Sunday

14-12-2025 Vol 19

Promovohet në Bukuresht romani i Luan Starovës “Librat e babait”

 Sipas Zyrës së shtypit ALAR, më 19 nëntor 2025, në Bukuresht, në një atmosferë të ngrohtë dhe të përzemërt, u promovua romani “Librat e babait” i shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova. Promovimi u zhvillua në Bibliotekën “Ion Creangă” dhe u organizua nga Shtëpia Botuese Asdreni (Craiova), në bashkëpunim me Lidhjen e Shqiptarëve në Rumani (ALAR), si dhe në partneritet me Bibliotekën Metropolitane dhe Bashkinë e Bukureshtit.
Në promovim morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të kulturës: deputeti Bogdan-Alin Stoica, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu (kryetar i ALAR), Dr. Luan Topciu (koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR), si dhe Radu Antohi, sekretar shteti në Ministrinë e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor të Rumanisë. Nga familja e autorit ishin të pranishme Prof. Dr. Gëzime Starova dhe Prof. Dita Starova-Qerimi, të cilat ndanë emocionet e një mbrëmjeje kushtuar kujtesës së shkrimtarit, profesorit, diplomatit dhe studiuesit, Luan Starova.

Romani është përkthyer në gjuhën rumune nga Cătălina Frâncu. Folësit theksuan se “Librat e babait” është një nga veprat themelore të Starovës, e përkthyer në mbi 20 gjuhë dhe e renditur ndër veprat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore ballkanike.
Në fjalën e tij, deputeti Bogdan-Alin Stoica falënderoi organizatorët dhe vuri në pah kontributin e Luan Topciut dhe Renata Topciu-Melonashit për përkushtimin e tyre afatgjatë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së autorit në Rumani, përmes botimesh të herëpashershme në periodikë dhe revista letrare nga krijimtaria letrare dhe shkencore e Luan Starovës. Ai theksoi se mbështetja e tyre e pandërprerë ka qenë vendimtare në përpjekjen e përbashkët për ta mbajtur gjallë veprën e shkrimtarit.
Gjatë prezantimeve u ofruan analiza dhe komente mbi romanin, i cili përbën vëllimin e parë të një sage ballkanike. Starova trajton me ndjeshmëri temat e historisë, dëbimit dhe identitetit nën tre prej regjimeve më të trazuara të shekullit XX, osman, fashist dhe stalinist. Përmes rrëfimit që ndjek jetën e prindërve të tij gjatë viteve 1926–1976, autori sjell një perspektivë fëmijërore mbi marrëdhëniet njerëzore në një sfond politik në ndryshim të vazhdueshëm, duke i dhënë romanit një ton elegjiak mbi fuqinë e librave si bartës të kujtesës. Folësit nënvizuan se, në një realitet ku gjithçka tjetër mund të humbasë, janë pikërisht librat ata që i rezistojnë kohës dhe ruajnë shpirtin e personazhit.
Mbrëmja u bë dhe më emocionuese dhe prekëse nga ndarja e kujtimeve për shkrimtarin e madh me të pranishmit nga zonja prof. Gëzime Starova, bashkëshorte e autorit si dhe nga vajza e tij prof. Dita Starova-Qerimi.
Libri ka mbërritur në të gjitha bibliotekat e vendit si dhe në Bibliotekat Universitare. U rikujtua figura e Luan Starovës si shkrimtar biling, diplomat dhe një nga zërat më të rëndësishëm të kulturës europiane me ndikim ndërkombëtar. Të pranishmit vlerësuan përkthimin dhe botimin e ri si një hap të rëndësishëm në njohjen dhe qasjen më të gjerë ndaj krijimtarisë së tij në hapësirën rumune.
Promovimi la pas një përshtypje të thellë: një mbrëmje reflektimi mbi kujtesën, identitetin dhe dashurinë për librin, një homazh i denjë për trashëgiminë letrare të Luan Starovës.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *