Sunday

14-12-2025 Vol 19

Ataturku – gjeniu që rilindi kombin turk (Pjesa I)


Mustafa Qemal Ataturkut, ishte djali i Ali Rizait dhe i Zubidejës, të cilët bënin një jetë të varfër, por, megjithatë, me dinjitet…, në një nga lagjet turke të Selanikut. Jeta e nënës së Mustafa Qemalit ishte përqendruar, si tek të gjitha gratë turke, te burri dhe djali. Një djalë tjetër i kishte vdekur qysh në lindje dhe ajo kishte edhe një vajzë, me emrin Malbule. Zubideja e kishte llastuar shumë djalin e vetëm, Mustafanë, por ai nuk ia kthente përkëdheljet. Ishte djalë i heshtur, i mbyllur në vetvete, i dobët, kockë e lëkurë, me sy blu të çelët.

S’kaloi shumë kohë dhe Ali Rizai vdiq. Tregtia e drurit nuk nxirrte më para. Familja mbeti pa asnjë kacidhe, kështu Zubideja u detyrua të shkonte te i vëllai, i cili kishte ca tokë në Lazasan. Djaloshi nëntëvjeçar filloi të punonte si stallier, për të ndihmuar familjen. Dukej se jeta e ashpër po e burrëronte. Daja i sugjeroi të futej në ushtri, sepse nipi i dukej një djalë i vështirë për të mësuar zanate. Më mirë ta dërgonin në Shkollën Ushtarake të Kadetëve në Selanik, e cila subvencionohej nga Sulltani dhe nuk u kushtonte asgjë. E ëma nuk pranonte, por i biri nguli këmbë. Propozimi i dajës e kishte bërë punën. Pa i treguar askujt, gjeti një ushtarak të vjetër, mik të babait, që t’i hynte garant para autoriteteve të shkollës. Kështu iu nënshtrua provimit dhe fitoi si kadet, përpara se e ëma të gjente ndonjë pengesë.

Në Shkollën e Kadetëve ai gjeti vetveten. Pati sukses, por prapëseprapë mbeti i mbyllur dhe i pashoqërueshëm. Asnjë nga djemtë nuk guxonte të shoqërohej me të. Ai filloi të dilte në krye të klasës, duke marrë nota të larta. E kishte ndarë mendjen: do të bëhej patjetër dikush. Miqësia dhe përkrahja e kapiten Mustafait nuk i bënë mirë. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare mbaroi me sukses Shkollën e Kadetëve dhe u dërgua në Shkollën e Lartë Ushtarake në Manastir.

Në Manastirin plot pluhur dhe konflikte, Perandoria Osmane po jepte shpirt. Pakënaqësia ziente kudo. Sulltan Abdyl Hamiti, Dhelpra e Kuqe, kishte frikë nga të vetët dhe nga të huajt. Ai shtypte çdo ide të re dhe refuzonte çdo reformë. Kishte mbushur gjithë Perandorinë me një rrjet spiunësh, saqë kur tre veta bisedonin, një i katërt i përgjonte dhe raportonte. Ballkani, sidomos Manastiri, ishte si fitil gati për t’u ndezur.

Mustafa Qemali shkonte me pushime te e ëma në Selanik, por mundohej të rrinte larg shtëpisë, sepse ajo ishte martuar me një tregtar të pasur nga Rodosi. Ai e kundërshtoi këtë martesë me arrogancë. U zënë rëndë dhe që prej asaj dite ai nuk deshi as ta njihte, e jo më t’i fliste njerkut. Kur ishte në Selanik, shpesh kalonte kohë me disa murgj domenikanë që i mësuan frëngjishten. Kishte bërë shok edhe një djalë të urtë, Fetinë, një maqedonas nga Ohri. Së bashku e përpinë gjithë literaturën revolucionare që mund të gjenin: Volterin, Ruso, shkrimtarët francezë dhe gjithë “politikën ekonomike” të Hobsit dhe Xhon Stjuart Millsit. Këta ishin libra të ndaluar; po të kapeshe me ta, futeshe në burg. Ky rrezik e bënte leximin edhe më të vlefshëm. Mustafa Qemali praktikonte oratorinë dhe ua impononte këtë kadetëve.

Në moshën 20-vjeçare u gjend në metropolin e Perandorisë dhe u zhyt në jetën e pisët të Stambollit, mes bixhozit dhe pijes në kafene e restorante. Me gratë ishte i palodhshëm, nuk përmbahej deri sa t’ia arrinte qëllimit. Nuk binte në dashuri me asnjërën prej tyre: gratë në jetën e tij ekzistonin vetëm si seks. Papritur hoqi dorë nga kjo dalldi dhe u përqendrua në punë me të njëjtën energji. Tani suksesi ishte në dorën e tij. Në Turqi çdo njeri vinte nga hiçi dhe ecte me këmbët e veta. Mustafai kaloi të gjitha provimet shkëlqyeshëm dhe u përzgjodh në kursin special të Shtabit të Përgjithshëm. Edhe këtë e kaloi shkëlqyeshëm dhe në janar të vitit 1905 u gradua kapiten, me ngritje të përshpejtuar.

Në Manastir ai u mor me politikë. Në brezin e ri të oficerëve vlonte ndjenja e protestës kundër despotizmit shpirtkazëm të Sulltanit dhe ndërhyrjes së shteteve të huaja. Në kolegj kishte një shoqatë revolucionare, “Vatani” ose “Atdheu”. Ajo botonte një broshurë që qarkullonte fshehurazi, ku sulmoheshin të gjitha aspektet e jetës turke. Mustafa Qemali hyri në “Vatan”. Ai shkroi artikuj të guximshëm dhe poezi të ndezura. Pasi mbaroi provimet me sukses dhe priste emërimin, mori përsipër udhëheqjen e shoqatës. Gjithë kohës ishte nën mbikëqyrjen e policisë. Më në fund e futën në “Burgun e Kuq” të Stambollit, bashkë me anëtarët e tjerë të “Vatanit”. Zubideja, së bashku me të motrën, erdhën nga Selaniku për ta parë, por nuk i lejuan.

Haki Pashai i ofroi bashkëpunim që ai të vihej në shërbim të Madhërisë, por Mustafa Qemali nuk pranoi. E dërguan në Damask, Siri. Regjimentin e gjeti gati për marshim drejt Drusëve, të cilët jetonin gjithmonë në luftë në malet në jug të Damaskut. Ekspedita i dha Mustafait përvojën e parë në shërbim aktiv, por jo kënaqësinë e një ushtaraku të rregullt. Turqit bënin vetëm një gjë: digjnin fshatrat dhe i linin të shkretuara. Në dimër u kthyen në Damask.

Sapo u kthye, Mustafa Qemali u vu në ringritjen e “Vatanit”. Javët në qeli dhe kërcënimet e Haki Pashait nuk e kishin thyer. Organizata u rrit shpejt dhe u përhap në të gjitha garnizonet e Sirisë. Por shokët e lajmëruan se qendra e turbullirave ishte Ballkani. Ai vendosi të shkonte në Selanik, me leje ose pa leje. Në portin e Jaffës, komandanti Ahmet Beu, anëtar i “Vatanit”, e ndihmoi të humbiste gjurmët.

Mustafa Qemali mori urdhër të kthehej menjëherë. Ai u nis sërish nëpër shkretëtirë, në grupe të vogla, duke shmangur patrullat italiane dhe beduinët e armatosur. Kur mbërriti në Tripoli, porti ishte pothuajse i braktisur; anijet turke kishin ngritur spirancën dhe flamuri i gjelbër i Tripolit tashmë varej sërish në duart e fiseve vendase. Udhëtimi i kthimit drejt Anadollit qe i lodhshëm dhe i zymtë. Ndërsa trenat e fundit që e çonin drejt Stambollit shponin me zhurmë male e fusha, ai mësoi se Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria kishin shpallur luftë mbi Perandorinë Osmane. Ballkani po ziente.

Në Stamboll gjendja ishte e dëshpëruar. Ushtria e lodhur nga luftrat e mëparshme dhe e përçarë nga intrigat nuk ishte gati të përballonte koalicionin ballkanik. Qytet pas qyteti ranë në duart e ushtrive fqinje. Shkupi humbi, Manastiri u rrëzua, dhe ç’ishte më e dhimbshmja për Mustafanë: Selaniku, qyteti i rinisë dhe kujtesës së tij, u dorëzua pa luftë. Ai e priti këtë lajm si një therje në zemër. E ndjeu se një epokë kishte marrë fund përgjithmonë.

Megjithatë, ai nuk u dorëzua. Emërohet në komandë të një regjimenti në Çanakale dhe për herë të parë ndodhej në pozita ku mund të merrte vendime vetë. Ishte i disiplinuar, i përqendruar, dhe i bindur se vetëm përgatitja dhe vendosmëria mund të shpëtonin atë ç’kish mbetur nga Perandoria. Në këto vite ai u bë i njohur për ftohtësinë e tij, për aftësinë për të lexuar terrenin dhe armikun, për guximin e matur, jo të verbër.

Në vitin 1913, pas luftërave ballkanike, Enver Pasha u ngrit në pushtet pothuajse si diktator i padeklaruar. Mustafa Qemali u vu në hije, i lënë mënjanë nga klika e “Bashkim dhe Përparimit”. Enveri, Talati dhe Xhemali ndanin pushtetin midis tyre, kurse ai shtyhej nga një post në tjetrin, i toleruar por jo i dëshiruar. Megjithatë, Mustafa Qemali e pranoi këtë me një qetësi të acartë. Ai e dinte se koha po punonte për të. Lufta që po vinte do t’i provonte të gjithë.

Dhe lufta erdhi. Në korrik të vitit 1914 shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Turqia, nën ndikimin e Enver Pashës dhe von Vangeheimit, hyri në luftë në krah të Gjermanisë. Nga kancelaritë evropiane ridëgjohej përsëri opinioni se Perandoria Osmane s’kishte të ardhme dhe se duhej ndarë ndërmjet fitoreve të pritshme.

Mustafa Qemali u emërua komandant i Divizionit të 19-të në Gadishullin e Galipolit. Aty, më 1915, ai gjeti momentin e tij historik. Trupat australiane dhe neozelandeze, të mbështetura nga marina britanike, zbarkuan në bregdet me një fuqi dërrmuese. Ai, me një qetësi të hekurt, dha urdhrin që do të hynte në legjendë:
“Unë nuk ju urdhëroj të sulmoni, por të vdisni. Derisa të vdisni ju, të tjerët do të vijnë dhe do të zënë vendin tuaj.”

Divizioni i tij e ndali avancimin aleat, i thyen me humbje të rënda dhe e shpëtoi Stambollin nga pushtimi i sigurt. Emri i tij u përhap si flakë. Nga një oficer i lënë mënjanë, u shndërrua në hero kombëtar.

Pas Galipolit ai u dërgua në Kaukaz, më pas në Siri, duke komanduar me sukses forcat osmane në frontet më të vështira. Për herë të parë ai kishte prestigj, autoritet dhe besim të plotë te vetja. Ndërkohë, Perandoria po shembjej. Në fund të vitit 1918, paqja e armëve u nënshkrua dhe aleatët hynë në Stamboll. Ushtarët britanikë marshuan nëpër qytet; flota franceze dhe greke ankoroi anijet në Bosfor. Perandoria Osmane u zhvesh nga territoret dhe nga dinjiteti i saj.

Mustafa Qemali e kuptoi se beteja e vërtetë sapo fillonte. Tani nuk bëhej më fjalë për mbrojtjen e një perandorie që po vdiste, por për ringritjen e një kombi që duhej të lindte. Në pranverë të vitit 1919, i emëruar në mënyrë paradoksale nga vetë qeveria e dobët osmane, ai mori rrugën drejt Samsunit. Me të zbarkuar në Anatoli, ai hodhi hapin që do të ndryshonte historinë:

Nuk do të kthehej më kurrë në Stamboll si nënshtetas i një perandorie të rënë. Ai shkeli në tokën e Anadollit si udhëheqës i ardhshëm i një kombi të ri.

Prej asaj dite filloi Lufta e Pavarësisë, e cila do ta çonte Turqinë drejt një epoke të re…, dhe Mustafa Qemalin drejt pavdekësisë si Ataturku…

(vijon…)


 Timoleo GURI 

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *