Sunday

14-12-2025 Vol 19

Manastiri i Alfabetit dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”

Qyteti i Manastirit, si qendër administrative-politike gjatë shekullit XIX, u rrit nga një kaza e vilajetit me të njëjtin emër. Qyteti ishte qendër e Armatës III të Ushtrisë Osmane dhe qendër e përfaqësive konsullore të Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike. Nga pikëpamja arkitekturore, ai filloi të ndryshojë pamjen e tij: nga një qytet tipik oriental, në një qytet të përzier mes Lindjes dhe Perëndimit. Me rritjen e numrit të popullsisë, qyteti u bë qendra e Vilajetit të Rumelisë.

Në mesin e shekullit XIX nisi të zhvillohej zejtaria dhe tregtia, duke e lidhur qytetin e Manastirit me ekonominë evropiane. Fillimet e bashkëpunimit me firmat e huaja i përkasin viteve 1860–1864, kur një kompani zvicerane me seli në Zyrih hapi dy fabrika: njëra për prodhimin e birrës dhe shkrepseve, dhe tjetra për pastrimin e vajit. Fondi i tokës ishte në duart e pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, megjithatë prodhimi ishte i bollshëm dhe nxirrej në treg. Edhe blegtoria ishte një degë e zhvilluar e ekonomisë së qytetit.

Po ashtu, më 1888 u hap “Banka Agrare Osmane” dhe pas një viti u hap “Banka e Selanikut” me degët e saj në Manastir, Shkup dhe Kumanovë. Në vitin 1903, në qytetin e Manastirit u hap edhe një filial i “Bankës Osmane” (Osmanli Bankası).

Edhe në infrastrukturën rrugore, Manastiri u bë qendër lidhjeje mes porteve të Durrësit dhe Selanikut. U rikonstruktuan rrugët me rëndësi: Manastir–Janinë, Manastir–Tetovë, Manastir–Gradsko, Manastir–Selanik, Manastir–Durrës. Në vitin 1894, qyteti i Manastirit u lidh me Selanikun dhe portin e tij edhe me hekurudhën, e cila shërbente jo vetëm për transportin e njerëzve, por edhe të mallrave të eksportit dhe importit. Rëndësi të madhe për shqiptarët mori ndërtimi i hekurudhës Manastir–Mitrovicë.

Ky zhvillim i qytetit, në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, e vuri atë në qendër të lëvizjeve kombëtare të popujve të shtypur, veçanërisht të shqiptarëve. Shqiptarëve u rrinte ende në kujtesë masakra e 9 gushtit 1830, ku u shfarosën me pabesi mbi 1000 fisnikë shqiptarë në një tribunë, dhe kokat ua çuan të kriposura në Stamboll. Kjo masakër zhduku krerët më të rëndësishëm të Lëvizjes shqiptare të jugut.

Kjo situatë u bë shkak që shqiptarët të krijonin çeta dhe komitete për shpëtim kombëtar. Një prej tyre ishte “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”*, i cili sipas arkivave është krijuar më 18 qershor 1878, por në të vërtetë, sipas disa letërkëmbimeve të Dora d’Istrias me Jeronim De Radën, kjo organizatë është krijuar qysh me fillimet e lëvizjes garibaldine.

Ka shumë rëndësi të thuhet se në Kongresin e Manastirit, shumë pjesëtarë të kësaj organizate të rithemeluar ishin në mbrojtje të Kongresit, siç ishte Bajo Topulli, apo doktor Haki Mborja, mjeku i Bashkisë së Manastirit. Sipas dokumenteve të kohës, ishte dr. Haki Mborja që krijoi çetën e parë patriotike me bashkomandat të krishterë Vangjel Gjikën që më 1908-n, pak ditë pas pas Kongresit të Manastirit që u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky Kongres mbi çështjen e ndërlikuar të alfabetit shqip, nën kryesinë e Mid’hat Frashërit, me nënkryetar Gjerasim Qiriazin dhe sekretar Luigj Gurakuqin.

Historia e alfabetit të shqipes është shumë e gjatë dhe e ndërlikuar: lidhet ngushtë me fillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Perandoria Osmane. Nis me alfabete të përdorura nga persona të veçantë, vijon me të tjerë, të përdorur nga shoqëritë e para jashtë e brenda atdheut, si Shoqnia e Stambollit, “Bashkimi” dhe “Agimi” i Shkodrës, e shkon deri më 12 nëntor 1908, kur në Manastir u mblodh Kongresi që kishte për qëllim vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm.

Kongresi u organizua nga shoqëria “Bashkimi” dhe u propagandua nga Mid’hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:

“… Ardhi një ditë e pëlqyer për historinë tonë, që të nisim liruar e papengim të punojmë për mbrojtjen e lumturinë e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, por me kartë e pendë. Andaj kjo çështje e abecesë lipset të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimet tona të larta për mbrojtjen e gjuhës.”

Në Kongres morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë vendit. Ndër pjesëmarrësit e shquar ishin At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Avrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni; si dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.

Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e At Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit dhe për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar.

Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:

  • alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës, i propozuar nga dom Ndre Mjeda;
  • alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prend Doçi;
  • alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri.

Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë: alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shihnin si zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit.

Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit dhe të Stambollit. Të dy mund të përdoreshin në shkolla dhe në botime. Pranimi i vendimit do të kërkonte ende kohë, por me këtë kompromis, Kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit te alfabeti i tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemikat dhe kundërshtimet, e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.

Rrethanat në të cilat zhvilloi punimet Kongresi i Manastirit nuk ishin të favorshme për shqiptarët. Xhonturqit dhe shovinistët grekë tentonin me çdo kusht të fusnin përçarjen dhe të deformonin çështjen e Kongresit nga qëllimi final. Kongresi, edhe pse nuk miratoi një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe, për hir të ruajtjes së unitetit kombëtar la në përdorim dy alfabete me bazë alfabetin latin. Shumë shpejt u vërtetua se alfabeti i “Shoqërisë Bashkimi” ishte më i lehtë në përdorim dhe më i kapshëm.

Shkodra ishte qyteti i parë që përkrahu shkronjat latine. Etërit jezuitë, qysh prej 19 vjetësh, nxirrnin gazetën e tyre “Elçija e Zemrës së Krishtit” me gërmat e autorëve që përdornin alfabetin e Frang Bardhit, dhe u bënë të parët që përkrahën alfabetin latin. Edhe pse nuk patën përfaqësues, ata i dërguan një telegram Kongresit ku ndër të tjera shkruanin: “Cili do alfabet që do të vendoste Komiteti i Manastirit, do të jemi të parët që do ta zbatojmë.” Dhe në numrin e parë të gazetës që nxorën pas mbylljes së punimeve të Kongresit të Manastirit, ata futën menjëherë në përdorim alfabetin latin të vendosur në atë Kongres.

Pas vendimeve të Kongresit të Manastirit pati një dhunë të paparë si nga xhonturqit, ashtu edhe nga shovinistët grekë me Patriarkanën dhe klerin ortodoks grekoman, kundër shkrimit shqip dhe atyre pak shkollave shqipe që ishin hapur me aq shumë mundime dhe sakrifica në disa vise të Shqipërisë.

Kongresi i Manastirit është dhe ka qenë i një rëndësie të madhe jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare, por edhe për historinë politike të popullit shqiptar. Patriotët shqiptarë, si demokratë të vërtetë, e shndërruan këtë manifestim politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke i treguar të gjithë botës se populli shqiptar ishte një dhe i pandarë.

Zgjedhja e një alfabeti latin i dha fund kaosit që shkaktohej nga përdorimi i shumë alfabeteve; i parapriu procesit të unifikimit të kombit; i dha fund divergjencave mes myslimanëve dhe të krishterëve, mes toskëve dhe gegëve; i dha fund ndasive krahinore mes shqiptarëve, por mbi të gjitha shtroi rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë.

Kongresi i Manastirit pati jehonë të madhe në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporën e saj kudo në botë, si në Evropë dhe Amerikë. Menjëherë pas mbylljes së punimeve të Kongresit shpërtheu një Lëvizje Kulturore Kombëtare, siç ishte thirrja e kongreseve të njëpasnjëshme mbarëshqiptare për çështje të veçanta të kulturës dhe për probleme të tjera politike të ditës.

Kongresi i Manastirit u pasua nga Kongresi i Elbasanit (shtator 1909) dhe nga Kongresi II i Manastirit (prill 1910), pa përmendur kongreset e planifikuara në Janinë dhe Shkup, si dhe Kongresin II të Elbasanit, të cilët nuk arritën të mbahen për shkak të shpërthimit të reaksionit xhonturk.

Njëri nga patriotët më të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, rilindasi Dervish Hima, pas fitores së Revolucionit Xhonturk u kthye në Shqipëri dhe kundërshtoi me forcë politikën antishqiptare të xhonturqve. Në vjeshtën e vitit 1908 u arrestua në Shkodër nga xhonturqit, të cilët, nën presionin e atdhetarëve shqiptarë, u detyruan ta lironin nga burgu i Selanikut pas katër muajsh burg.

Zgjedhja e rrugës së konfliktit të armatosur me shqiptarët dhe politika turqizuese e komitetit “Bashkim e Përparim” e thelluan edhe më tej konfliktin midis shqiptarëve dhe Portës së Lartë. Në ditën e njëvjetorit të shpalljes së kushtetutës, “Komiteti Qendror Bashkim e Përparim” vendosi të mbledhë Kongresin e Dibrës. Xhonturqit shpresonin të arrinin ato objektiva që nuk i përmbushën me ekspeditat e Xhavit Pashës, pra t’i nënshtronin shqiptarët dhe t’i largonin nga lufta e tyre për çlirim kombëtar.

Ata i dhanë Kongresit karakter osman duke ftuar përfaqësues të kombeve të tjera të Turqisë evropiane. Klubet shqiptare, duke vepruar me shpejtësi dhe energji, arritën të dërgonin në Kongresin e Dibrës një grup atdhetarësh të devotshëm, midis të cilëve: Dr. Ibrahim Temo, Loni Logori, Sotir Peci, Vehbi Efendi Dibra, Hafiz Ali Korça, Feim Zavalani, Abdyl Ypi, Aqif Pashë Elbasani, Beniamin Nosi etj., si dhe Dervish Hima, delegat i klubit “Bashkimi” nga Manastiri dhe i klubit “Shpëtimi Publik” nga vendlindja e tij, Ohri.

Xhonturqit u orvatën t’u impononin delegatëve një program osmanizues, të përgatitur më parë, thelbin e të cilit e përbënte osmanizmi dhe besnikëria e gjithë popujve ndaj Perandorisë Osmane. Këto përpjekje hasën në rezistencën e patriotëve shqiptarë, të cilët u shprehën për një program me kërkesa kombëtare, si: shpallja e gjuhës shqipe si gjuhë e detyrueshme në të gjitha shkollat ekzistuese, emërimi i nëpunësve shqiptarë nëpër viset shqiptare, hapja e shkollave shqipe në të gjithë Shqipërinë etj.

Në krye të atyre shqiptarëve që patën kurajë dhe guxim të thonë: “S’duam të nënshkruajmë verbërisht ç’tu vihet përpara. Ne duhet të veçohemi si komb nga turqit dhe kundërshtojmë përpjekjet për të na imponuar doktrinën tuaj të osmanizimit”, ishte atdhetari trim Dervish Hima.

Aritjet e shqiptarëve në këtë Kongres, edhe pse të vogla, Dervish Hima i shikonte si pararendëse të autonomisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ato ishin, sikurse shprehej shtypi i kohës: “Një shuplakë, e cila sado e vogël dhe e dobët, ishte e mirë.”

*)- https://sq.wikipedia.org/wiki/Shoq%C3%ABria_e_Zez%C3%AB_p%C3%ABr_Shp%C3%ABtim


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *