
“Gjoleka, djali i Abazit“, vazhdon të na ndjekë. Nuk është më ai personazh i filmit të Dhimitër Anagnostit, por është shndërruar në simbolin e dhunës së trashëguar që ende nuk e kemi çrrënjosur. Rasti i fundit në Durrës, ku një adoleshent u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale, është dëshmi e gjallë se Abazi nuk ka vdekur. Ai jeton në mendjet e të rinjve që e shohin dhunën si zgjidhje, në familjet që nuk arrijnë të edukojnë me butësi, në institucionet që nuk parandalojnë tragjeditë e vogla të përditshme.
Filmi i Anagnostit na paralajmëronte të mos ktheheshim tek egërsia e trashëguar, tek ndëshkimi i verbër që kalonte nga babai tek i biri si një ligj i pashkruar. Por sot, në vend që të kemi thyer atë cikël, e kemi riprodhuar në forma të reja. Një fjalë e thënë në rrjet, një shikim i keqinterpretuar, një krenari e lënduar, mjaftojnë për të nxjerrë thikën. Nuk është më Kanuni i Labërisë, por është një kanun i heshtur i rrjeteve sociale, ku fjala e shpejtë dhe e pamenduar kthehet në gjak.
Politikanët bëjnë sikur u digjet zemra për hallet e popullit, por në fakt e përdorin ndëshkimin si spektakël. Çdo ditë dëgjojmë se kush do thirret në SPAK, kush do të hetohet, kush do të bjerë. Ndërkohë, shoqëria po institucionalizon perceptimin e ndëshkimit përpara se të flasin institucionet. Kjo është e njëjta logjikë e Abazit, që ndëshkonte pa gjykatë, pa ligj, vetëm sepse ashtu e kishte trashëguar. Sot, kur një adoleshent plagoset në mes të qytetit, pyetja nuk është vetëm pse ndodhi, por pse nuk u parandalua. Ku ishin shkolla, familja, policia, institucionet që duhej të ishin rrjet sigurie për fëmijët?
Gjoleka në film mashtronte të atin dhe e bënte të qante. Sot, shoqëria shqiptare mashtron veten duke menduar se dhuna është forcë, kur në fakt është dobësi. Ne ikim si Gjoleka, ikim si shqiptarët, sepse nuk kemi arritur të zbusim veten. Zbutu, thotë shkrimi, se vret i biri të atin, djali nënën, shoku shokun. Zbutu, se nuk vritet tjetri për një fjalë goje, për një copë bukë, për një krenari të lënduar. Zbutu, se pa gjykata të pavarura, pa institucione që funksionojnë, nuk ka shoqëri që mbijeton.
Shkaku i dhunës nuk është vetëm trashëgimi kulturore e kanunit apo e egërsisë së Abazit, por edhe një plagë psikologjike e individit të sotëm. Adoleshenti që ngre thikën nuk është thjesht pasardhës i një mentaliteti të vjetër, por shpesh është një person i asocializuar, i bullizuar nga varfëria, nga mungesa e perspektivës dhe nga mossuksesi. Kjo varfëri nuk është vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore e sociale: mungesa e pranimit, e respektit dhe e mundësive e shtyn të riun drejt dhunës si mjet për të fituar vëmendje, për të kompensuar boshllëkun e brendshëm. Kështu, trashëgimia e egërsisë dhe trauma psikologjike bashkohen, duke prodhuar një realitet ku dhuna bëhet gjuhë e vetme e komunikimit.
Rasti i Durrësit nuk është thjesht një kronikë e zezë. Është pasqyrë e një shoqërie që ende nuk ka hequr dorë nga Abazi. Ai nuk është më personazh filmi, por është mentaliteti që na ndjek, që na bën të plagosim e të vrasim për gjëra të vogla. Nëse nuk e thyejmë këtë trashëgimi, do të vazhdojmë të ikim, të braktisim vendin, të humbasim fëmijët tanë. Shqipëria nuk bëhet as me thika e as me gjak, por me zbutje, me kulturë, me institucione. Nëse nuk e kuptojmë këtë, Abazi do të mbetet gjallë, dhe Gjoleka do të vazhdojë të na ndjekë…
Trifon DAFA