Sunday

14-12-2025 Vol 19

Avni Rrustemi sipas një autori francez

Në librin me titull “Shkrime të zgjedhura” të profesor Arben Putos në mes tyre në kapitullin “Në Arkivat e Parisit e të Londrës në kërkim të historisë”, shkruhet se më 1972 ai u nis si studiues i ngarkuar nga Universiteti i Tiranës së bashku me Xhevat Lloshin drejt Londrës. Ekipi do të shkonte në Angli, vendin me të cilin Shqipëria ishte gati në gjendje lufte që prej incidentit të kanalit të Korfuzit, më 1946. Ishte shfaqur interes në qarqet shkencore; ishin arkiva të paeksploruara ndonjëherë, dhe kush e pati “guximin” për një iniciativë të tillë shkruan autori në padijeninë e vetë. Udhëtimi në Londër u kombinua bashkë me ftesën që u ishte bërë edhe Stefanaq Pollos dhe Zija Xholit për një vizitë në Paris. Ishte përcaktuar një program 2 javor nga Ministia e Jashtme e Francës për të studiuar dokumente arkivore në arkivat e Francës. Në Arkivin e Quai d’Orsay profesor Arben Puto kishte gjetur një dokumentacion bazë mbi zhvillimin e punimeve të Konferencës së Londrës. Arkivi i Parisit ishte burimi kryesor i cili i shërbeu për librin “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të Mëdha”. Profesori shpjegon se Konferenca Londrës nuk kishte mbajtur proceverbal, kjo shpjegohej me faktin se ishte bërë praktikë në Konferencë, që ambasadori i francez P.Cambon (P. Kambon) të hartonte në gjuhën frënge një përmbledhje të zhvillimit të bisedimeve në seancat më të rëndësishme. Këto përmbledhje shikoheshin edhe nga përfaqësuesit e tjerë dhe u dërgoheshin në një version të përbashkët kancelarive. Kjo nuk do të thotë se frengjishtja u bë gjuhë zyrtare e Konferencës, por në fakt ishte frengjishtja gjuha që u përdor më shumë. Vetëm kryetari anglez i Konferencës, ministri i Jahtëm i Anglisë, E. Grey, fliste në gjuhën e tij. Siç kujton më tej profesor Puto, ai në bllokun e tij të shënimeve kishte shkruar edhe për një libër që e kishte befasuar. Ishte libri i një autori, emri i të cilit ishte krejt i padëgjuar. Ishte një zbulim për profesorin në Biblotekën e Kombëtare të Francës. Kishte të bënte me vrasjen e Esat Pashë Toptanit në Paris, në qershor 1920, nga Avni Rustemi. Autori, Anotole de Monze, sfidonte sferat më të larta të Parisit me librin e tij të vogël “Destins bors serie”, botuar më 1927 (“Fate jashtë serisë”, d.m.th të pazakontë për avokatin në profesionin e tij). Ai libër shprehet profesor Arben Puto- paraqet interes të veçantë, sepse A. de Monze ishte avokati mbrojtës i Avniut gjatë procesit gjyqësor. Ai e quajti Avniun, “studentin e vogël shqiptar” si idealist dhe aktin e tij të motivuar vetëm nga interesat e Atdheut, të cilin Pashai e pati nxjerrë vazhdimisht në ankand. Pasi shtroi përpara gjyqit aferat e pista të Pashait, ai numëroi njërën pas tjetrës “pritjet” mbretërore zyrtare që i bëheshin në kryeqytet e mëdha. Ai bëri një aktakuzë të rreptë pa kursyer as Francën, ku Esati grumbullonte donacione dhe nderime pa kufi. Duhet theksuar shkruan profesor Puto se: avokati i Avniut kishte përballë si avokatë të palës tjetër juristë me emër, ish ministra, diplomat, gazetarë, madje midis tyre edhe një bashkëpunëtor të Presidentit Millerand. Ndërkaq, në mbrojtje të Avniut doli “Vatra” me një thirrje që i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë. Vinin shumë mesazhe dhe peticione nga mbledhjet që mbaheshin në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga qarqe dashamirëse nga jashtë. Si konkluzion gjykata u gjend përpara një rasti flagrant, pranoi mbrojtjen e avokatit De Monze dhe e cilësoi aktin e Avniut “një krim pasional me nxitje të një populli të tërë”. Dhe Avniu u lirua pas 6 muajsh paraburgim. Përshtypje të madhe pati bërë një artikull i Miss Durham-it, botuar në një revistë të Londrës, menjherë pas gjyqit, në gusht 1920. Pasi bënte një përshkrim të karierës së mbrapshtë të Esat Pashës, Miss Durham ndalej te trajtimi që i bëhej atij në Paris dhe e mbyllte artikullin me këto fjalë: “Ky njeri injorant dhe pa skrupuj, një relike e kohës së errët të Turqisë së vjetër, jetonte në luks. Në Paris pritej si një monark i rrëzuar. Kush ia paguante apartamentin në Hotel Contenental, një vilë dhe një shtëpi në Avenue Marceau, me shumë shërbëtorë, tri makina, kuaj? Shqiptarët duan ta qeverisin vetë vendin. Ata dëbuan italianët nga Vlora. Ata nuk e kanë pranuar asnjëherë copëtimin. I vetmi njeri që ishte gati ta bënte, nuk është më. Lufta e Madhe, – thonë Fuqitë e Mëdha, – u bë për lirinë e të gjitha kombeve. Le të tregojnë se e kanë me të vertetë”Më tej profesori shtonë : Sa mund të vlejnë përballë gjyqit të Parisit dhe johonës që pati ai vendim, orvatjet e mjeruara që janë bërë dhe që bëhen gjithnjë për ta vënë Pashain Toptanas në një plan me Isamil Qemalin si figurë e dytë e Pavarësisë?

Timoleo GURI

m

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *