Sunday

14-12-2025 Vol 19

PS dhe PD – fundi i një cikli historik

Shqipëria po jeton një stanjacion politik ku lojërat e fëmijërisë së dikurshme duken më të ndershme se pazaret e sotme. Kur luanim “topash”, lufta jonë ishte më e sinqertë se teatri politik i Parlamentit të sotëm. Lajtmotivi i fëmijërisë sonë ishte ku e ku më i moralshëm se politika e sotme edhe në lojën më bullizuese ishte “Ta lashë!”… Nuk kishim lënë park, lulishte apo gardh shtëpie pa kërkuar hurma, fiq, kumbulla, shegë e portokalle. Shoku shtrëngonte shtyllën që të mos i thoshin “ta lashë!”, ndërsa ne hanim kumbulla fshehurazi nga bahçet e komshinjve. Kishim edhe ne një lloj nderi: sado që shoku e meritonte, nuk e vidhnim kurrë të gjithë bahçen e tij. Mendonim për karmën dhe nuk na zinte gjumi me idenë se dikush mund të na e bënte të njëjtën gjë bahçen tonë…

Ishte kohë kur frutat e vjedhura nuk përbënin thyerje morali, por një trofe që të shpëtonte nga etiketa e “qullacit” apo “çunit të mamit”. Edhe gocat llastica spiunonin pa turp vëllezërit e komshinjtë.

Historia e lojrave tona lidhet me aktualitetin. Ashtu si dikur, edhe sot loja është e njëjtë, vetëm se fusha është politika. Populli shqiptar po bindet dita-ditës se partitë politike në Shqipëri kanë dalë nga mitra e PPSH-së. Shkurt: PS dhe PD janë bashkë. Kushdo që ka qenë pjesë e tyre, qoftë edhe roja i derës, nuk mund të bëjë sikur është engjëll.

Ashtu si dikur, kur “kashtë e koqe” ishte simbol i një loje të çthurur, sot është metaforë e shpërbërjes së dy partive kryesore: PS dhe PD.

Ne, në shumicë kemi zgjedhur një parti si të keqen më të vogël, ndaj edhe ka fituar. Por kur ata që kanë përfituar nga ky popull fukara na bëjnë moral, kjo nuk shkon. Në politikë nuk ka dashuri të përjetshme, ka vetëm interesa. Shpresa tek votat e minorancave nuk mjafton. Nuk po gjejmë një model frymëzimi që të na nxjerrë nga stanjacioni politik.

Pazarxhinjtë janë kudo të fuqishëm. Derdhin miliona për çdo fakt e për çdo ditë burgu. Bjerrja e idealeve në partitë tona politike ndikon për dekada në projektimin e së ardhmes së vendit. Shpërbërja e PS-së dhe PD-së është si një mullar me “kashtë e koqe” që çdo ditë po ia shohim pasojat…

Shembujt janë të shumtë: mjafton të shohësh Italinë apo Greqinë, ku partitë e vjetra përfunduan pa lavdi. Por ne nuk kemi as popullsinë, as përvojën politike për të ndërruar elitat si ata. Jemi në pikën e kiametit, mjafton të shohësh prurjet e reja në parlament, apo trashëgiminë e Lulzim Bashës, që i largoi njerëzit me të katra nga vendi.

Demokracia dhe meritokracia në PS e PD aq ditën, aq bënë – dhe iu sos kandili. Pragmatizmi politik, etja për pasurim të shpejtë dhe përqendrimi i pushtetit në një dorë i afron me modelet e Ali Pashës, Bushatlliut, Ahmet Zogut e Enver Hoxhës. Të gjithë këta e mbyllën ciklin e tyre historik pa lavdi. Sot, edhe PS e PD janë në fundin e ciklit të tyre.


Trifon DAFA

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *