Lëvizjet e reja politike shpesh shfaqen si një mëngjes i bukur dimri, kur dikujt i mbushet mendja të shpikë një “frymë të re”. Fillimisht disa bëjnë sikur nuk kuptojnë, të tjerë presin që koha t’u japë të drejtë, por me afrimin e festave gjithçka venitet dhe harrohet. E njëjta panoramë po përsëritet me atë që disa analistë e quajnë “Lëvizja e Salianjit”, një dukuri që duket se ka trazuar nervat e liderit historik të opozitës, Sali Berisha. Pyetja që ngrihet është nëse kjo është vërtet risi apo vetëm përsëritje e një skenari të vjetër.
Historia e opozitës shqiptare është mbushur me lëvizje të tilla, të cilat, sapo dalin kundër Berishës, përfundojnë të shndërruara në hi: nga Gramoz Pashko, tek Kalakula, Imami, Pollo, Selami, Basha, Alibeaj e Shehaj, pa përjashtim, të gjithë kanë pasur të njëjtin fat. Nuk mungon as kujtesa e erës së përçarjes Jug–Veri që u mboll në vitin 1997, një plagë që ende nuk është shëruar. Po ashtu, shpallja “non grata” e Berishës duhej të kishte qenë një sinjal i mjaftueshëm për këdo që pretendon risi: nëse ai përballoi edhe përkrahjen e SHBA për Lulzim Bashën, çfarë shanse reale mund të kenë lëvizjet e sotme, që as nuk kanë ide, as mbështetje, as profil politik?
Energjitë që shpërdorohen në këto nisje të rreme politike nuk janë veçse flluska sapuni. Shfaqin fytyra të reja që hyjnë në partitë e mëdha, marrin çfarë munden, qoftë edhe siglën…, dhe dalin të fryrë si gjeldeti, për t’u shfaqur në media për disa muaj, derisa të dalë dikush tjetër që e sfidon kryetarin. Ky rit është kthyer tashmë në një ritual të shëmtuar, që në vend se të dobësojë liderët, i bën ata më monolitë, ndërsa lëvizjet e vogla mbeten thjesht dekor, jo alternativë.
Pikërisht këtu del edhe mesazhi i vërtetë: pranimi i rënies së lirë të opozitës i bën nder vendit. Sepse vetëm kur flluskat e sapunit plasin dhe humbasin shkëlqimin e tyre të momentit, hapet mundësia për të dalë në skenë një opozitë reale, me ide të qarta, me vizion afatgjatë dhe me individë që kanë personalitet politik. Pa këtë proces pastrimi, çdo “lëvizje e re” mbetet një episod i përkohshëm në tranzicionin tonë të lodhur, një iluzion që zhduket sapo fryn era e parë.
Në fund, politika shqiptare nuk ka nevojë për nisje të shpejta, por për pjekuri. E pjekuria nis pikërisht në momentin kur pranojmë se rënia e lirë e opozitës nuk është tragjedi, por parakusht për rilindjen e saj të vërtetë…
Hasan SOKOLI