gjithandej në Evropë, por shumë delegatë sollën dëshmi të holokaustit nazist edhe në vendet e tyre. Pyetja shtrohet edhe në rastin tonë: ç’qëndrim do të mbajë Shqipëria në këtë çështje? Asaj i duhet ndihmë për veten, Shqipëria nuk është sot në gjendje të dhurojë. Rrjedhimisht, Shqipëria pret të marrë pjesën që i përket nga kjo sasi ari monetar që ndodhet sot në dispozicion të Komisionit Trepalësh, përsëri në përpjestim me humbjet që ka pësuar.Megjithëse kanë kaluar shumë vite nga kjo intervistë e dhënë në gazetën “Koha Jonë” në vitin 1997-të, dhe kanë dalë fakte të tjera që e balancojnë pozicionin e Shqipërisë në incidentin e Kanalit të Korfuzit, nuk kemi një prononcim të shtetit shqiptar të sotëm e të djeshëm për këtë temë.

Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *