Sunday

14-12-2025 Vol 19

Sa të rinj shqiptarë festonin nëpër botë?

Mirëqenia e popullit është misioni i politikës. Kjo aksiomë ka udhëhequr me vizionin e saj popujt e zhvilluar, të cilët kanë arritur standardet përmes luftërave, përpjekjeve dhe sakrificave. Krerët e politikës, në çdo kohë, kanë udhëhequr me premtime e revolucione në betejat elektorale, shpesh më shumë nën rrogoz sesa mbi popullin. Kësaj shkolle i janë bashkuar të gjithë politikanët në botë, e natyrisht edhe politikanët në Shqipëri.

Historia 113-vjeçare e shtetit shqiptar, edhe sikur të duash ta shohësh me sy të ftohtë e paanshmëri, të përplas me një realitet kokëfortë: shqiptarët ikanakë. Hap lajmet dhe kudo shfaqen pamje festive në qendrat kryesore të Europës e botës. Bijtë e shqipes festojnë si kurrë më parë. Ndihen më të lirë në vendet ku emigrojnë, ndihen më të përfshirë politikisht, përtej pamjes spektakolare të tifozerisë shqiptare në futboll.

Pjekuria e fituar ndër vite, kujtimet e hidhura të familjarëve që u larguan me tmerr nga vendi, sepse politika me ligjet e saj në shërbim të interesave të të huajve u mbylli çdo mundësi për punësim, pronësi apo aksioneri, e kanë bërë emigracionin jo thjesht një nocion të të drejtave të njeriut, por një plagë shoqërore. Para 113 vjetësh shqiptarët ktheheshin në atdhe; sot na mallëngjejnë pamjet festive me flamurin kuqezi në duart e qindra mijëra të rinjve në emigracion. Ata e quajnë detyrë morale që çdo vit të festojnë ditën kombëtare, pavarësisht mundësive të kufizuara të ekspozimit.

Por a mjafton legjitimiteti i atyre festimeve? Urojmë që emigracioni ynë të jetë i organizuar e i integruar kudo në botë, dhe që shteti shqiptar të ketë dorën e bashkëpunimit. Të rinjtë e emigracionit na tregojnë se forca vitale, energjia më e vrullshme dhe më shpresëdhënëse e popullit shqiptar po derdhet jashtë trojeve tona.

Ku e kanë lobin e tyre shqiptarët në Amerikë? Sa përfaqësues ka diaspora jonë në parlamentet e botës? Ku janë qendrat kulturore shqiptare, siç i kanë diasporat e tjera në kryeqendrat botërore? Pse mungon një filantropi shqiptare që të krijojë kolegje apo universitete për bijtë dhe bijat më të talentuar të diasporës?

Politikanë, kërkoni vota në diasporë sa të doni, por më mirë bëni politika që ta joshni këtë rini të kthehet në atdhe, sesa të gëzohemi vetëm me pamje festive në kryeqendrat e botës. Politikanët shqiptarë duhet të ndihen të turpëruar përpara emigrantëve kudo në botë. Shqipëria ka mbërritur në një situatë ku njerëzit ikin, ndërsa politikanët dhe sejmenët e tyre pasurohen. Pallatet ngrihen me paratë e emigrantëve, të cilët futen në kurthin e blerjes me çmime stratosferike. Hotelet luksoze, shpesh pa elementet bazë të hotelerisë, iu ofrohen bashkëatdhetarëve me çmime katastrofike kur vijnë për pushime.

Ja pse na duhen emigrantët shqiptarë, të “bukurit e dheut”, që e kanë marrë një copë Shqipërie me vete. Por çfarë ka bërë shteti shqiptar për ta? A nuk e dinin? A nuk e ndjenin për detyrë? Apo nuk u intereson t’i kenë pranë, sepse këtu i quajnë “firo sociale” dhe u hapin telashe. Emigracioni ynë ende është i paorganizuar dhe si i tillë ngelet në fazën folklorike në marrëdhëniet me shtetin amë. Faktor tjetër është edhe origjina krahinore e emigrantëve dhe statusi i tyre social.

Për një emigracion që të imponojë një lëvizje politike brenda vendit është ende herët për të folur, përderisa ata vazhdojnë të ndihmojnë familjet në Shqipëri dhe të blejnë apartamente me çmime sa t’i dojë tregu.


Hasan SOKOLI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *