Sunday

14-12-2025 Vol 19

28 Nëntori – Dita e jonë e madhe

Le të festojmë gjithmonë këtë ditë si ditën e krenarisë kombëtare, ditën kur Shqipëria u bë më vete dhe u rreshtua mes kombeve të lira të botës!


Kryengritjet e përgjithshme çlirimtare të vitit 1912 ishin rrjedhojë e masave administrative dhe ushtarake që ndërmori Porta e Lartë për të shtypur kryengritjet e vitit 1911. Nën kryesimin e Ismail Qemalit, në Stamboll u mblodhën disa personalitete politike shqiptare, të cilët vendosën të ktheheshin në atdhe për të përgatitur kryengritjen e armatosur. Paralelisht, deputetët shqiptarë të rrymës patriotike zhvilluan brenda Parlamentit Osman një luftë të vazhdueshme për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por qeveria xhonturke iu përgjigj me masa shtypëse. Më 11 janar 1912, Hasan Prishtina paralajmëroi në Parlamentin Osman se, nëse nuk hiqej dorë nga politika shtypëse, shumë shpejt në Shqipëri do të shpërthente revolucioni çlirimtar. Në këto rrethana, Ismail Qemali doli jashtë Perandorisë Osmane për të siguruar armë dhe për të tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha, ndërsa Hasan Prishtina shkoi në Kosovë për të organizuar kryengritjen.

Më 21 maj 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut, ku patriotë si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Nexhip Draga, Mahmut Zajmi dhe Riza Kryeziu vendosën hapat e mëtejshëm të kryengritjes. Në Shqipërinë e Jugut u formuan çeta nën udhëheqjen e Spiro Ballkamenit, Themistokli Gërmenjit, Muharrem Rushitit e Izet Zavalanit, ndërsa në Shqipërinë e Mesme çetat u drejtuan nga Abdi Toptani në Tiranë dhe Aqif Biçaku në Elbasan. Jehonë të madhe pati edhe çeta e intelektualit shkodran Zef Simon Harapit. Forcat shqiptare të kryesuara nga Idriz Seferi hynë në Shkup, pas dështimit të bisedimeve me Ibrahim Pashën, duke i dhënë një goditje të rëndë interesave të Portës së Lartë. Ky sukses ushtarak i shqiptarëve i detyroi turqit të pranonin disa kërkesa të memorandumit të Ferizajt, por njëkohësisht alarmoi shtetet ballkanike, të cilat përmes aleancës së tyre politiko-ushtarake synonin ndarjen e tokave shqiptare.

Në këtë kontekst të tensionuar, më 28 nëntor 1912, në orën 14:00, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar me pjesëmarrjen fillestare të 37 delegatëve. Kuvendi zgjodhi kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai propozoi shpalljen e Shqipërisë më vete nën një qeveri të përkohshme, zgjedhjen e një pleqësie për të ndihmuar e kontrolluar qeverinë dhe dërgimin e një komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara fuqive të mëdha. Pas fjalës së tij, u ngrit madhërisht flamuri kombëtar përpara mijëra njerëzve, ndërsa fjalën e përshëndetjes e mbajtën Jani Minga dhe Murat Toptani. Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin kryetar dhe Dom Nikoll Kaçorrin nënkryetar. Me ardhjen e delegatëve të tjerë më 29 nëntor, numri i tyre u rrit në 63. Qeveria e përkohshme u formua me ministra si Abdi Bej Toptani (financa), Mufit Bej Libohova (brendshme), Petro Poga (drejtësi), Mehmet Pashë Deralla (mbrojtje), Luigj Gurakuqi (arsim), Mid’hat Frashëri (punë botore), Pandeli Çale (bujqësi) dhe Lef Nosi (postë-telegrafe). Punimet e Kuvendit përfunduan më 7 dhjetor, duke shpallur edhe një falje të përgjithshme.

Profesor Kristo Frashëri, në veprën e tij “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, thekson se pavarësia nuk ishte produkt i Fuqive të Mëdha, por rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Sipas tij, kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 dhe shpallja e pavarësisë në Kuvendin e Vlorës janë dëshmi të qarta se shqiptarët vetë farkëtuan shtetin e tyre. Megjithëse Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 vendosi një pavarësi të “mbikëqyrur”, akti i 28 nëntorit 1912 tregoi se vullneti kombëtar i shqiptarëve ishte më i përparuar se vendimet e Fuqive të Mëdha. Shqipëria lindi si një shtet laik, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, duke përvetësuar që në çastin e lindjes një identitet politik dhe juridik evropian, edhe pse kufijtë e saj nuk përfshinë të gjitha trojet etnike shqiptare.

Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 nuk ishte thjesht një akt politik, por një ngjarje e shenjtë që mishëroi sakrificat e brezave të tërë. Ajo ishte fryt i kryengritjeve të armatosura, i përpjekjeve diplomatike dhe i vizionit të rilindësve që ëndërruan një Shqipëri të lirë. Kuvendi i Vlorës, me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë që u ngrit mbi qiellin e qytetit, shënoi lindjen e shtetit shqiptar dhe kurorëzoi programin e Rilindjes Kombëtare.

Ky akt i madh u bë simbol i unitetit kombëtar, duke tejkaluar ndasitë krahinore, fetare e shoqërore. Ai tregoi se shqiptarët, të bashkuar, ishin të aftë të merrnin në dorë fatin e tyre dhe të vendosnin themelet e një shteti modern evropian.

28 Nëntori mbetet një ditë e shenjtë në kujtesën historike të kombit. Është dita kur u ngrit flamuri i lirisë, kur u dëshmua se sakrificat e gjata nuk ishin të kota dhe kur u hodhën themelet e Shqipërisë së pavarur. Sot, kjo datë na kujton se pavarësia nuk është dhuratë, por fryt i gjakut, mundit dhe vizionit të popullit shqiptar.

Le të festojmë gjithmonë këtë ditë si ditën e krenarisë kombëtare, ditën kur Shqipëria u bë më vete dhe u rreshtua mes kombeve të lira të botës!


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *