Sunday

14-12-2025 Vol 19

Skandalet që shkundin Europën, por jo Shqipërinë

Në kohë të turbullta ndodhin çudira të pabesueshme, si këto ngjarjet e fundit me këshilltarin e Zelenskit ose zonjën Mogerini. Është harruar krejt ajo fabula e vjetër “ujku mjegull do”. Dikush tregonte në një koktej se të gjithë ata që u kthyen pronat si ish-kolaboracionistë paskan ditur mirë që pushteti do të ndërrohej, prandaj i nënshkruanin pronat në emër të dhëndurëve e dashnoreve. Bashkëbiseduesi i nxori me emra, dhe mendoni, pas 80 e ca vjetësh! Kjo tregon se “bota i di të gjitha”, edhe sikur t’i kesh fshehur pasuritë në brimë të miut.

Tani të vijmë te realiteti ynë. Pse po e shtyjnë kaq shumë kthimin e parave dhe pasurive të vjedhura nga politikanët, dhe kushdo tjetër që i ka futur duart në xhepat e popullit? Me të tilla akuza kemi baltosur edhe figurat e urta të pavarsisë: Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën. Të paktën të dilte një hetues a prokuror që t’i thoshte “të bardhës së bardhë e të zezës të zezë”. Por, me ç’po duken bathët, jemi kilometra larg këtij realiteti.

Në Ukrainë, del burri i botës në mes të luftës dhe shpërdoron besimin e popullit, të çështjes, sikur të thoshte: “Ik tutje, se do vjedh, o sot o kurrë!”. Një nga shkaqet që e çoi Ukrainën në këtë derexhe ka qenë korrupsioni galopant ndër vite, flasim për 25 vjet e këtej. Zonja tjetër nga Italia? Akoma më keq! Sa e sa herë fenomeni është shfaqur në shkallën më të lartë të BE-së? Ç’duhet më që ajo ngrehinë gjigante të reagojë si një dinosaur i ngadaltë për të menaxhuar fondet e veta, ndërkohë që me qindra ekspertë mezi ofrojnë një kothere fonde për vendet që aspirojnë të futen në familjen e madhe europiane? Halet e çdo shteti i shohim, i lexojmë përditë, por vjedhjet, jo!

Zhgënjimi i popujve të emancipuar ndaj elitave drejtuese të organizmave ndërkombëtarë do të sjellë një reaksion të jashtëzakonshëm në ditët që vijnë. Kjo u jep krahë forcave euroskeptike dhe frymës së “Brexit-it”, gjë që do e thellojë edhe më shumë krizën europiane.

Po ne, në Shqipëri, çfarë na mbetet këtej e tutje? Zor se kemi për të reflektuar mbi fenomenin e vjedhjes, që ka kapur çdo skaj të jetës publike. Lodhja dhe pritshmëria e popullit nga lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar është drejtuar me mjeshtëri, derisa është kthyer në një gjumë të trashë kolektiv. Vetëm faktorët e prodhimit dhe ikja masive e krahut të ri të punës mjaftojnë për të treguar krejt përmasën e këtij krimi të heshtur, që ka një emërues të përbashkët:

Vënien në narkozë mediatike të opinionit publik… Dhe kur opinioni fle, vjedhja zgjohet dhe bën ligjin.


Hasan SOKOLI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *