Nga Mustafa NANO
Dje, në Lushnjë e Fier janë hedhur fishekzjarre për të celebruar vendimin e GJK-së për ta kthyer Ballukun në detyrën e zv.kryeministres. Festuan që u kthye në detyrë një zv.kryeministre, ndaj së cilës ka një akuzë të rëndë!!! Një ngjarje skandaloze që nxjerr në shesh një mendësi e moral mafioz. Në vend se të festonin vendimin e GJK-së, socialistët do duhej t’i kërkonin Ballukut dorëheqjen. Vetë Rama duhej t’ia kërkonte i pari, që në krye të herës, para se ta çonte çështjen në GJK prej shqetësimit se qeveria na paskësh mbetur pa zv.kryeministër!!! Gjykata nuk mori vendim që qeveria të mbetej pa zv. Kryeministër. Gjykata mori vendim që Balluku të mos jetë më zv. Kryeministre. Dhe ky vendim, me që ra fjala, nuk është hiç i çuditshëm, siç lë të nënkuptohet Rama. Ky është një vendim që e parashikon Kodi ynë i Procedurws Penale (shih nenin 240, pikën 1/a). Por – edhe njëherë, pasi kjo është e rëndësishme – ne mbetëm pa zv. Kryeministër jo për shkak të gjykatës, por për shkak të Ramës, që mendon se ai post, gjallë vdekur, i takuaka Ballukut.
Të kuptohemi, ai duhej ta largonte Ballukun, jo sepse ajo ishte fajtore. Jo, ne këtë nuk e dimë. E gjitha mund të jetë edhe një poshtërsi që bëhet mbi kurrizin e saj. Për këtë arsye, do bënim mirë ta merrnim në mbrojtje prej atyre që e kanë zanat t’u bëjnë të tjerëve gjyqe popullore. Por në të njëjtën kohë, duhet t’i kërkojmë dorëheqje, së pari sepse nuk kemi pse të mbajmë në post dikë që është i akuzuar, e së dyti sepse çdokush duhet të përballet me akuzat si gjithë të tjerët: si qytetar i lirë.