Sunday

14-12-2025 Vol 19

Hapet shkolla shqipe “Iliriada” në Belgjikë, një qendër e re për gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë

Iniciativa e komunitetit shqiptar në Sint Niklaas kthehet në realitet me hapjen e institucionit të parë të mësimit plotësues në gjuhën amtare.

Komuniteti shqiptar në Belgjikë ka shënuar një arritje historike: në qytetin Sint Niklaas është hapur zyrtarisht shkolla e parë shqipe “Iliriada”, një institucion i dedikuar ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare për fëmijët shqiptarë të rritur në diasporë. Ceremonia u zhvillua më 9 nëntor 2025 dhe mblodhi personalitete të rëndësishme nga jeta komunale belge, si dhe përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryetari i Shoqatës “Iliriada Vlaanderen”, Ismet Ademi, u shpreh se hapja e shkollës është një investim i çmuar për brezat e rinj, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të komunitetit me institucionet vendase dhe ato shqiptare. Ai falënderoi të gjithë kontribuesit që e bënë të mundur këtë projekt me vlerë të madhe arsimore e kulturore.

Ndër të ftuarit e nderuar ishin kryetari i komunës së Sint Niklaas, Lieven Dehandschutter, ambasadorja e Shqipërisë në Belgjikë, Albana Dautllari, konsulli i Kosovës, Miftar Kryeziu, si dhe drejtoresha e arsimit në komunë, Adelheid Van Hauwermeiren. E pranishme ishte edhe sportistja e njohur 15-vjeçare Leona Fetahi, kampione ndërkombëtare në xhudo dhe boks, e cila u përshëndet si model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë.

Shoqata njoftoi gjithashtu se ekipit organizativ i është bashkuar gazetarja e mirënjohur nga Sint Niklaas, Arbnora Breznica, e cila tashmë është pjesë e kryesisë dhe stafit drejtues të shkollës “Iliriada”.

Në mbyllje të ceremonisë, organizatorët bënë thirrje për regjistrimin e fëmijëve shqiptarë, duke theksuar se ruajtja e identitetit kombëtar është detyrë e çdo familjeje shqiptare në mërgatë. Shkolla “Iliriada” synon të bëhet një qendër e rëndësishme edukimi, bashkimi dhe trashëgimie kulturore për komunitetin shqiptar në Belgjikë.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *