Sunday

14-12-2025 Vol 19

Ramadan Zaskoci: Pushka që s’u ble dhe zemra që s’u dorëzua…

Ramadan Zaskoci


Fshati Mamëz i rrethit të Kukësit ka qenë vendbanimi i familjes së Selman Brahës, prej së cilës ka dalë patrioti, prijësi popullor i vegjëlisë lumjane, Ramadan Zaskoci, që hyri në histori me të shtënat e kapaklisë në vitin 1878, kur kreu aksionin e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Selman Braha ishte bir i një malësori të thjeshtë, i njohur për trimëri në luftë kundër pushtuesve osmanë. Për shkak të një gjaku, më 1859 u detyrua të largohej dhe të vendosej në Zaskoc, fshat shqiptar afër qytetit të Ferizajt, me të shoqen Humen dhe djalin 5-vjeçar, Rexhën.

Selman Braha mori pjesë në kryengritjen e Fushë-Ferizajt më 1860; u shqua për guxim e trimëri të rrallë, por kryengritja u shtyp. Në fshatin Zaskoc u bënë reprezalje e arrestime, mes tyre edhe Selman Braha me të shoqen Humen, të cilët u dërguan në burgun e Prishtinës.

Jeta në burg ishte e rëndë: jo vetëm që torturohej, por nuk merrte asnjë lajm për të shoqen Humen, e cila në atë kohë ishte shtatzënë. Në qelinë e burgut të Prishtinës, mes hekurave me tela me gjemba, në mesin e shtatorit 1860, Huma lindi djalë, të cilit i vunë emrin Ramadan, ndërsa mbiemrin Zaskoci në respekt të fshatarëve të Zaskocit.

Kur doli Selmani nga burgu shkoi në Zaskoc; u prit me ngrohtësi dhe u ndihmua për rindërtimin e shtëpisë së djegur nga forcat turke. Edhe aty Selmani bënte një jetë të vështirë ekonomike. Kurrë nuk siguronte bukën e vitit, mbi të rëndonin edhe taksat e shumta.

Për edukimin e Ramadanit në fëmijëri u kujdes nëna e tij, Huma. Ajo i tregonte histori të rralla për luftërat e lumjanëve nën udhëheqjen e Mahmut Dac Kalisit kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit. Ramadani i ndiqte dhe i regjistronte me vëmendje tregimet e saj.

I ati, Selmani, nga mungesa e sigurimit të bukës punonte me djalin e madh, Rexhën, nëpër familje të pasura në Fushë-Ferizaj, ndërsa Ramadanin 8-vjeçar e pajtoi si hyzmeqar.

Për shkak të varfërisë dhe vuajtjeve, Selman Zaskoci u detyrua të shiste tokë e shtëpi në Zaskoc në pranverë të vitit 1875 dhe të kthehej në Mamëz, duke lënë hyzmeqar Ramadanin në Zaskoc, i cili pas shumë përpjekjesh arriti të pajtohej si çirak te pronari i një kafeje në lagjen Marash të Prizrenit më 1876. Lokali ishte afër kalasë; pranë tij buronte ujë i ftohtë. Në afërsi ishte edhe ndërtesa e postë-telegrafës. Lokali ku punonte Ramadani frekuentohej shumë nga nëpunësit e administratës turke, nga banorë të Lumës që vinin për pazar në Prizren, si dhe nga udhëtarë të shumtë nga Malësia e Gjakovës, Prishtina, Shkupi, Tetova, Bullgaria dhe Turqia.

Ramadan Zaskoci, 18-vjeçar, gjatë viteve 1876-1878 u njoh me shumë patriotë e prijës popullorë lumjanë si: Shaqir Palushin, Hoxhë Cakën, Ymer Sulën, Halim Bardhocin, Shaban Lumën, Bajram Gjanën, si dhe me Ymer Sulejman Prizrenin, Ahmet Koronicën, Shuaip Spahiun etj.

Ramadani, ndonëse i pashkolluar, por me zgjuarsi të rrallë natyrore, u burrërua para kohe dhe shumë shpejt u bë aktivist e luftëtar i vendosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e 10 gushtit 1878, Abdyl Frashëri bëri thirrje të bashkoheshim si vëllezër të vërtetë, të rrokim armët për të mbrojtur e për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë toke. Dega e parë e Lidhjes u krijua në Prizren; kryetar u zgjodh Ymer Sulejman Prizreni, anëtarë Shuaip Spahiu e Ukshin Berisha e të tjerë, të cilët grumbulluan rreth vetes shumë aktivistë, mes tyre edhe Ramadan Zaskocin.

Lidhja i ngarkoi Ramadanit disa aksione shumë të rëndësishme me karakter politik e ushtarak, si edhe ekzekutimin e disa vendimeve të mëparshme të saj.

Kongresi i Berlinit i 13 Qershorit 1878 vendosi copëtimin e truallit amtar në favor të shteteve shoviniste të Malit të Zi e Serbisë dhe mohoi qenien e kombit shqiptar. Më 18 qershor 1878 shpërthyen protesta kundër vendimeve. Këshilli i Lidhjes vendosi të vendoste njerëz besnikë të saj në postë-telegrafë për ta informuar atë në çdo moment.

Porta e Lartë, për të zbatuar vendimet e Kongresit të Berlinit, dërgon Mehmet Ali Pashën, i cili arriti në Prizren më 19 gusht 1878, por u prit ftohtë. Ai kishte marrë me vete telegrafistin personal, Sokrat Argjiriadhin, që kryente ndërlidhjen në gjuhën frënge. Dega e Lidhjes mori vendim për likuidimin fizik të telegrafistit, dhe kjo detyrë iu ngarkua djaloshit 18-vjeçar lumjan, Ramadan Zaskocit.

Në mëngjesin e 27 gushtit 1878 Ramadani shkon në punë. Në lokal takohet me dy shokët e tij lumjanë; u tregon planin, vendin dhe orën e takimit. I porosit të ndërrojnë veshjen dhe të armatosen. Sapo i përcolli shokët, vjen drejtori i postë-telegrafës bashkë me telegrafistin e Mehmet Ali Pashës. Drejtori e njeh Ramadanin me telegrafistin dhe me lëvizjet që do të bënin gjatë ditës.

Ramadani u vesh lumjançe, ngjeshi brezit një kapaklie dhe një çelinë pushke shqiptare që mbushej nga gryka. Pasi u bashkua me shokët, u nis drejt vendit të caktuar. Në orën 15:00, para fillimit të mbledhjes së Mehmet Ali Pashës, Ramadani me dy shokët, para ndërtesës së postë-telegrafës, takohet ballë për ballë me telegrafistin; nxjerr kapaklinë, merr shenjë dhe e vret. Kjo ishte pushka, sinjali, aksioni i parë politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ramadan Zaskoci qe organizatori, atentatori dhe mori gjithë përgjegjësinë mbi vete.

Për këtë ka shkruar historia dhe populli e ka përjetësuar në këngë:


Më 27 gusht sahati tre,
Në Prizren kish ra rrufe;
Me të shtënat e kapaklisë,
Ish vrarë telegrafisti i Turqisë;
E kish vra një trim lumjanë,
Ramadan Zaskoci i kishin pas thanë.

Lajmi mori dhenë. Mehmet Ali Pasha u trondit dhe Porta e Lartë dha urdhër të rrethohej i gjithë Prizreni e të kapeshin atentatorët. Por Lidhja kishte marrë masat; i përcolli për Lumë. Një natë fjetën në shtëpinë e Shaqir Ali Zhurit; të nesërmen u përcollën në malin e Koritnikut te Halim Bardhoci.

Ky aksion tronditi qeverinë osmane dhe tërhoqi vëmendjen e Fuqive të Mëdha, të cilat u bindën se populli shqiptar ishte i vendosur të mbronte me çdo kusht truallin e vet. Në Prizren punonte si tregtar edhe Balto Tarabullusi (shkodran). Ky dinte gjermanisht dhe hyri në shërbim të konsullatës austro-hungareze; u përdor si agjent për informacione kundër Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në zbatim të vendimeve të Lidhjes për ekzekutimin e spiunëve dhe tradhtarëve, në mbrëmjen e 12 gushtit 1880, Ramadani me të vëllanë dhe çetën e tij i shkuan në shtëpi Balto Karabullusit. Filloi pushka nga të dy palët. Ramadani vrau Balton bashkë me të shoqen. Pasi kreu këtë aksion, nisi vëllanë e tij Rexhën për në Mamëz.

Forcat turke rrethuan fshatin Mamëz, në veçanti shtëpinë e Ramadanit. Forcat turke, te porta, thërrisnin: “Dorëzohuni, jeni të rrethuar, s’keni nga shkoni, vdekja ju pret, do t’ju djegim me gjithë shtëpi!”. Rexha u përgjigj: “Jemi shqiptarë, nuk dorëzohemi të gjallë. Vini flakën shtëpisë!”, dhe pushka filloi. Nga shkëmbimi i zjarrit, Rexha u vra në dhomë. Nëna e tij, Humnaja, mori pushkën e djalit, hapi derën, doli në oborr duke qëlluar; vrau, por edhe ajo u vra nga plumbat e ushtarëve turq. Sapo mori vesh, Ramadani erdhi në shtëpi, por gjithçka kishte marrë fund. U trondit nga kjo ngjarje tragjike, por dhimbja nuk e mposhti; përkundrazi, ai vazhdoi edhe më me forcë luftën kundër pushtuesve osmanë.

Në Lumë rol të rëndësishëm në luftën kundër pushtuesve të huaj kanë luajtur edhe mbledhjet e “Dheut”. Në këto mbledhje merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinës. Ato kishin të drejta dhe detyra: zgjidhnin një kryesi prej 18 burrash, me pleqtë më të urtë, me trimat dhe me më të zotët e fjalës, mendjes dhe pushkës. Aty bisedohej për problemet më të rëndësishme të krahinës dhe lidhej besa për një afat të caktuar. Kur popullit i kanosej ndonjë rrezik, jepet kushtrimi për këdo nga 7 deri në 70 vjeç.

Në fillim të vitit 1903, në Bicaj, u bë mbledhja e “Dheut”. U zgjodh kryesia prej 18 vetësh; kryetar u zgjodh më i shquari, Ramadan Zaskoci. Ndërsa anëtarë u zgjodhën: Islam Spahia, Ramadan Ciku, Ymer Sufa, Ramadan Kovaçi etj. Vendimet u përmbledhën në një dokument të njohur me emrin “Masbatae” (turqisht: “lutje”), ku u vendos: Populli i Lumës është i vendosur të jetojë sipas zakoneve të trashëguara prej të parëve; populli i Lumës nuk pranon urdhra të rinj të qeverisë turke, as të mytesarifit të Prizrenit dhe kajmekamit (nënprefektit) të Bicajt. Populli i Lumës njeh vetëm vendimet e 18 burrave të kryesisë, të zgjedhur njëzëri nga “Dheu”.

Ramadan Zaskoci udhëhoqi dhe drejtoi mbledhjet e “Dheut” në Lumë nga viti 1903 deri sa u vra në vitin 1914, duke i shkaktuar dëme të mëdha e të pallogaritshme forcave osmane dhe serbe në luftërat e zhvilluara gjatë viteve 1903, 1904, 1907, 1909, 1910. Nuk ka pëllëmbë toke në Lumë e në Kosovë ku të mos ketë shkelur këmba e Ramadanit në luftrat e ndryshme për mbrojtjen e atdheut.

(Beteja e Lumës 17 – 19 nëntor 1912)


Do të mbeten në kujtesë brez pas brezi luftrat e popullit të Lumës, sidomos ato të viteve 1912–13 kundër pushtuesve serbë. Kur luftimet ishin në kulmin e tyre e zhvilloheshin beteja të përgjakshme, thikë me thikë e trup më trup, lumjanëve të udhëhequr nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia e Ramadan Cejku u erdhën në ndihmë qindra luftëtarë nga Dibra, Reçi e Dardha me në krye Elez Isufin, Cuf Xhelilin e Xhafer Dedën, të cilët kishin edhe tre topat e zënë ushtrisë turke. Pas tre ditësh luftimesh të paparë në histori, ushtria serbe jo vetëm që u shpartallua, por la në fushë të betejës 12 000 (dymbëdhjetë mijë) të vrarë. Kjo betejë është përjetësuar në këngë:


“Luma e shenjtë kullon gjak;
po i thonë Drinit nimona pak.”
Dhe më poshtë kënga vazhdon:
“Djemtë e Lumës hiç s’kanë dert,
nga një luftë e bëjnë për vjet.”

Populli, nëpërmjet këngës, ka shkruar historinë e vet dhe u jep pavdekësi dëshmorëve e heronjve, duke ruajtur të gjallë deri në ditët tona trimërinë, heroizmin dhe patriotizmin e tyre.

Në fund të korrikut të vitit 1913, në Bicaj, u zhvillua mbledhja e “Dheut” dhe u vendos të lidhej besa për të organizuar luftën e armatosur kundër pushtuesve serbë, si dhe të sigurohej lidhja e besës me krahinat e Hasit, të Malziut dhe të Dibrës, e të kërkohej ndihmë nga qeveria e Vlorës. Përfaqësuesit që morën pjesë në këtë mbledhje nisën për në Vlorë kryetarin e “Dheut”, Ramadan Zaskocin nga Luma, Rexhep Bajraktarin e Hasit dhe Jusuf Elezin nga Dibra, për t’u takuar me kryeministrin e qeverisë së Vlorës, Ismail Qemalin. Këta arritën në Vlorë më 12 gusht 1913 dhe u takuan me Ismail Qemalin. Megjithëse qeveria e Vlorës në atë kohë nuk kishte fuqi ushtarake e mjete financiare, kryeministri Ismail Qemali u premtoi se do të bënte të gjitha përpjekjet për të ndihmuar popullsinë e krahinave të Lumës, Hasit e Dibrës në luftën kundër pushtuesve serbë.

Administrata turke, për të shmangur Ramadanin si kundërshtar numër një, ndoqi disa rrugë. Së pari, u ndoq rruga e përçarjes. Stojan Dajiçi, ish-prefekt i Prizrenit, deputet i qeverisë serbe dhe drejtues i forcave serbe në Lumë në vitin 1913, së bashku me Katanicin, gjeneralin serb që udhëhoqi forcat gjakatare që masakruan popullsinë e 28 fshatrave të Lumës, arritën të rekrutonin e vinin në shërbim të tyre një pjesë të parisë së Lumës, veçanërisht Nezir Bajraktarin me shokët e tij. Këta u shitën për të holla, u bënë agjentë, u vunë në shërbim të pushtuesve serbë dhe u bënë tradhtarë të popullit të Lumës dhe të atdheut.

Gjenerali Katanic dhe prefekti Stojan Dajiçi, nëpërmjet agjentëve që kishin rekrutuar, vendosën të shtinin në dorë Ramadan Zaskocin. Duke ditur se Ramadani ishte i varfër dhe me gjendje të vështirë ekonomike, menduan se do ta komprometonin kollaj me para dhe i dërguan atij një palë dujci (hejbe) me para, me kusht që ai të largohej nga lufta kundër pushtuesve. Por Ramadani u dha këtë përgjigje:

“Dëgjoni këtu ju ose klyshët e krajlit të Serbisë, që jeni shitur e vënë në shërbim të armiqve të popullit tonë për para e grada. Ju dhe të gjithë krerët e ‘parisë’ së krahinës tonë e dini fare mirë se tash sa kohë ushtria gjakatare e krajlit të Serbisë ka vazhduar e vazhdon të vrasë, të masakrojë, të plaçkitë e të dhunojë banorët e pafajshëm të fshatrave të krahinës tonë, të cilëve akoma po u del tymi nga zjarri i shtëpive të djegura.

Ju dhe ata që iu kanë nisur me këto para tek unë e dini mirë se, që kur kanë hyrë forcat e ushtrisë serbe në Lumë, ato kanë djegur e rrafshuar me zjarrin e predhave të topave të tyre dhjetëra e qindra shtëpi, në shenjë hakmarrjeje për humbjet e mëdha që kanë pësuar. Me këto veprime që vazhdon të kryejë serbi në gjithë territorin e krahinës së Lumës, synohet të pushtohet krejtësisht Luma dhe, bashkë me territoret e tjera shqiptare në krahun e djathtë të Drinit të Zi dhe më tej, t’i aneksohen përfundimisht shtetit shovinist serb.

Prandaj, bashkë me paratë që keni sjellë, shkoni nga keni ardhur dhe u thoni atyre se unë jam shqiptar. Këtë pushkë që kam unë, bashkë me luftëtarët e mi, nuk do ta lëshoj nga dora. Luftën që kam nisur dhe po e vazhdoj kundër ushtrisë pushtuese serbe nuk e kam nisur për të fituar para, pasuri dhe grada, por me këtë pushkë, me popullin dhe bashkëluftëtarët e mi të Lumës, do të luftoj deri në pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur lirinë e popullit. Nuk kam frikë nga armiqtë e mi dhe të popullit tim. Para tyre nuk do të gjunjëzohem dhe, me këtë pushkë që kam, me të gjithë luftëtarët lumjanë do të luftojmë deri në fund të jetës. Vdekjen për çështjen e drejtë të luftës së popullit tim dhe të Shqipërisë do ta konsideroj si me le.”

Kur morën këtë përgjigje nga Ramadani, agjentët serbë, me dujcit në krahë dhe me bisht ndër shalë, u detyruan të iknin nga kishin ardhur.

Nezir Bajraktari dhe banda e tij gjakatare, me të pabesë, qëlluan dhe plagosën rëndë luftëtarin trim të vegjëlisë lumjane, Ramadan Zaskocin, i cili për 36 vjet me radhë kishte luftuar me armë në dorë nga Plava, Gucia, gjithë Kosova e Luma, për interesat e popullit, të lirisë dhe të pavarësisë kombëtare të atdheut të vet. Kjo vepër kriminale indinjoi thellë e pamasë gjithë popullin e krahinës së Lumës.

Sali Sokoli e mjekoi Ramadan Zaskocin në shtëpinë e tij. Madje ishte kërcënuar se do ta nxirrnin nga shtëpia Ramadanin, por ai u ishte përgjigjur: “Kush guxon të veprojë, le të vijë e ta provojë, se gryka e pushkës do ta thotë fjalën e vet.”

Ramadani u mjekua aty nga mjeku popullor, Ahmet Doci, dhe u përmirësua. Kur Stojan Dajiçi dhe agjentët e tij panë se atentati kundër Ramadanit nuk u realizua me sukses, organizuan fshehurazi nisjen e mjekut Isuf Berberi nga Prizreni për në Shtiqen. Ky ishte agjent i shovinistëve serbë dhe kishte si qëllim të helmonte Ramadan Zaskocin. Mjekimet e tij ia keqësuan shpejt gjendjen dhe ai vdiq.

Vdiq i urryer nga tradhtarët, por i nderuar dhe i respektuar nga i gjithë populli shqiptar. Para se t’i pushonte zemra, gjeti forca dhe u foli shokëve e miqve këto fjalë:

“Dëgjoni, burra! Unë nuk kam më fuqi… Plagët më kanë rënduar shumë dhe po më shkurtojnë jetën. Ju duhet ta vazhdoni deri në fund luftën që kemi nisur kundër pushtuesve serbë. Spastroni nga radhët tona agjentët dhe tradhtarët që janë shitur për para dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me shovinistët serbë. Duajeni popullin dhe luftoni të gjithë së bashku me vegjëlinë për mbrojtjen e tokës së Lumës dhe të gjithë Shqipërisë. Të faleminderit shumë, Hoxh Mehmet, dhe ju shokëve të mi, për të gjitha shërbimet dhe kujdesin që treguat ndaj meje… Shtrëngoni dhe mbani fort gjithnjë armët, mbajeni të fortë lidhjen e ‘DHEUT’.”

Ramadan Zaskoci, në vitin 1962, me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u dekorua me Urdhrin e Klasit të III për veprimtarinë patriotike dhe, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *