Sunday

14-12-2025 Vol 19

Takim me autorin e “Aventurave të Jung Xhoshit”

Promovohet romani “Aventurat e Jung Xhoshit – Kalabashi i Artë”

Në ambientet të një prej sallave të Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u zhvillua paraditen e së premtes, më 21 nëntor, takimi letrar me shkrimtarin jugafrikan Constant Van Graan, autor i serisë “Aventurat e Jung Xhoshit”. Aktiviteti u organizua nga Shtëpia Botuese Ombra GVG, me rastin e botimit në shqip të librit “Kalabashi i Artë”.

Takimin e çeli Drejtoresha e Shtëpisë Botuese Ombra GVG, znj. Vasilika Tafa, e cila, pasi përshëndeti të pranishmit, nxënës, lexues të rinj, mësues, studiues e artdashës, duke vlerësuar këtë bashkëpunim kulturor si një urë të re komunikimi mes Shqipërisë dhe Afrikës së Jugut i dha fjalën shkrimtares Sonila Strakosha, e cila vlerësoi romanin për mënyrën se si ndërthur aventurën, misterin dhe mesazhet mbi miqësinë e guximin. Ajo nënvizoi përjetimet e saj të veçanta për personazhet që ju bënë shumë të afërt.., dhe shprehu bindjen se kështu ka ndodhur edhe për fëmijët dhe se ritmi i rrëfimit i mban lexuesit të angazhuar deri në faqen e fundit.

Në vijim, përkthyesja e librit, Sidita Hoxhiq Dano ndau me publikun sfidat dhe kënaqësinë e përkthimit të një romani plot jetë, humor dhe dinamizëm, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së tonit origjinal të autorit dhe të pasurisë së botës që ai ka krijuar. Ajo nënvizoi faktin e ndërthurjes së ëndrrave fëminore të personazhit kryesor me përjëtimet dhe të papriturat që ndodhin realisht. Ajo shprehu interesin e saj për vlerën e këtij libri, si të domosdoshëm që një nënë të njohë e të kuptojë botën e fëmijëve të saj.

Momentet më të veçanta erdhën me fjalën e autorit Constant Van Graan. Ai u shpreh i emocionuar nga mikpritja, duke falënderuar botuesit Vasilika e Gëzim Tafa, përkthyesen dhe publikun shqiptar. Mes të tjrrash pasi tregoi momentet intime personale që i zgjuan fillin e sukjetit të romanit, sfidat etj. a i theksoi se botimi në shqip ishte “më i bukur se origjinali i botuar në Afrikën e Jugut”, një kompliment që u prit me buzëqeshje dhe mirënjohje…

Në sallë ishin të pranishëm nxënës nga shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, të cilët morën pjesë aktivisht me pyetje në gjuhën angleze. Shkrimtari i vlerësoi veçanërisht pyetjet e tyre, duke iu përgjigjur me sinqeritet, dhe duke treguar detaje nga procesi krijues dhe këshilloi që nxënësit të shkruanin e të merren me letërsi apo art, jo për t’u bërë domosdoshmërisht shkrimtarë, por si një proces që i jep kuptim dhe relaks jetës së tyre…

Takimi u shoqërua edhe me surpriza të këndshme. Constant Van Graan i dhuroi bibliotekës së shkollës së nxënësve që morën pjesë dy kopje të librit, si një gjest miqësie dhe inkurajimi për leximin. Ndërsa nxënësit i dorëzuan shkrimtarit një shportë me mesazhe, përshtypje dhe urime të shkruara prej tyre, si dhe disa piktura të bukura të realizuara nga vetë fëmijët, të cilat, sipas tyre, ilustronin përfytyrimet nga leximi i librit…
Në fund u bënë foto dhe autografe nga autori, i cili e cilësoi këtë aktivitet si një ditë të veçantë dhe një festë të vërtetë të librit dhe letërsisë për fëmijë…

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *