Sunday

14-12-2025 Vol 19

Historia e gjuhëve të botës dhe klasifikimi i tyre

Sot në të gjithë botën fliten rreth 3000 gjuhë. Sigurisht afria e tyre me njëra tjetrën nuk është e njëjtë: disa gjuhë kanë lidhje birërie, rrjedhin nga një trung i përbashkët, ishin dikur dialekte të një gjuhe që më vonë, në rrjedhë të kohëve, u formuan gjuhë me vete. Nuk është e vërtetë dhe as që duhet menduar se në një kohë ka qenë një gjuhë në të gjithë botën. S’ka asnjë provë historike, as gjuhësore për një hipotezë të tillë. Është shumë e kuptueshme dhe më logjike të flasësh për disa gjuhë fillestare të tilla si format primitive të gjuhës indoevropiane, të gjuhës semite, të gjuhës kineze dhe të gjuhëve të tjera që nuk janë të prejardhura prej njëra tjetrës. Pikërisht klasifikimi i gjuhëve sipas origjinës, duke u mbështetur në materialin e përbashkët (rrënjët e fjalëve afikset e ndryshme) me metodën historiko-krahasuese quhet klasifikim gjenealogjik. Një klasifikim i tillë lindi në shekullin XIX. Në këtë kohë u bënë përpjekje për të zbuluar afritë e gjuhëve me anë të metodës krahasuese, duke studiuar përkimet në fushën e fonetikës, të leksikut e të gramatikës. E gjithë kjo nisi kur e vërtetua se gjuha sanskrite (gjuha letrare e indianëve të vjetër kishte afri me disa gjuhë të Evropës si me greqishten, latinishten, persishten e vjetër, gotishten, keltishten dhe sllavishten. Afria konsistonte si në rrënjët e fjalëve ashtu edhe në trajtat gramatikore. U pohua me të drejtë se kjo afri s’është e rastit, por se të gjitha këto gjuhë kanë një burim të përbashkët. Në metodën krahasuese përdoren vetëm ato fjalë që janë të përbashkëta për disa gjuhë, por që me kalimin e kohës mund të kenë pësuar dhe ndryshime. Këtu hyjnë, në rradhë të parë, fjalët që tregojnë lidhje gjaku si : at ëmë vëlla, motër. Për krahasim janë të përshtatshëm edhe numërorët e thjeshtë (gjer në dhjetë), disa përemra, fjalë që tregojnë pjesët e trupit etj, pra fjalë që gjejnë paralele në disa gjuhë e që nuk mund të trajtohen si huazime. Marrim një shembull, fjalën ëmë: latinisht: lituanisht: mateer: greqishten e vjetër: meter; sanskrisht: matar; lituanisht: mate; gjermanisht:mutter; anglisht: madhër (mother); në persishten e vjetër: ba-matar; rusisht: mat; në gjuhën shqipe; motër (ka ndërruar kuptimin). Krahasojmë numërorët: shqip: dy; latinisht due (duae); në greqishten e vjetër: dyo; lituanisht: dvi; rusisht: dve; gotisht: tuaj; anglisht: tu (tëo); frengjisht: dë (deux). Krahasimit mund t’i nënështrohen edhe format gramatikore, edhe kuptimet e fjalëve, të cilat me kalimin e kohës mund të ndryshojnë, prandaj s’është e domosdoshme që të përputhen plotësisht: kështu fjalës shqipe djath i korrespondon fjala fjala e indishtes së vjetër dadhi ( me kuptimin kos) dhe persishtes së vjetër: dadan ( me kuptimin qumësht). Duke përdorur krahasimin, që në shekullin XIX, dijetari gjerman August Shlajher dha ndërtimin e gjuhëve indoevropiane dhe evolimin e tyre në trajtën e drurit, në tarjtën e bimës. Nga kjo u quajt edhe druri gjenealogjik. Shkenca e sotme gjuhësore jep këtë klasifikim gjenealogjik (në bazë të origjinës së përbashkët) të të gjitha gjuhëve të botës. Gjuhët që kanë prejardhje të përbashkët formojnë një familje. Ky është grupimi më i madh më i madh i gjuhëve motra. Gjuhët e një familjeje mund të kenë me njëra tjertën një lidhje afrie më të madhe ose më të vogël, prandaj brenda familjes bëhen grupime të tjera më të vogëla, të cilat quhen degë. P.sh, brenda familjes së madhe indoevropiane, gjuhët romane formojnë një degë më vete. Familja indoevropiane përfshin 12 degë1) dega hete, që përfshin disa gjuhë të Azisë së vogël;2) dega tokare, që përfshin tokarishten, të zbuluar në shekullin XX në Turkmenistanin Kinez3) dega indo-iraniane, që ndahet në dy nëndegë, në nëndegën indiane, e cila përfshin gjuhët penzhabe, cigane, nepale, bengale industane dhe gjuhën e vdekur sanskrishten (që është gjuha letrare më e vjetër në botë) dhe nëndegën iraniane që përfshin gjuhët taxhikistane, persiane, afganistane, avestine dhe kurde.4) dega armene me gjuhët armene, frigane dhe frakike;5) dega shqiptare, e cila është degë krejt më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe është nga gjuhët më të vjetra të gadishullit Ballkanik;6) dega greke, degë më vete dhe që përfshin greqishten e vjetër dhe greqishten e re;7) dega slave, në të cilën bëjnë pjesë bullgarishtja, serbishtja, sllovenishtja, ukrainishtja, rusishtja, bellorusishtja, çekishtja, sllovakishtja, polonisthtja, maqedonishtja;8) dega balltike, me gjuhën lituanisht dhe gjuhën e vdekur prusisht;9) dega gjermanike, me dy nëndegë, me nëndegën veriore (ose skandinave), në të cilën përfshihen gjuhët danisht, suedisht, norvegjisht dhe islandisht, me nëndegën perëndimore, me gjuhët anglisht, hollandisht, gjermanisht dhe gjuhën e vdekur gotisht;10) dega kelte, që përfshin gjuhët irlandeze, skoclandeze, bretone (në Bretanjë të Francës) dhe gjuhën uellsh (në veri të Anglisë). Në këtë degë bën pjesë edhe gjuha gale, që është folur në Gali (Franca e sotme);11) dega romane, në të cilën bëjnë pjesë latinishtja, nga kanë dalë edhe gjuhët provencialishtja, moldavishtja, (flitet në Spanjë dhe në jug të Francës);12) dega italike, që përfshin dy gjuhë të vdekura gjuhën oske dhe umbre.Familjet e tjera të gjuhëve botërore janë këto: familja ungro-fine, në të cilën hyjnë gjuhët hungareze, finlandeze dhe estoneze; familja turke, që përmbledh mbi 30 gjuhë: turqishten, turkmenishten, tartaren, kirkizen, etj; familja semite-hamite, ku futet arabishtja, gjuha ahmare (që flitet në Abisini), arabishtja e vjetër, hebraishtja e vjetër, fekinishtja, gjuha kopte (pasardhëse e gjuhës së vjetër egjiptiane); familja kaukaziane, që përfshin mbi 40 gjuhë, në të cilat hyjnë gjuhët gjerogjiane (gruziane), gjuhët e dagistanit, gjuhët çerkeze e çeçene, abhaze etj; familja samodike, që është një grup që fliten në Lindjen e Largët, në Siberi dhe në zonën e Arhangelskit; familja e gjuhëve mongole: familja e gjuhëve tunguso-mançuraiane; familja kino-tibetiane, ku futen gjuha kineze, siameze (Tajlandeze) tibetiane, birmane, etj ; familja dravide, në të cilën hyjnë gjuhët që fliten në Indi dhe në Cejlon (telegu, tamil, kanare, mallajallam); familja austro-aziatike me gjuhët mon–khmer (kamboxhe birmane), munda (Indi) etj; familja e gjuhëve malajo-polineezian, ku bëjnë pjesë indonezishtja; familja e gjuhëve australiane, që përfshin disa gjuhë të vogëla në kontinentin Australian: familja e gjuhëve papua; familja e gjuhëve sudaneze; familja e gjuhëve bantu, ku futen disa gjuhë që fliten në Afrikë; familja e gjuhëve paleoafrikane; familja e gjuhëve paleoaziatike, ku përfshihen disa gjuhë që fliten në Azinë Veriore dhe në Amerikën Veriore; familja e gjuhëve eskimeze; familja e gjuhëve të indianëve të Amerikës, që përfshin gjuhët e banorëve vendas të Amerikës.

Klasifikimi morfologjik dhe tipologjik i gjuhëve

Ekziston edhe një klasifikim tjetër, i quajtur klasifikimi morfologjik dhe tipologjik. Ky klasifikim nuk niset nga origjina e përbashkët e gjuhëve të ndryshme, por nga struktura morfologjike e fjalës. Këtu vështrohet si përbërja e fjalës, ashtu edhe mënyra e bashkimit të rrënjës së fjalës me afikset e ndryshme (parashtesa, prapashtesa, mbaresa).

Sipas klasifikimit tipologjik, të gjitha gjuhët e botës ndahen në këto grupe:

  • gjuhë izoluese
  • gjuhë flektive
  • gjuhë aglutinative
  • gjuhë polisintetike

Gjuhët izoluese

Janë gjuhë pa afikse (pra pa mbaresa). Në këto gjuhë fjala është e pandryshueshme; lidhjet midis fjalëve në fjali përcaktohen nga rendi i fjalëve, nga fjalët shërbyese, nga theksi dhe nga mjete të tjera gramatikore. Pra, fjalëve u mungojnë mbaresat që shërbejnë për të lidhur fjalët me njëra-tjetrën në përbërjen e fjalisë. Shembull tipik: gjuha kineze, birmane.

Gjuhët flektive

(Nga latinishtja flectio – lakim, zgjedhim). Janë gjuhë në të cilat rrënja e fjalës ka lidhje të ngushtë me afikset e ndryshme. Këto gjuhë quhen edhe fuzionale (nga latinishtja fusio – shkrirje), sepse afikset janë si të shkrira me rrënjën e fjalës. Lakimi dhe zgjedhimi luajnë rol shumë të madh.

Gjuhë flektive janë kryesisht gjuhët indoevropiane (shqipja, gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja, greqishtja, etj.) dhe gjuhët semite-hamite (arabishtja).

Gjuhët flektive ndahen në:

  • gjuhë sintetike – lidhja midis fjalëve bëhet kryesisht me mbaresa;
  • gjuhë analitike – lidhja midis fjalëve bëhet me fjalë shërbyese, rendin e fjalëve etj.

Shembuj:

  • Gjuhë tipike sintetike: sanskritishtja, greqishtja e vjetër, latinishtja.
  • Gjuhë sintetike të sotme: shqipja, gjermanishtja, rumanishtja.
  • Gjuhë analitike: gjuhët neolatine (frëngjishtja, italishtja, spanjishtja).

Megjithatë, gjuhë të pastra sintetike ose analitike zakonisht nuk ka. Në disa gjuhë mbizotëron sintetizmi, kurse në disa të tjera analizmi. P.sh., gjuha shqipe është kryesisht sintetike, por ka edhe veçori analitike, si në formimin e trajtave foljore perifrastike me foljen ndihmëse (kam shkuar) dhe në përdorimin e shpeshtë të parafjalëve.

Gjuhët aglutinative

(Nga latinishtja agglutinare – ngjis). Sikurse gjuhët flektive, janë gjuhë me afikse, por lidhja midis rrënjës dhe afikseve është e dobët; ajo ka karakterin e një bashkimi mekanik. Afikset bashkohen me rrënjën njëra pas tjetrës dhe secila shpreh vetëm një kuptim gramatikor, ndryshe nga afikset e gjuhëve flektive që janë shumëkuptimëshe.

Shembuj: gjuhët ugro-fine, kaukaziane, turke, mongole, japoneze.

Gjuhët polisintetike (inkorporuese)

Veçoria dalluese është se në këto gjuhë fjala është edhe fjali. Fjala përfshin elemente të ndryshme që në gjuhë të tjera janë të pavarura. Pra, fjala paraqitet e papërfunduar, duke pasur karakterin e një fjale të përbërë dhe njëkohësisht të një fjalie, ku gjenden kryefjala, kallëzuesi dhe gjymtyrë të tjera.

Shembull: në gjuhën e banorëve autoktonë të Meksikës (indianët), fjala ninakakëa zbërthehet kështu:

  • ni – unë
  • naka – ha
  • këa – mish

Pra, “unë ha mish” del si një fjalë e vetme dhe njëkohësisht si fjali. Në këtë tip gjuhësh bëjnë pjesë gjuhët e indianëve të Amerikës dhe disa gjuhë paleoaziatike.

Është interesante të vërejmë se edhe në gjuhën shqipe ka ndonjë fenomen të ngjashëm me gjuhët polisintetike, në rastet kur midis mbaresës së vetës së dytë shumës të mënyrës urdhërore dhe temës së foljes futen trajta të shkurtra të përemrit vetor: merreni, jepjani, sillmani. Fjala sillmani do të thotë “sill atë për mua”.

Vlerësimi i klasifikimit tipologjik

Ky ishte klasifikimi tipologjik morfologjik. E meta themelore e tij, sipas gjuhëtarëve, është se tipologjia shkëputet nga historia e gjuhës së popullit, pra nuk merret parasysh origjina e gjuhëve dhe lidhjet e afërta ose të largëta të krijuara historikisht.

Janë bërë përpjekje edhe për klasifikime të tjera, si klasifikimi konceptual (nocionor), por ato nuk kanë bazë shkencore dhe nuk kanë gjetur zbatim në praktikë.


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *