Sunday

14-12-2025 Vol 19

DUKE KUJTUAR ANTIFASHISTIN E SHQUAR SALI MBORJA

Sali Mborja

(29 qershor 1909 – 19 NËNTOR 1990)


Nga Xhevdet SHEHU

Kur më 29 qershor 1909 në Mborje i lindi fëmija i parë, Dr. Haki Mborja ndodhej maleve me çetën e tij që e udhëhiqte bashkë me Vangjel Gjikën. Kishte rrokur pushkën e nisur luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Një muaj më pas, në fund të korrikut 1909, pra kur Sali Mborja ende nuk i kish mbushur 40 ditët që ish lindur, xhonturqit hakmerren e i vënë zjarrin shtëpisë dhe, mes flakëve, nëna me foshnjen në gji shpërngulet për tek njerëzit e saj që atë kohë jetonin në Perlep.

Në këtë shkrim nuk do të ndalemi gjatë për të treguar për Dr. Haki Mborjen (1881 – 1931). Madje do të mundohemi të flasim sa më përmbledhtas edhe për aktivitetin e djalit të madh të tij Sali Mborja në vitet e LANÇ-it dhe kontributin e shquar më pas si një ndër pionierët e parë të arsimit e universitetit shqiptar. Duke folur për një figurë të spikatur si e Sali Mborjes, rolin e tij gjatë LANÇ-it e në vitet pas Çlirimit, do të përpiqemi të sjellim dokumenta dhe të kundërshtojmë dy teza të pavërteta, të keqinterpretuara me qëllim rëndom nga ndonjë “historian” i kohëve të fundit.

Qysh më 1994 Prof. Xhemil Frashëri ishte i pari që kundërshtoi me prova tezën e gabuar që filloi të artikulohej atëherë se: “Nacionalistët, kontribuesit e pavarësisë, pasardhësit e tyre u lidhën të gjithë e u rreshtuan papërjashtim me Ballin Kombëtar.”. Në listën e gjatë të nacionalistëve që u lidhën ngushtësisht dhe luftuan trimërisht me Frontin Antifashist Nacional Çlirimtar, mes Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Omer Nishanit, Qiriako Haritos, Sulë Bahollit etj. etj., ai përmend edhe Sali Mborjen, djalin e Dr. Haki Mborjes.

Në shërbim të ndriçimit të saktë të së vërtetës për historinë e LANÇ-it, lidhur me këtë çështje, duke u ndalur tek figura e Sali Mborjes, nuk mund të mos përmendet që bëhet fjalë për të birin e Dr. Haki Mborjes, komandantit të çetave më të para për liri e pavarësi qysh më 1908. Sipas një dokumenti që Konsulli i Përgjithshëm i Mbretërisë së Serbisë në Selanik i dërgon më 12 nëntor 1911 (Nr. 5603) bëhet fjalë për lëvizjen e korresponentit special të “Times” të Londrës zotit Vuds, i cili “nga Mali i Zi shkoi në Jug të Shqipërisë dhe u takua me udhëheqësit më me autoritet të lëvizjes, në krye të së cilës qëndronte Dr. Haki Mborja me të cilin ishin bashkuar edhe prijsat e disa fiseve të tjerë.

(Dr. Haki Mborja dhe Vangjel Gjika në Shpat të Elbasanit, më 1911)


(Faksmile e dokumentit (Nr. 5603) që Konsulli i Përgjithshëm i Mbretërisë së Serbisë në Selanik i dërgon më 12 nëntor 1911, për lëvizjen e korresponentit special të “Times” të Londrës, Vuds)


”Historia dhe shtypi i kohës brenda e jashtë Shqipërisë dëshmojnë për Dr. Haki Mborjen, si komitin me arsim të plotë universitar që zuri i pari malet me pushkë në dorë, që bashkëpunoi ngushtësisht me Bajo Topullin, Mihal Gramenon, Spiro Ballkamenin, Qiriazët, etj. për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur që çoi më 1912 në pavarësinë e Shqipërisë. Mik i çmuar i Sali Butkës dhe më pas, në 1916, në themelimin e shpalljen e Republikës së Vetëqeverimit të Korçës ai duke qëndruar në krah të djathtë të Themistokli Gërmenjit dha një kontribut të pamohueshëm të asaj ngjarje historike. Janë të shumta gazetat e kohës që e cilësonin Dr. Haki Mborjen si humanistin, atdhetarin që luftoi me armë maleve, demokratin e republikanin e vendosur. Po mjaftohemi duke cituar dy tre fjali nga fjala e lamtumirës që Noli shkroi për të te “Republika” (Boston, 16 prill të 1931 nr.25): “Pas Mihal Gramenos na la shëndet edhe një tjatër veteran i çështjes, doktor Haki Mborja. Edhe ky lëftoi për indipendencën kombëtare me armë maleve e me propogandë fushave tërë jetën…” dhe në fund, duke folur për bindjet republikane të Dr. Haki Mborjes, shkrimi i Nolit mbyllet kështu: “…Kur Ahmeti u prokllamua sulltan doktor Haki Mborja nuk i dha votën. Hoqi dorë nga asemblea dhe nuk shkeli më në Tiranë. Ish i vetëmi nga asemblistët që kuxoi e bëri një trimëri të atillë nën terrorizmën e malokëve mercenarë”. Besoj se është e tepërt të sillen dëshmi të tjera se i biri i Dr. Haki Mborjes – Sali Mborja, kryetari i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të qarkut të Korçës rridhte drejtpërdrejt nga një familje e shquar atdhetare e me kontribute në periudhën e Rilindjes Kombëtare e të luftës për Pavarësinë.

Pasi mbaroi Liceun Francez të Korçës, Sali Mborja studion e diplomohet në Fakultetin e Shkencave në Toulouse (Francë), për t’u kthyer tashmë (‘40) si profesor po në liceun që kishte studiuar vetë në rini.

Pra siç e shpjeguam më sipër Sali Mborja i takon krahut të intelektualëve nacionalistë që u lidhën ngushtë me Luftën. Gjatë pushtimit, me gjithë përkëdheljet e fashizmit, ai u hodh tërësisht në lëvizjen antifashiste. Në vitin 1942 që me krijimin e Këshillit të parë Antifashist Nacional Çlirimtar të Korçës zgjidhet kryetar i tij, detyrë që e kreu me përkushtim deri në janarin e vitit 1944, kur zgjidhet kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të qarkut. Prej vitit 1944 deri në 1946, ka qënë kryetar i këshillit Naciolal Çlirimtar të qarkut të Korçës.

(Sali Mborja [me shenjë të kuqe] në Labinot Mal, mars 1943)


(Në këtë foto (Kolonjë – 1943) i dyti (nga e majta në të djathtë) ulur, me xhaketë, jelek dhe me kilota me kuadrate, është Sali Mborja – Kryetar i Qarkut të Korçës, së bashku me kuadro kryesorë drejtues partizanë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si: Nexhip Vinçani, Pellumb Dishnica, Riza Kodheli, Teki Kolaneci, Petrit Dume, Muhamet Prodani, Koço Theodhosi, Todi Lubonja, Hulusi Topollaj, Behar Shtylla etj.)


(Sali Mborja – duke folur në Kongresin e Përmetit në cilësinë e kryedelegatit të qarkut të Korçës)


Gjatë Operacionit të Dimrit më 1943 bashkë me Haxhi Lleshin, Medar Shtyllën e Manol Konomin inkuadrohet në shtabin e Brigadës IV. Me mbarimin e Operacionit u vendos në Lavdar të Oparit ku u ngrit selia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Sali Mborja ishte delegat i qarkut të Korçës në Konferencën II në Labinot (4 – 9 shtator ’43), në Kongresin e Përmetit (24 maj ’44) ku u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, si edhe në Berat, (22 tetor ’44) ku u zgjodh anëtar i Kryesisë së Frontit Nacional Çlirimtar .

Në Konferencën e Mësuesve Antifashistë të qarkut që u zhvillua në Lozhan në pranverë të 1944, Sali Mborja ishte një nga organizatorët e saj, mbajti referatin kryesor dhe u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Mësuesëve Antifashistë të Qarkut Korçë.

Në dhjetor 1945 zgjidhet deputet i Asamblesë Kushtetuese dhe sekretar i kryesisë së saj. Nga viti 1946, për 6 legjislatura radhë ka qenë deputet i Kuvendit Popullor dhe sekretar i Kryesisë së tij.

Besojmë se është me interes publikimi i dy letrave falënderuese që “Prof. Sali Mborja, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit N-Çl të Prefekturës së Korçës” ka marrë më 21 qershor të 1945 nga Kryetari i Misionit Amerikan J. E. Jacobs. Një letër të tillë, madje në një stil edhe më konfidencial, më parë, më 13 maj 1945, Sali Mborja kishte marrë edhe nga Kryetari i Misionit Ushtarak Anglez. Në letrat e tyre, të dy krerët e misioneve angleze dhe amerikane veç e veç, duke u shprehur plot entuziazëm falenderues për pritjen që i ishte rezervuar (në maj Kryetarit të Misionit Ushtarak Anglez dhe më 12-13 qershor, amerikanit J.E. Jacobs) kanë lënë një dëshmi të qartë për të gjithë ata që shprehen kuturu për preferencat e raportet kinse “armiqësore”(!!!) mes aleatëve perëndimorë dhe udhëheqësve të LANÇ-it.


Dy letrat që Sali Mborja merrte në cilësinë e postit që mbante si Kryetar i zgjedhur nga mbledhja e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe që u zyrtarizua më tej në Qeverinë Provizore Demokratike të Beratit më 22 tetor 1944, dëshmojnë plotësisht për njohjen, përkrahjen dhe respektin e ndërsjelltë pa rezerva mes krerëve të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe aleatëve perëndimorë të Luftës së Dytë Botërore.

Kështui shpjegohet edhe qartësia e Sali Mborjes për shmangjen e qëndrimeve formale (për një dorëheqje formale) që do t’u duhej të mbanin anëtarët e Asamblesë Kushtetuese të mbajtur në Tiranë më 11 Janar 1946. Ja ç’thotë kronika:

… Kryetari i asamblesë ia dha fjalën përfaqësuesit të Korçës, Prof. Sali Mborja, përfaqësues i cili midis të tjerash u shpreh: “Qeveria Demokratike e sotme është një qeveri e popullit shqiptar që u emërua në Kongresin e Përmetit nga Këshilli Antifashist. Është qeveria që lindi nga gjiri i popullit shqiptar në zjarrin e luftës më të egër”. Më pas, me fjalën e deputetit Mborja, u solidarizuan edhe deputeti i Tiranës Abdyl Këllezi, Thoma Papapano deputet i Gjirokastrës, Rrahman Parrllaku deputet i Kukësit, Gjeneral-major Spiro Moisiu deputet i Durrësit, Kahreman Ylli përfaqësues i Beratit, Dr. Sezai Agalliu deputet i Vlorës, Kol Prela deputet i Shkodrës, Andrea Sahatçi përfaqësues i Beratit, Haki Stërmilli deputet i Dibrës dhe Xhemal Rusi përfaqësues i Korçës. Pas kësaj, kryetari i Asamblesë e hodhi në votë propozimin e deputetit Sali Mborja, nëse Asambleja nuk do ta pranonte dorëheqjen e qeverisë. Në këtë moment të gjithë deputetët u ngritën në këmbë dhe me ovacione të gjata që zgjatën disa minuta, pranuan unanimisht që qeveria nuk duhet të jepte dorëheqjen.

***

Pas çlirimit të vendit në vitin 1946, Sali Mborja është emëruar në Ministrinë e Arsimit si drejtor i arsimit për të rritur dhe profesional. Një vit më pas, emërohet nëndrejtor në Institutin Pedagogjik dyvjeçar. Me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik, fillon po ashtu punën si pedagog në këtë institut duke dhënë mësim njëkohësisht në të dy institutet (dy-vjeçar dhe katër-vjeçar) në lëndë të ndryshme: botanikë, anatomi, fiziologji e njeriut, darvinizëm, higjenë shkollore, gjeologji. Me hapjen e Universitetit Sali Mborja punon si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku ka dhënë mësim në lëndën e Botanikës së përgjithshme në degën Biologji-Kimi. Sali Mborja është një nga pionierët e arsimit tonë të lartë. Falë kualifikimit dhe kulturës së tij të thellë shkencore ai dha leksione për vite e vite me radhë në disiplina që i kërkuan një punë shumë të madhe për të cilën nuk u kusye asnjëherë. Ai drejtoi me kopetencë shkencore e metodike për here të parë lëndën e botanikës së përgjithshme, një disiplinë e rëndësishme për formimin e biologëve dhe mësuesve të biologjisë. Rezultat i punës së tij janë disa tekste mësimore për shkolla të ndryshme si dhe teksti i botanikës për universitetin.

Për kontributin e tij të gjithanshëm, për luftën e devocionin e tij Sali Mborja është dekoruar me: “Urdhërin e Flamurit”, “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen e Trimërisë”, “Urdhërin e Punës” dhe “Urdhërin Naim Frashëri”.

Profesor Sali Mborja vdiq në Tiranë, më 19 nëntor 1990. Festat e 28 e 29 Nëntorit që po afrojnë, janë një rast për ta kujtuar me nderim atdhetarin antifashist të orëve të para dhe pionierin e universitetit tonë Sali Mborja.


perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *