
(Gjeneral Mehmet Pashë Deralla, i ulur majtas, bashkë me disa ushtarë)
Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, lindja e shteteve të reja në Ballkan hapi oreksin e tyre për copëtimin e Shqipërisë. Dalja në skenë e Italisë, pas fuqizimit të saj në fillim të shekullit XX, ishte një rast tjetër që ky truall të bëhej i lakmuar nga kjo fuqi e madhe, e cila sapo dilte në skenën botërore. Shqipëria ka qenë historikisht vend i lakmuar, pasi ka një pozitë gjeografike në rajonin problematik e të ndërlikuar ballkanik. “Rrethimi” i saj nga popullsia shqiptare në pothuajse të gjitha anët përbën një element krejt të veçantë në historinë botërore. Qysh në periudhën e Perandorisë Romake, trualli shqiptar ishte i lakmuar, pasi mundësonte kalimin e trupave të kësaj perandorie drejt kontinentit aziatik, pa qenë nevoja për përdorimin e flotave detare, që kishin një kosto më të lartë. Për të njëjtin qëllim, ajo ishte tokë e preferuar edhe për Perandorinë Bizantine. Perandoria Osmane e pati shpesh truallin shqiptar si një mundësi apo kufi ekstrem në luftën për pushtimin e Evropës.
Pozita gjeografike është një element që duhet marrë në konsideratë në ndërtimin e politikave të sigurisë së një vendi apo në llogaritjen e fuqisë kombëtare. Popullsia dhe numri i saj, prirjet dhe struktura demografike janë elementë që kanë efektet e veta në fuqinë kombëtare. Populli shqiptar, i ndarë në disa shtete të Ballkanit dhe i njohur me shumë emra si “Ilirë”, “Albanë”, “Arbëreshë”, “Dardanë”, “Epirotë”, “Arnautë”, “Shqiptarë”, është ndër themeluesit e qytetërimit gadishullor dhe kontribues autentik të kulturës e civilizimit evropian. Studiuesit dhe shkrimtarët bizantinë në shekullin XI përmendin për herë të parë emrin “shqiptar” si pasardhës të ilirëve.
Vija e Teodosit i ndau shqiptarët përgjysmë në dy kisha: në njërën të krishterët katolikë dhe në tjetrën të krishterët ortodoksë. Kjo ndarje nuk arriti ta shpërbënte politikisht dhe etnokulturalisht popullin shqiptar, i cili i mbijetoi ndarjes së Perandorisë Romake në dy perandori të mëdha të besimit kristian. Këto dy momente përbëjnë provat më të mëdha të autenticitetit dhe integritetit të identitetit shqiptar.
Lavdia e luftrave skënderbejane e lartësoi emrin e shqiptarit në Evropë. Errësira që mbuloi vendin pas vdekjes së Skënderbeut nuk i zbeu vlerat e autoktonisë dhe identitetit të kombit shqiptar. Fjalët e rilindasit Vaso Pasha, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, janë pothuajse njëlloj të vlerësuara nga të tre besimet fetare. Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe Fan Noli, përfaqësues të tri feve, ishin gjithashtu figura me ndikim në historinë e kombit shqiptar. Është domethënës fakti se Heroi Kombëtar Skënderbeu është i pranuar në mënyrë absolute dhe i pakontestueshëm në të gjitha trojet shqiptare, edhe aty ku shumica është myslimane.
“Kulti i besës” tek shqiptarët është kulti i fjalës së dhënë, “lidhja” në fjalë, që për shqiptarët përbën autoritetin më të lartë. Besa është testament moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Shqiptari është i gatshëm të humbasë gjithçka, por jo të thyejë besën ose fjalën. Shqiptarët janë trima dhe burra. Ata e çmojnë shumë trimërinë, por sidomos “burrninë”. Një shqiptar pa burrni nuk ka qenë kurrë i vlerësuar, pasi në mendësinë shqiptare burri nuk vlerësohej vetëm nga gradat dhe pasuria, por mbi të gjitha nga burrëria.
Shqiptarët janë tolerantë, njerëz që dinë të falin, mëshirëmëdhenj, që të gjenden pranë në hall e vuajtje, që vuajnë së bashku me vuajtësin edhe kur ai u ka rënë në qafë. Në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, megjithë masakrat që kryen malazezët në veri të Shqipërisë, shqiptarët asnjëherë nuk pranuan, as në betejat më të vështira, të ndërmerrnin masakra ndaj fshatrave të paarmatosura matanë kufirit, qoftë edhe duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë ushtrive pushtuese.
Nga popujt më të vlerësuar në perandoritë e mëdha, shqiptarët pikërisht për këto cilësi u vlerësuan si prijës e komandantë të zotë. Ata arritën të zënë poste të rëndësishme në Perandorinë Osmane dhe luajtën rol të rëndësishëm në ecurinë e saj për shumë kohë. Shqiptarët ishin një faktor shumë i rëndësishëm i luftërave për pavarësi kombëtare në pothuajse të gjitha shtetet ballkanike gjatë shkëputjes nga Perandoria Osmane, si Greqia, Italia, Rumania, Mali i Zi etj.
Historiani amerikan Ferdinand Schevill, duke analizuar pozitën e shqiptarëve në shekullin XIX, shkruan: “Duke qenë një popull analfabet dhe i paorganizuar, shqiptarët nuk mundën të krijonin një propagandë dhe njihnin vetëm gjuhën e revoltës dhe pushkës. Megjithatë ata ishin shumë të aftë në përdorimin e këtyre mjeteve dhe shpesh u përdorën nga turqit meqë kishin të njëjtën fe me otomanët”.
Shumica e karakteristikave të shqiptarëve në periudhën e mesjetës përputheshin me ato të një luftëtari trim, të guximshëm, të paepur dhe të duruar në vuajtje. “Nizamët shqiptarë” ruanin identitetin e tyre, lidhjet me familjen dhe fisin e origjinës gjatë tërë kohës së shërbimit ushtarak, kohë që zgjaste ngandonjëherë me dekada. Pikërisht për këtë identitet të dallueshëm ata quheshin në qendër të Perandorisë dhe kudo ku shërbenin “arnautë”. Arnautët u ngjitën në shkallët më të larta të ushtrisë osmane dhe shërbyen në të gjitha skajet e perandorisë.
Bajroni, poeti i madh anglez që udhëtoi nëpër Ballkan e Shqipëri, në poemën e tij “Çajld Harold”, i mrekulluar nga mikpritja e shqiptarëve dhe virtytet e tyre, shkroi: “Të rreptë bijtë e shqipes, por vetitë e tyre ishin më të arrira”.
Rilindja shqiptare, arsimi, shkollat, librat, dija dhe kultura evropiane erdhën vonë në Shqipëri, megjithëse pushtuesit kishin bërë gjithçka për ta asimiluar këtë popull. Por shqiptarët pranuan unanimisht të identifikohen si një “popull me kahje e prirje perëndimore”.
Ismail Qemali, diplomat i regjur dhe politikan i shquar, deputet në Parlamentin e Turqisë, e dinte mirë nevojën e krijimit të një force të armatosur shqiptare në kushtet e një politike pothuajse kaotike të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, ku forca kishte po aq rëndësi sa edhe diplomacia. “Më 1912-1913, strukturat kryesore ushtarake ishin Forcat Aktive, Rezerva, Vullnetare, si dhe Xhandarmëria me 12.000 pjesëtarë gjithsej”, gjë që tregon dhe gjendjen e vështirë ku ndodhej qeveria.
Ismail Qemali caktoi si Ministër të Luftës Gjeneral Mehmet Pashë Dërrallën, nga Gradeci i Tetovës, i arsimuar në Akademinë e Shtatmadhorisë në Stamboll dhe që kishte arritur funksione të larta në ushtrinë osmane, ku ishte graduar “Pasha”-Gjeneral. Ai ishte një nga mbështetësit e tij dhe një ndër iniciatorët për Pavarësinë e Shqipërisë. Mehmet Dërralla kishte qenë komandant i Vilajetit të Kosovës dhe komandant i Qarkut të Prizrenit. Gjeneral besnik i Ismail Qemalit, nuk pati kohë e as mundësi të bënte më shumë, pasi ngjarjet rrokulliseshin më shpejt se koha.
Pranë Dërrallës, i pari Shef i Shtabit të Përgjithshëm u caktua Major Ali Shefqet Shkupi (maj 1913 – janar 1914), për të organizuar ushtrinë si kryetar i Shtatmadhorisë. I lindur në Pejë të Kosovës në shtator 1883, ai kishte përfunduar në vitin 1905 studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Stamboll, me gradën kapiten shtatmadhorie. Më 1908 kishte shërbyer në Armatën e Tretë në Maqedoni dhe më 1910 u kthye në Stamboll. U vu në shërbim të Ushtrisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
Shtabi Madhor e kishte qendrën në Vlorë, pranë Ministrisë së Luftës (të Mbrojtjes Kombëtare) të Qeverisë së Përkohshme, me përgjegjësi për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimtarisë luftarake. Ky shtab merrej drejtpërdrejt edhe me çështje që kishin lidhje me organizimin dhe kryerjen e luftimeve në mbrojtje të pjesës jugore e juglindore të Shqipërisë kundër shovinistëve grekë, por edhe në pjesën verilindore të vendit, me stërvitjen dhe veprimtarinë e Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë shqiptare.
Më 1912, pas shpalljes së Pavarësisë, shumë ushtarakë të huaj punuan në Shqipëri. Në tetor të vitit 1913, me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh holandezë të kryesuar nga Koloneli De Veer dhe majori Thomson erdhën në Vlorë për të ndihmuar në ristrukturimin dhe përgatitjen e Xhandarmërisë shqiptare. Leon de Chilardy hyri në shërbim të Ushtrisë Shqiptare që në vitin 1913, ndërsa kapiteni austriak Hasler shërbeu si instruktor që prej vitit 1914.
Qeveria e Përkohshme e Vlorës, e drejtuar nga Ismail Qemali, ndërmori hapa të rëndësishëm për organizimin e shtetit të ri shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë më 1912. Përveç krijimit të strukturave ushtarake dhe emërimit të Gjeneral Mehmet Pashë Dërrallës si Ministër i Luftës dhe Major Ali Shefqet Shkupit si Shef i Shtabit të Përgjithshëm, u morën masa edhe në fushën e shëndetësisë.
Në këtë kuadër, u ngritën dy komitete të posaçme:

(Dr. Ali Mihali)
Komiteti për Mbrojtjen e Shëndetit të Popullatës Civile, me Kryetar Dr. Ali Mihali, i cili kishte për detyrë të kujdesej për higjienën, mbrojtjen nga sëmundjet dhe organizimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët.

(Dr. Haki Mborja)
Komiteti për Mbrojtjen e Shëndetit të Ushtrisë, me Kryetar Dr. Haki Mborja, i cili kishte si mision sigurimin e kujdesit shëndetësor për trupat shqiptare, mbrojtjen nga epidemitë dhe garantimin e kushteve mjekësore gjatë veprimtarive luftarake.
Këto masa tregojnë se Qeveria e Vlorës, përveç organizimit politik dhe ushtarak, i kushtoi rëndësi edhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës dhe ushtrisë, duke e parë atë si pjesë të domosdoshme të fuqisë kombëtare dhe të mbijetesës së shtetit të ri shqiptar.
Nga Timoleo GURI