Sunday

14-12-2025 Vol 19

Jeronim De Rada – frymëzuesi i Rilindjes Kombëtare

Jeronim De Rada (19 nëntor 1814 – 1903)

U lind në Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në Kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit të vitit 1848 e mbylli gazetën dhe, i zhgënjyer, u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve ’60 të shek. XIX.

Që nga viti 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861), botoi veprat Lashtësia e kombit shqiptar (Antichità della nazione albanese, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (Rapsodie d’un poema albanese, 1866), që luajtën rol të rëndësishëm në propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane dashamirëse të Shqipërisë, duke ndjekur me interes të gjallë ngjarjet në atdhe.

Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar për çështjen kombëtare dha me revistën “Flamuri i Arbërit”, që botoi në vitet 1883–1885. Në Testamentin politik (1902) shprehu optimizmin për të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë ndaj politikës imperialiste të Italisë kundrejt atdheut të të parëve.

Ai zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi vëmendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është ndër të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë, si dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe.

Bëri përpjekje të vazhdueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes, që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes: i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). Ai dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë, deri sa vdiq.

Mjaft e gjerë është edhe veprimtaria poetike e De Radës. Nisi të botojë që herët, por shkrimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema liriko-epike Këngët e Milosaos (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet vetëm me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi ideja e detyrës ndaj atdheut dhe gatishmëria për ta mbrojtur atë.

Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shek. XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të cilën poeti punoi në vitet 1839–1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada e rimori këtë subjekt në poemën Pasqyra e një jete njerëzore (1898), duke e zgjeruar dhe duke trajtuar problematikën më aktuale të kohës: luftën kundër pushtuesit osman.

Vepra më e rëndësishme e De Radës është Skënderbeu i pafat, të cilën e mbajti në dorë për një kohë të gjatë (1837–1896). Në të janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që frymëzoi veprën e tij. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV: bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetën e lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme përballë sulmeve të egra të armiqve.

Heroi kombëtar shfaqet si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe heroizmin e tij të ngrejë popullin në luftë çlirimtare të pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafat është kryevepra e De Radës; në të u dukën qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut.

Si poet, sidomos me Këngët e Milosaos, De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.

Në vitin 1864 De Rada e zgjeroi më tej këtë tematikë me njohuri më të thella në librin “Antichità della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar). Në këtë vepër ai e lidhte lashtësinë e popullit shqiptar ngushtë me pellazgët, banorët më të hershëm të identifikuar në histori.

Një studim tjetër mjaft i rëndësishëm i tij është “Pelasghi ed Elleni” (Pellazgët dhe helenët), botuar më 1885. Në këtë vepër De Rada vuri në dukje se të gjithë emrat e perëndive greko-latine shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Sipas tij, kjo ka një domethënie të madhe, sepse të gjitha këto perëndi ishin fillimisht perëndi të popullit pellazg, më të hershëm se grekët dhe latinët, të cilat më pas u huazuan dhe u tjetërsuan nga këto popullsi.

De Rada është studiuesi i parë që mbështeti mendimin se perënditë e lashta kanë prejardhje pellazge. Gjatë shekullit të kaluar dhe deri sot, shumica e studiuesve e kanë pranuar këtë mendim, megjithatë ende ka autorë që, nga padija ose me qëllim, ua atribuojnë këto perëndi grekëve apo latinëve.

Pellazgët konsiderohen populli më i lashtë i identifikuar në histori, që nga periudha e neolitit, në kulturën pellazge të Vinkës, Turdasit dhe Dispilio-s, gjatë mijëvjeçarit të VI p.e.s. Ata ishin të parët që përdorën gurin dhe baltën, prodhuan poçerinë e famshme, filluan përdorimin e arave dhe ngritjen e fermave, duke hedhur bazat e bujqësisë. Organizimi i ri i fermave, ku mbillej fara e bimëve (nga fjala pellazge/shqipe fara), ishte një formë më e përparuar krahasuar me mënyrën e vjetër të mbledhësve-gjuetarë.

Pellazgët ishin të parët që bënë tjerrjen e fijes dhe endjen e pëlhurës me vegjë të ndërtuara prej tyre; shpikën rrotën e parë në histori; përpunuan lëkurën dhe qumështin; prodhuan verën. Ata shfrytëzuan mineralet nga minierat dhe arritën të shkrihnin metalin – fillimisht bakrin, më pas arin dhe argjendin – duke prodhuar armë, vegla pune dhe zbukurime. Me anijet e tyre Direme dhe Trireme (me dy dhe tri radhë rremash) zotëruan detin, prandaj shpesh quhen “Njerëz të Detit”.

Shpikja e shkrimit ishte arritja më e madhe e tyre: gjuhën e tyre e shkruan me fjalët e para të njohura në botë, si “UIJ” dhe “DOR”, të gjetura në enë prej balte në Vinkë dhe Turdas. Për këtë arsye, nga Homeri dhe pasuesit e tij, pellazgët u quajtën “Pellazgë Hyjnorë”, si njerëz të ardhur nga qielli, të dërguar nga Zeusi.

Me këto dije dhe guxim të jashtëzakonshëm, pellazgët u përhapën në kontinente të ndryshme dhe i emërtuan sipas gjuhës së tyre. Megjithëse ky aspekt ka qenë mjaft i rëndësishëm në veprimtarinë e De Radës, duke lidhur shqiptarët dhe gjuhën shqipe me pellazgët, shumë studiues e kanë lënë në harresë, duke mos e vlerësuar sa duhet. Kështu, ata ulin vlerën e veprës së tij dhe rolin e saj në botën e dijes.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si një nga më të kulluarat dhe më të fuqishmet e letërsisë dhe kulturës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh, ndërsa tradita poetike e krijuar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe sot në letërsinë arbëreshe.

Pas Çlirimit, në Shqipëri janë botuar të përshtatura veprat e tij kryesore. Ai mban titullin “Mësues i Popullit”. De Rada ishte frymëzues në luftën për çlirimin e Italisë dhe mentor i shumë rilindasve shqiptarë.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *