Sunday

14-12-2025 Vol 19

Qoftë larg! Nëse humbim me Andorën…

Në rast se humbim me Andorën (qoftë larg!) duhet të shpallim ditë zie…

Ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit janë një emocion i veçantë. Edhe pse dihet që jemi nga popujt më llotosportistë të botës, nuk besoj se ndonjë “Hamza” do të na tradhëtojë e të ketë vënë ndonjë bast aq të madh andej nga Indo-kina. Por në këtë botë çfar nuk ndodh? Kur pandeh se i ke punët në vijë, të del ndonjë tip tipi, i cili jo ndeshjen me Andorën ta blenë, por edhe të hedh nga toka apo ajri ndonjë dronë apo ku ta dish çfarë sendi dhe ta merr Andora ndeshjen në tavolinë. Kësaj teme do t’i mëshojmë më shumë në këto ndeshje, si në një det të vdekur, që në pamje të parë duket pa dallgë, por që të hapet nga poshtë e të përmbytë. Silvinjo natyrisht do të përgatis terrenin, që ekipi të përqëndrohet maksimalisht, ndaj dhe formacionin nuk e ka prezantuar ende. Por përgjithësisht nga euforia kanë vuajtur ekipet më me emër ose të mëdha, kur e konsiderojnë ndeshjen me ekipet e vogla si “xhiro turistike”. Ne kemi tjetër agjendë, duhen lojtar që luajnë në grup dhe të kenë motiv për të hyrë në historinë e futbollit botëror e, padyshim, t’i shërbejnë së ardhmes së karierës së tyre për të qenë në qendër të markatos së futbollit elitar. Krijimi i një klime mes lojtarëve me përvojë dhe atyre që duan të afirmohen në këto dy ndeshjet “për jetë a vdekje”, është i gjithë suksesi i Silvinjos, trajnerit tonë brazilian dhe qytetar i Lushnjes. Kombëtarja jonë, sikur të rishohë vetëm ndeshjen e luajtur në Granada të Spanjës në vitin e trazuar 1997 kundër Gjermanisë, do të frymëzohej nga ata djem shqiptarë që dhanë shpirtin në fushë për Shqipërinë dhe u bënë i vetmi burim frymëzimi për të gjithë kombin shqiptar. Ka një flamur ngjyrat e të cilit duhet t’i mbrojmë, për fatin tonë kombëtar jemi në muajin nëntor…, ku përfshihet edhe dita ose data e ngritjes së flamurit nga plaku i Vlorës Ismail Qemali. Nuk duhet ta zgjidhim ndeshjen me presionin e opinionit publik, që natyrisht ka pritshmëritë e veta. Por të luajmë me bindjen profesionale me shpirt luftarak pa nënvleftësuar asnjë top. Tifozeria jonë në stadiumet e huaja kryen thjesht një ritual kombëtar, dhe futbollistët të kujtojnë kohët kur luante ekipi kombëtar shqiptar përpara 40 vjetësh, jo flamur dhe një shqiptar nuk kishte në stadiumet e botës, por nuk e kishin idenë ku binte Albania (Shqipëria). Sot nuk do të fitojmë për pleyof, por edhe do të forcojmë fitoren historike ndaj Serbisë së cilës në fillim i ndërruam trajnerin, por sot do ta nxjerrim jashtë loje për tentativën që të ishte në vendin e dytë. Ruajuni të nderuar lojtarë çdo lloj provokimi. Ruajuni të nderuar patriot shqiptarë nga incidentet. Ruajuni se ndeshje të tilla, me ekipe ku janë interesat e ekipeve të treta, nuk bëhet fjalë për skema futbolli, mendja diabolike e njeriut çfar nuk shpik, që një ekip kombëtar si Shqipëria të mos shkojë në botëror. Le të mendojmë për dy gola në pjesën e parë nga ekipi ynë në portën e Andorës dhe t’ua mbyllim gojën, e t’ua djegim letrat në dorë kujtdo, që do të na vërë shkopinj nën rrota. Ndryshe po qe se do të dalim me kokën ulur, më mirë ta shpallim ditë zie çdo humbje të pajustifikuar.


Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *