Sunday

14-12-2025 Vol 19

Për kë do votosh ti xhaxhi?

Nga Boris MISKA

Megjithëse nuk ka zgjedhje, fushata vazhdon. Kjo të jep imazhin sikur jemi gjithnjë në “fushë”, si dikur, herë për mbjellje e herë për korrje. Sot këta nuk mbjellin fare, veç na korrin…, votat, kuptohet…

Isha duke ecur në rehatin tim, t’u vërshëlly për shtatë palë qejfe, mirpo ma ndërprenë avazin dy goca të reja që ma afruan mikrofonin ke hunda, duke më pyetur pa teklif:

Për kë do votosh ti, xhaxhi?!

Kuptohet, lashë këndimin dhe fillova të recitoj. Nuk e di pse isha karikuar mirë e doja të zbrazesha.

Xhaxhi moj goca do votojë vetëm për atë ëndërrus/en bashkiak/e që vjen tek unë.

Shqyen sytë të dyja, duket ngaqë prisnin që unë të përmendja emër, parti, t’ia filloja herë me të djathtën e herë me tjetrën, të majtën.

Dëgjoni xhaxhin, – e ula pak zërin, – do i thoni atij, asaj që ju ka nxjerr këtu, se unë do ua jap veç në atë rast kur afroheni ke pallati im, te rrugët aty rrotull, trotuaret, parkimet, plehrat; rregulloni me ligj administrimin e shkallëve e ku di unë ç’a tjetër!

Se po ja filluan me ato parrullat: “Do ua kthejmë qytetin qytetarëve”, “Jo ujë gjithë ditën e drita 24 orë”, kan me ju bo i top t’madh mileti, si ua bëri këtë radhë. Në atë kohën tonë këtyre broçkullave u thonim: pordhë me rigon.

Në këtë moment njëra nga gocat qeshi, ndërsa tjetra thithi hundët, a thua se lëshova gjë në atë çast.

Dhe mbajeni mirë mend, shenojeni se: xhaxhi do votojë për atë që mi zgjidh këto gratë që ecin të lidhura për krahësh nëpër trotuare, dhe që mi bën zap këta burra qurramanë që hedhin bështyma e… bazë nëpër rrugë.

Kaq i them.

Në këtë kohë goca uli mikrofonin, ndërsa tjetra iku me vrap. Se mora vesh a shkoi me ja thënë direkt bashkiakes, apo iku me vjell mbrapa shkurreve që rrethojnë sheshin Skënderbej!


perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *