Sunday

14-12-2025 Vol 19

Ataturku, shpëtimtari i Turqisë (Pjesa II)

Me marrjen e lajmit nga Turqia për t’u kthyer në atdhe, Mustafa Qemali la komandën dhe u nis nga Franca, Austria dhe Rumania, përmes Detit të Zi. Në Stamboll mbërriti në javën e parë të dhjetorit. Çdo gjë e gjeti në kaos: ushtritë turke ishin shpartalluar në të gjitha frontet. Vetëm komandanti i flotës, Raufi, kishte mundur të nxirrte kryqëzorin “Hamidiye” dhe t’i shpëtonte bllokadës në grykën e Dardaneleve. I ndjekur nga anijet armike, ai i kishte rënë rrotull Detit Egje.

Mustafa Qemali kërkoi menjëherë të merrte vesh për shtëpinë. Mori lajme nga Selaniku i tradhtuar: grekët kishin vrarë të gjithë civilët turq dhe kishte plaçkitje nëpër gjithë vendin. Më në fund, arriti të gjente nënën dhe motrën, Makbullen, në një nga kampet e refugjatëve. Pasi i sistemoi ato, ai u paraqit në Ministrinë e Luftës. E emëruan në gadishullin e Galipolit si shef i shtabit të një divizioni që mbante linjën e fortifikimit përballë Bulairit, përtej qafës së gadishullit. Bëhej fjalë për mbrojtjen e Dardaneleve nga bullgarët.

Bullgarët, të udhëhequr nga gjenerali Sava Savof, sulmuan sapo Mustafa Qemali kishte mbërritur në Bulair. Beteja ishte e ashpër dhe u ndal vetëm nga një armëpushim përgjatë gjithë fronteve. Fuqitë e Mëdha thirrën një Konferencë Paqeje. Shtetet e Ballkanit kërkuan që e gjithë Turqia evropiane, përveç Stambollit, t’u dorëzohej atyre për t’u ndarë mes tyre. Bullgarët këmbëngulën për rrethimin e menjëhershëm të Adrianopolit. Turqit ishin të përçarë: disa, nën vezirin e madh Qamil Pashën, ishin për paqe me çdo kusht; të tjerë, ish-oficerët e Rinj, nuk donin të dorëzoheshin.

Në këtë situatë, Enveri u kthye nga Tripoli, mblodhi komitetin “Bashkim e Përparim”, grumbulloi oficerët e rinj rreth vetes dhe marshoi drejt Portës së Lartë. Ai hyri në mbledhjen e kabinetit, vrau Nazim Pashën, ministrin e Luftës, dëboi Qamil Pashën me ministrat e tjerë dhe, nën kërcënimin e revolverit, mori kontrollin e komitetit. Së bashku me Talatin, Xhemalin dhe Mahmud Shefqetin si Vezir i Madh, shtypi kryengritjet dhe refuzoi kushtet e paqes me shtetet ballkanike.

Por ishte thelbësore të shpëtonte Adrianopolin nga rrethimi bullgar. Enveri kishte hartuar një plan, të cilin Mustafa Qemali e kundërshtoi: megjithëse dukej i mirë në letër, detajet nuk ishin përpunuar si duhet. Plani dështoi dhe Adrianopoli ra. Qeveria e Enverit u detyrua të nënshkruante të njëjtat kushte si ato të Qamil Pashës.

Mustafa Qemali u kthye në Stamboll. Turqia ishte e rrënuar dhe e mundur, ndërsa armiqtë po ndanin territoret e saj. Enveri, sërish në veprim me një trimëri të paparë, nisi marshimin drejt Adrianopolit pa bërë asnjë deklaratë lufte. Ndërkohë, Mustafa Qemali, pas betejave, jetonte me nënën dhe motrën, i papunë e i pakënaqur. Politikanët e shihnin me më pak konsideratë se më parë. Talati dhe Xhemali ishin bërë ministra; Enveri ishte shndërruar në personazh ndërkombëtar, ishte martuar me një princeshë dhe jetonte në luks.

Ai kishte plane të mëdha: të mblidhte të gjithë popujt myslimanë nën kalifin e sulltanit dhe të bashkonte popujt turqishtfolës përreth Turqisë, për të ringjallur lavdinë osmane. Gjermanët e shihnin si aleatin e tyre.

Sapo mori vesh se Enveri do të fuste këshilltarët gjermanë në ushtri, Mustafai shpërtheu: “Është çmenduri t’u lejohet gjermanëve të kontrollojnë ushtrinë, bazën e jetës sonë. Ne turqit duhet t’i bëjmë vetë punët tona. Është fyerje t’u bësh ftesë prusianëve!”. Ai u takua me Talatin, i shkroi Enverit një letër (pa marrë përgjigje), dhe më pas u takua me mikun e vjetër, Fetiun, i cili i sugjeroi të shkonte në Sofje.

Në Bullgari u miqësua me ish-armikun e tij, gjeneral Savovin, të cilin e respektonte për trimërinë në Bulair. Pozita e atasheut ushtarak i jepte privilegje diplomatike. Mësoi të kërçente, frekuentoi ekspozita dhe u bë i njohur në shoqëri. Ndërsa koha kalonte ndër qejfe e ahengje, afrohej Lufta Botërore. Në kufirin me Serbinë u vra Arqiduka. Turqia iu bashkua Gjermanisë. Mustafa Qemali besonte se qëndrimi asnjanës do t’i shërbente më mirë vendit, por vendimi ishte marrë.

Ai kërkoi nga Enveri një pozicion më të mirë, por iu tha të qëndronte në Bullgari. Në shkurt 1915, Mustafai iku pa leje, për të mos mbetur jashtë zhvillimeve. U thirr urgjent në Stamboll. Haki Pashë Topalli, nëngjeneral që nuk e pyeste shumë Enverin, kishte nevojë për oficerë. Anglezët kishin tentuar dy herë të kapnin Dardanellet me flotën e tyre. Haki Pasha kishte krijuar bindjen se Mustafa Qemali ishte oficer i aftë, që nuk përzihej me politikë, ndaj i dha komandën e trupave të pjesës jugore të gjysmës së gadishullit të Galipolit.

Anglezët mund të zbarkonin me tetëdhjetë mijë trupa nga Egjipti në një vijë bregdetare prej 52 miljesh. Liman von Sanders, që kishte 60 mijë ushtarë, i ndau në tri grupe prej nga njëzet mijë vetash dhe i vendosi nëpër gadishull. Ky gjeneral gjerman, i njohur që nuk e komplimentonte askënd, thoshte për Mustafa Qemalin: “Një oficer i shkëlqyer… një udhëheqës”.

Një urdhër i Enverit për transferimin e Mustafait në Maidos e trishtoi von Sandersin, por urdhri duhej zbatuar. Mustafai u mërzit, por kuptoi që gjenerali gjerman kishte besim tek ai. Pas kësaj, ai ndryshoi qëndrim: la mënjanë grindjet dhe i hodhi të gjitha energjitë në punë.

Sulmi anglez filloi të dielën e 25 prillit. Flota u shfaq në veri të gadishullit, në Bulair; një tjetër sulm në jug; goditja kryesore në qendër, nga australianët. Mustafa Qemali ishte në pozicion kyç. Në qershor zbuloi një pikë të dobët të vijës armike dhe më 28 qershor përgatiti sulmin final. Enveri vuri veton, duke e quajtur të parsyeshëm: “Mustafa Qemali duhej të kishte marrë miratimin e autoriteteve”. Mustafai u zemërua thellë. Von Sanders u përpoq ta bindte Enverin që ta hiqte veton. Kur kjo ndodhi, Enveri urdhëroi një sulm të pamenduar dhe Regjimenti i 18-të u fshi.

Qazimi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, e telefonoi Mustafain:

“Ç’mendim ke për situatën?”

Vendosni gjithçka nën komandën time! Kaq?” – i tha Qazimi me sarkazëm. “A nuk janë shumë për ty?”

Sulmi i 6 gushtit, i përgatitur nga Mustafai kundër anglezëve, ishte shpresa e fundit. Turqit i kishin detyruar anglezët të zbrisnin poshtë Hoxha Çeminit. “Mos shpejtoni, djem!” – thoshte ai.

“Ne do të veprojmë në momentin e duhur, dhe unë do të jem në ballë. Kur të ngre dorën e djathtë, ndiqni me bajonetat gati.”

Para agimit, të gjitha armët turke hapën zjarr. Në orën 3 të mëngjesit, Mustafai doli nga llogoret dhe eci përpara. Një plumb i theu orën, por ai mbeti i paprekur.

Për tre muajt e ardhshëm, Mustafa Qemali, tashmë pashë, mori komandën e frontit të Anafartës. Në dhjetor 1915, anglezët ndërprenë luftimet dhe u larguan. Ushtria turke mbeti një forcë e dobësuar, e aftë vetëm për patrullime. Mustafa Qemali u kthye në Stamboll, i mbushur me ndjenjën e rëndësisë së vet. Tani ishte dikush që duhej marrë parasysh. Gazetat e quanin “Shpëtimtari i Dardaneleve dhe i kryeqytetit”. Ai kishte fituar një reputacion ushtarak që nuk mund të injorohej më. Përkundrazi, politikanët tani do të detyroheshin ta dëgjonin: ai kishte për të imponuar pikëpamjet e tij mbi këta njerëz të vegjël, si minj. Dhe kështu do të kishte dorë në qeverisjen e vendit.

(vijon…)


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *