Sunday

14-12-2025 Vol 19

Ata nuk e paskan thjeshtë me ty Belinda!

Një reagim nga larg

nga Boris MISKA

Belinda ishte foshnjë kur përfundoi së bashku me familjen në Roskovec. Quheshin të dëbuar, në internim, me damkën në shpinë: ARMIQ! Sot, grua, njeri i rritur, femër në karrierë, ministre e pse jo edhe zëvendëskryeministre.

Pak ditë para dëbimit, foshnja Belinda e kishte gjyshin, zëvendëskryeministër të parë, burrë me pushtet, ministrin më jetëgjatë të mbrojtjes, personalitet që fati dhe lufta për pushtet i kushtuan jetën. E bëra këtë hyrje sepse u bënë ditë që mbesës së tij, dikur foshnjë e internuar, tash si gjyshi zëvendëskryeministre, po i tundin prangat.

Nuk e di pse po ia tundin kërcënimin, as nuk kam ndërmend të bëj analizën nëse e meriton apo jo këtë ndëshkim, por po ta kisha ballë për ballë do t’i thoja nja dy fjalë:

Belinda!

Edhe unë e kam pasur pasion politikën, bile në diplomën e shkollës së lartë e kam të cilësuar “punonjës i shkencave politike”, por i kam qëndruar larg asaj, politikës. Pse? Sepse nuk doja të hyja në këtë terren të pisët, e aq më tepër të përzieja emrin e familjes, konkretisht të babait tim, që ashtu si gjyshi yt, ishte jo pak kohë ministër e dy herë zëvendëskryeministër.

Unë “zura mend” se isha i rritur, ndërsa ti, foshnjë e internuar, harrove! Tani duhet të përballesh, por e kam të vështirë ta besoj se mund t’ia dalësh. Pse? Sepse e ndiej që falangat, pinjollët e ish-goditësve të gjyshit nuk e kanë thjesht me ty, nuk janë ngopur me aq; dukshëm duan ta ripushkatojnë gjyshin tënd, atë tiranasin me emër, guerilas të orëve të para, gjeneralin dhe personalitetin me peshë në figurat politike të kohës, burrë që ia kishin vërtet frikën.

Ata nuk ngopen: janë pas shpine, klan, hije, mallkim, burracakë, të pabesë, por fatkeqësisht kanë pushtet, e nga kjo të trembin. E njohura dhe e padukshmja të trembin! Unë e kam këtë frikë, i njoh kokërr për kokërr, ndaj qëndrova larg politikës, nuk ua dhashë këtë shans, të na rigodisnin.

Ti, foshnjë e internuar, dukesh naive, harrove, u fute në lojë, në terrenin pa rregulla e ligje, xhungël që të thith pa mëshirë. Të shikoj tani, Belinda, foshnjë e internuar, dhe më dhimbsesh, por më shumë të qortoj jo për fajet sesa për mundësinë që ua dhe me dorën tënde t’u riekzekutojnë, t’u riinternojnë edhe një herë, ashtu si 51 vjet më parë, të panginjur me dhimbjen tuaj, me jetët tuaja, me burgjet tuaja.

Ata nuk e kanë thjesht me ty, o Belinda, por me gjyshin tënd, me atë që e shkelën me këmbë, e futën në ingranazhet dërrmuese të pushtetit. Duket se nuk ta kanë mësuar të vërtetën, vajzë naive e dikur internuar, dhe ke besuar se kohët kanë ndryshuar. Gabove!

NY, 28.10.25


perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *