Sunday

14-12-2025 Vol 19

Historia e gjuhëve të botës dhe klasifikimi i tyre

Sot në të gjithë botën fliten rreth 3000 gjuhë. Sigurisht, afria e tyre me njëra-tjetrën nuk është e njëjtë: disa gjuhë kanë lidhje birërie, rrjedhin nga një trung i përbashkët, ishin dikur dialekte të një gjuhe që më vonë, në rrjedhë të kohës, u formuan si gjuhë më vete. Nuk është e vërtetë dhe as që duhet menduar se ka ekzistuar ndonjëherë një gjuhë e vetme në të gjithë botën. S’ka asnjë provë historike, as gjuhësore për një hipotezë të tillë. Është shumë e kuptueshme dhe më logjike të flitet për disa gjuhë fillestare, si format primitive të gjuhës indoevropiane, të gjuhës semite, të gjuhës kineze dhe të gjuhëve të tjera që nuk janë të prejardhura prej njëra-tjetrës.

Pikërisht klasifikimi i gjuhëve sipas origjinës, duke u mbështetur në materialin e përbashkët (rrënjët e fjalëve, afikset e ndryshme) me metodën historiko-krahasuese, quhet klasifikim gjenealogjik. Një klasifikim i tillë lindi në shekullin XIX. Në këtë kohë u bënë përpjekje për të zbuluar afritë e gjuhëve me anë të metodës krahasuese, duke studiuar përkimet në fushën e fonetikës, të leksikut dhe të gramatikës.

E gjithë kjo nisi kur u vërtetua se gjuha sanskrite (gjuha letrare e indianëve të vjetër) kishte afri me disa gjuhë të Evropës, si greqishtja, latinishtja, persishtja e vjetër, gotishtja, keltishtja dhe sllavishtja. Afria konsistonte si në rrënjët e fjalëve, ashtu edhe në trajtat gramatikore. U pohua me të drejtë se kjo afri s’është e rastësishme, por se të gjitha këto gjuhë kanë një burim të përbashkët.

Në metodën krahasuese përdoren vetëm ato fjalë që janë të përbashkëta për disa gjuhë, por që me kalimin e kohës mund të kenë pësuar ndryshime. Këtu hyjnë, në radhë të parë, fjalët që tregojnë lidhje gjaku si: atë, ëmë, vëlla, motër. Për krahasim janë të përshtatshëm edhe numërorët e thjeshtë (deri në dhjetë), disa përemra, fjalë që tregojnë pjesët e trupit etj., pra fjalë që gjejnë paralele në disa gjuhë dhe që nuk mund të trajtohen si huazime.

Marrim një shembull, fjalën ëmë:

  • latinisht: mater
  • greqishtja e vjetër: meter
  • sanskritisht: matar
  • lituanisht: motė
  • gjermanisht: mutter
  • anglisht: mother
  • persishtja e vjetër: ba-matar
  • rusisht: mat
  • shqip: motër (me kuptim të ndryshuar).

Krahasojmë numërorët:

  • shqip: dy
  • latinisht: duae
  • greqishtja e vjetër: dyo
  • lituanisht: dvi
  • rusisht: dve
  • gotisht: twai
  • anglisht: two
  • frëngjisht: deux.

Krahasimit mund t’i nënshtrohen edhe format gramatikore dhe kuptimet e fjalëve, të cilat me kalimin e kohës mund të ndryshojnë. Prandaj s’është e domosdoshme që të përputhen plotësisht. Kështu, fjalës shqipe djathë i korrespondon fjala e indishtes së vjetër dadhi (me kuptimin kos) dhe e persishtes së vjetër dadan (me kuptimin qumësht).

Duke përdorur krahasimin, që në shekullin XIX dijetari gjerman August Schleicher dha ndërtimin e gjuhëve indoevropiane dhe evoluimin e tyre në trajtën e drurit, në trajtën e bimës. Nga kjo u quajt edhe druri gjenealogjik. Shkenca e sotme gjuhësore jep këtë klasifikim gjenealogjik (në bazë të origjinës së përbashkët) të të gjitha gjuhëve të botës.

Gjuhët që kanë prejardhje të përbashkët formojnë një familje. Ky është grupimi më i madh i gjuhëve motra. Brenda familjes bëhen grupime më të vogla, të cilat quhen degë. P.sh., brenda familjes së madhe indoevropiane, gjuhët romane formojnë një degë më vete.

Familja indoevropiane përfshin 12 degë:

  • dega hete, që përfshin disa gjuhë të Azisë së Vogël;
  • dega tokare, që përfshin tokarishten, të zbuluar në shekullin XX në Turkmenistanin Kinez;
  • dega indo-iraniane, me dy nëndegë: indiane (penxhabe, cigane, nepale, bengale, industane, sanskrite) dhe iraniane (taxhike, persiane, afgane, avestine, kurde);
  • dega armene, me gjuhët armene, frigjane dhe trakike;
  • dega shqiptare, krejt më vete në familjen indoevropiane, një nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit;
  • dega greke, me greqishten e vjetër dhe greqishten e re;
  • dega sllave, me bullgarishten, serbishten, sllovenishten, ukrainishten, rusishten, bjellorusishten, çekishten, sllovakishten, polonishten, maqedonishten;
  • dega baltike, me lituanishten dhe prusishten e vdekur;
  • dega gjermanike, me dy nëndegë: veriore (danisht, suedisht, norvegjisht, islandisht) dhe perëndimore (anglisht, hollandisht, gjermanisht, gotisht e vdekur);
  • dega kelte, me irlandishten, skocishten, bretonishten dhe uellsishten;
  • dega romane, me latinishten dhe gjuhët që rrjedhin prej saj;
  • dega italike, me gjuhët e vdekura oske dhe umbre.

Familjet e tjera të gjuhëve botërore:

  • familja ugro-fine (hungarisht, finlandisht, estonisht);
  • familja turke (turqisht, turkmenisht, tatarisht, kirgizisht etj.);
  • familja semite-hamite (arabisht, amhara, hebraisht e vjetër, fenikisht, kopte);
  • familja kaukaziane (gjeorgjisht, dagestane, çerkezisht, çeçenisht, abhazisht etj.);
  • familja samodike (gjuhë të Lindjes së Largët, Siberisë dhe Arhangelskut);
  • familja mongole;
  • familja tunguso-mançuriane;
  • familja kino-tibetiane (kinezisht, tajlandisht, tibetisht, birmanisht);
  • familja dravide (gjuhë të Indisë dhe Sri Lankës: telugu, tamil, kanare, malajalam);
  • familja austro-aziatike (mon-khmer, munda);
  • familja malajo-polineziane (indonezisht etj.);
  • familja australiane;
  • familja papua;
  • familja sudaneze;
  • familja bantu (Afrikë);
  • familja paleoafrikane;
  • familja paleoaziatike (gjuhë të Azisë Veriore dhe Amerikës Veriore);
  • familja eskimeze;
  • familja e gjuhëve të indianëve të Amerikës.


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *