Sunday

14-12-2025 Vol 19

Policia në kohën e Pavarësisë

Policia është një strukturë shtetërore për ruajtjen e qetësisë publike ose një organizatë që, në të gjitha sistemet shtetërore, ka qenë dhe mbetet t’i shërbejë shtetit dhe komunitetit, por me tipologji të ndryshme nga një sistem në tjetrin, nga një shoqëri në tjetrën. Dihet se ka formulime të ndryshme për fushën e policisë. “Polici” është fjalë e përdorur qysh në kohën e Aristotelit, vjen nga fjala e greqishtes së vjetër “polis” që do të thotë (qytet). Pra “policimi” shkon tek “politeia”, e që në fund të fundit do të thotë e shqipëruar “qeverim i qytetit”. Teoricienë të tjerë të fushës së Policisë e nënkuptojnë fjalën e lashtë greke si bashkim i rregulloreve për mbajtjen e rregullit dhe të “sigurisë publike”. Teoricienë të tjerë e theksojnë se “Policia” është përmbledhje (strukturë) harmonike organesh e detyrash, sanksionesh e forcash drejtuese për mbrojtje kundër çdo rreziku që kërcënon shoqërinë dhe shtetin që ajo përfaqëson, kundër çdo turbullimi të rendit juridik. Ka edhe teoricienë të tjerë që e komentojnë se “Policia” është organi kryesor i makinës shtetërore, e çmuar për dobitë që iu ka sjellë popujve për sigurinë publike, në ruajtje të sigurisë publike dhe të ruajtjes së nderit dhe të pronës së shtetasve të saj. Për këtë arsye, në projektbuxhetet e shteteve, buxhetin më të madh ia dedikojnë “Policisë”, të cilën e duan me forca sa më të kualifikuara, të kulturuara e të përkushtuara me njohjen e ligjit dhe zbatimin e tij.

Policia e re shqiptare e krijuar pas 28 nëntorit 1912 ishte një nga frymëmarrjet e para të kuptimit të shtetit amtar. Plaku i urtë i kombit shqiptar, Ismail Qemali, në fjalimin e tij në ballkonin e shtëpisë së Vlorajve, theksoi fjalën “qetësi” dhe respektin ndaj autoriteteve shtetërore. Në vendimin e qeverisë së Vlorës ndër të tjera shkruhet: “Tani shqiptarët do të mbajnë qetësinë, ta ruajnë bashkimin me njëri-tjetrin, do të rrojnë si vëllezër me të gjithë…, pas kësaj shpallje do të jepen dënimet më të rrepta kundër guximtarëve”. Ismail Qemali, si njohës i shkëlqyer i administratës shtetërore, u dërgoi krahinave të Shqipërisë, krahas telegramit të shpalljes së pavarësisë, edhe porosinë për të mbajtur rendin dhe qetësinë në vend. Nga korrespondenca e mbajtur në ato ditë, ku shkruhej vepra më e arrirë e kombit shqiptar, del se struktura përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë ishte Xhandarmëria, mandej edhe efektivat rezervë, të organizuar sipas modelit turk dhe sipas ligjeve të atij shteti. Qeveria e Vlorës u bazua në ligjet dhe rregulloret që u trashëguan nga sundimi Osman.

Një fakt interesant gjendet në qarkoren e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 12.05.1913, ku njoftohej: “Deri në vënien në zbatim të ligjeve të reja, lihen në fuqi ligjet e rregulloret e qetësisë osmane”. Një shqetësim për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë së jetës që kishte qeveria e Vlorës, ishte që me anë të Xhandarmërisë të sigurohej qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave. Në këtë rast është përdorur për herë të parë termi policor në gjuhën shqipe “për të siguruar me çdo mënyrë qetësinë e qarkullimin”.

Me fillimin e jetës qeverisëse të kabinetit ministror më 4 dhjetor 1912, Ministri i Brendshëm Mufit Libohova u angazhua seriozisht me problemet e qetësisë në vend. Në mbledhjen e datës 13 dhjetor, në kabinetin e ministrit, me urdhërin e ditës, pika nr. 5 përmban problemin: “Çfarë masa do të merren kundra atyne njersve e kundra atyne vendeve që s’dojnë ta njohin Qeverinë e re”? dhe në pikën nr. 6 theksohet: “Të organizohet nji shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipnis”.

Në vendimin e datës 8 dhjetor 1912, pika e 3-të thekson: “Për të vënë në udhë punët e shtetit dhe për të themeluar një sundim të vërtetë të qytetëruar do të merren këshilltarë prej Evropës për çdo ministri dhe më shumë, mjaft oficerë të Xhandarmërisë që të forcohet sigurimi”. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e forcave të rendit i takon datës 13 janar 1913, vendim i cili evidentohet të ketë hyrë në fuqi më 14 shkurt 1913.

Lista e trupit të parë të Policisë, organizuar nga qeveria e Ismail Qemalit, ishte:

  • Hamza Isai – kryekomiser, pagë 1000 grosh
  • Omer Radhima – komiser, pagë 900 grosh
  • Toli Stavri (Arapi) – ndihmës-komiser, pagë 700 grosh
  • Ali Dauti – agjent policie, pagë 500 grosh
  • Halim Tërbaçi (Xhelo) – agjent policie, pagë 500 grosh
  • Muhamet Besho Kanina – agjent policie, pagë 500 grosh
  • Gani Kudhësi – agjent policie, pagë 500 grosh
  • Rait Efendi – agjent policie, pagë 500 grosh

Personeli që ishte caktuar për të shërbyer provizorisht pranë Kryesisë së Qeverisë së Përkohshme përfshinte:

  • Yzeir Efendi, me rrogën e komiserit të mëparshëm (të kohës së Turqisë)
  • Hamdi Efendi, me rrogën e komiserit të mëparshëm
  • Rifat Dibra – agjent policie
  • Zyhdi Përmeti – agjent policie
  • Xhevat Borshi – agjent policie

Një dokument më i saktë tregon se lista me Hamza Isain dhe Ymer Radhimën përfshinte persona që me profesion ishin mësues, por meqë ishin besnikë të Ismail Qemalit, nuk kishin qenë ndonjëherë punonjës të sigurisë publike.

Në muajin maj 1913, drejtor i Policisë ka qenë Feim Mezhgorani, ndërsa në tetor 1913 është komanduar përkohësisht Hamza Isaraj. Sipas dokumenteve arkivore (korrespondenca e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me qeverinë e Vlorës), del se ka qenë Halim bej Jakova (Gostivari) drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë në periudhën janar–prill 1913. Raporti i parë i dokumentuar nga policia e Vlorës del që në fillim të muajit shkurt 1913.

Ymer Radhima i shkruante kryetarit të Guvernës Shqiptare më 3 shkurt 1913: “Na dje në qytetin t’onë s’kemi gjësendi. Ai që ardhi na Janina si tregtar; Myhedini, sot iku për Janinë. Pas urdhrit Zotërisë s’uaj hoteleve dhe hanxhive dhe atyre që japin shtëpira zyrtarisht, lajmërimi i Policisë si kujdesje ju dha. Po këtë urdhër përveç dy hanxhive, të tjerëve as se kush ardhi o iku, as defterë nuk na dhanë. Ç’urdhër na jepni që të bëjmë?”

Detyra e policisë në këtë periudhë të vështirë ishte përqendruar në vëzhgimin e personave të dyshimtë, duke siguruar informata për ata që vepronin kundër pavarësisë së vendit (filoturq dhe filogrek), mbajtjen e tyre në vëzhgim, hetimin e vazhdueshëm, kapjen në flagrancë dhe dërgimin në gjyqin ushtarak në Vlorë. Kjo detyrë evidentohet edhe në urdhrin e Ministrit të Brendshëm, Mufid Libohova, më datë 29 maj 1913, i cili, duke bërë të qartë se kishin ardhur në Shqipëri nga Turqia e vende të tjera disa shqiptarë me qëllime të këqija dhe për të bërë propagandë kundër pavarësisë së Shqipërisë, ngarkoi strukturat e rendit me detyra për t’i mbajtur në vëzhgim, për t’i hetuar vazhdimisht dhe për t’i dërguar në gjyqin ushtarak në Vlorë.

Policia e qeverisë së Vlorës vendosi gradat që në organizimin e saj: kryekomiser, komiser, nënkomiser dhe agjent. Qeveria e Ismail Qemalit, krahas ligjit për policinë, nxori edhe ligjin për krijimin e Policisë për sigurimin e personaliteteve shtetërore (sot Garda e Republikës). Sipas dokumenteve faktohet se policët që kanë qenë në trupën roje të Ismail Qemalit kanë qenë 8 vetë.

Sipas shtypit të kohës “Liri e Shqipërisë” shkruhet: “Rrobat për Xhandarmërinë dhe për Policinë janë porositur në fabrikat e Evropës dhe për së shpejti po priten”. Krahas informacioneve për organizimin e Policisë, gjejmë korrespondencën edhe për organizimin e Xhandarmërisë. Përmenden si drejtues të parë të këtyre strukturave: Alem Tragjasi, Hysni Toska, Sali Vranisti (Hero i Popullit) dhe Hajredin Hekali.

Fillimisht u organizua Xhandarmëria e qeverisë së Vlorës, aty rreth qershorit 1913, e drejtuar prej majorit Hysen Prishtina me një batalion në Vlorë, kapiten Ali Terova në Berat dhe Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Më 29 gusht Ismail Qemali njofton Ministrinë e Brendshme se fuqia e Xhandarmërisë së Vlorës është organizuar në Tiranë dhe po vijon organizimi edhe në Durrës. Më 18 shtator, prefekti i Elbasanit, Aqif Pashë Elbasani, njoftoi për regjistrimin e 50 xhandarëve me armët e tyre, për të plotësuar organikën e dy batalioneve, duke kërkuar emërimin e komandantëve dhe oficerëve.


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *