Eqerem Bej Vlora si dëshmitar i shumë ngjarjeve në Shqipëri, ndër të tjera në kujtimet e tij, ka shkruar edhe për figurën e Ahmet Zogut. Ai e fillon kështu përshkrimin e figurës së Zogut: Nën drejtimin energjik dhe me synime të përcaktuara qartë të djaloshit Ahmet Bej Zogu (Zogolli), qeveria e Kongrsit të Lushnjes mori fatet e Shqipërisë (11 shkur 1920). Kryeministër ishte zgjedhur Sulejman Delvina. Ai kishte punuar shumë vjet me rradhë në Ministrinë e jashtme turke në Stamboll. Në vitin 1918 kishte bërë pjesë në delegacionin e kryesuar nga Halil Pashë Alizoti, i cili kishte shkuar nga Stambolli për të mbrojtur çështjen e kufijve të Shqipërisë para Konferencës së Paqes në Paris. Pastaj ai kishte ardhur në Tiranë, kishte marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe, si specialist dhe njeri jashtë tarafeve, ishte zgjedhur kryeministër. Ai kishte fituar shumë pikë me ndihmën që i kishte dhënë lëvizjes kundër italiane në Vlorë dhe kjo i jepte dorë të priste mirënjohjen e plotë të bashkëqytetarëve të tij. Historia e Shqipërisë midis viteve 1920 dhe 1939-tës mban vulën e Ahmet Zogut në atë masë, sa unë detyrohem ta quaj periudhë “Koha e Ahmet Zogut”, shkruan më tej Eqerem Bej Vlora.Cili ishte Ahmet Zogu? “Mbreti i Shqipërisë” mund të përgjigjem. Po dhe jo! Sepse vetëm me këtë titull nuk mund të shpjegohet kurrsesi personaliteti i ndërlikuar i këtij njeriu. Thelbi i kësaj dukurie historike mund të shpjegohet vetëm nën një këndvështrim të tillë: Ahmet Zogu ishte prototipi, sinteza e të gjitha vetive të mira dhe të liga të njeriut në Shqipërinë e re. Ai kishte ato veti të gjitha në shkallën më të lartë, ndaj edhe pati sukses kaq të madh. Askush dhe askund nuk mund të ketë sukses një njeri te një popull, pa qenë vetë kuintesenca e shpirtit të këtij populli. Ahmet Zogu e kishte këtë dhunti dhe u shfaq në çastin e duhur në skenën politike të Shqipërisë, ndaj ai është më tepër se një mbret, ai është simbol i një epoke! Ai rridhte nga dera e bejlerëve të Matit, të njohur prej katër shekujsh si bajraktarë të fiseve të atjeshme dhe, prej tre shekujsh, edhe si kajmekamë të trashëguar (mëkëmbës vendor të sanxhakbeut të Ohrit). I ati quhej Xhemal Pashë Zogu Zogolli (Zog-ogllu-biri i Zogut), e ëma Sadije hanëm Toptani (Pisha). Sipas gojëdhënës së vendit fisi i tyre ka ardhur në ato anë gjatë inkursioneve turke, ishte martuar me bijën e vetme të sundimtarit të atëhershëm të krahinës. Pas vdekjes së këtij sundimtari, të gjitha fiset e zgjodhën atë si pasardhës të tij. Popullsia, si edhe vetë Zogu, ishte e besimit katolik, shumë luftarake dhe e varfër dhe jetonte kryesisht falë inkursioneve grabitëse mbi zonat e pasura të bregdetit. Në burimet historike familja e Zogut del aty nga viti 1600. Kronistët shkruajnë se në vitet 1631/1632, fiset e Matit u nisën për luftë, plaçkitën tregun e Shijakut dhe shkuan gjer në Durrës, por aty u ndalën nga muret e qytetit. Ahmet Zogu u lind, si fëmija i dytë i Xhemal Pashë Zogollit më 8 tetor në Burgajet të Matit, dhe u rrit në Stamboll. Nga natyra tepër inteligjent, përveç vetive udhëheqëse të kultuvuara që në fëmijëri, ai u pasurua dhe me përvojën e intrigave të politikanëve modern Truqit e Rinj, përvojë që më vonë diti ta vërë në jetë me aq zotësi. Pas kthimit në shtëpi më 1912 ai mënjanoi vëllain e tij më të madh Xhelal Beun, njeri që nuk shquhej për mençuri dhe mori, kështu në dorë drejtimin e shtëpisë. Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij Dervish Bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time , shkruan në kujtimet Eqerem Bej Vlora. Aty pata rast ta vështroja më mirë, por doemos nuk pata ndjesinë se një ditë ai do ngjitej në majën e piramidës shtetërore. Si çdo pinjoll i familjeve fisnike shqiptare ai kishte vetësiguri, ishte i heshtur, i përmbajtur, krenar, por edhe i druajtur në shoqëri. Në personin e tij, vetitë natyrore të sundimtarit të zgjedhur nga zoti, ato të udhëheqësit ushtarak, të politikanit dhelparak dhe të kujdeshshëm oriental, bashkoheshin, megjithatë, me cilësitë e shqiptarit kokëkrisur. Të gjitha këto veti, ashtu si edhe gabimet e tij pasqyronin botëkuptimin dhe moralin e mjedisit ku ai u rrit. E ashtuquajtura”inteligjenca” e Shqpërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qorton atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes e mban për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme. Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes.Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme; Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të cilat ai rrallë gabonte. Si kundër edhe me njerëz shumë të kulturuar ai nuk bënte figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë të tjerët, ishte mungesa e çdo ndjesie.: Ahmet Zogu as ka dashuruar , as ka urryerr kurrë. Kur ai ishte ende fare i ri, më mirë nga të gjithë atë e ka vlerësuar Esat Pashë Toptani në prill të vitit 1914. Ahmet Zogu sapo ishte larguar nga shtëpia e Esatit, pas një bisede, kur Esati më tha: ”A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur!” Esat Pash nuk i shfrytëzoi shanset e veta. Përse të çuditem që ky djalosh e lëvizi rrotën, ku theu këmbën jo vetëm Esati, por edhe shumë prej nesh. Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do të jesh i paanshëm, duhet t’i njohësh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh”, jo vetëm me përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik. Mund të gjesh plot gabime apo lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e, por ai mbetet personalitet i rëndësishëm. Që ai gaboi në disa synime politke, sidomos me politikën italiane, që ai i ngatërroi dhe i përzjeu disi mes veti problemet financiare dhe shtetërore me ato private, kjo, natyrisht është e vërtetë. Koha, rrethanat dhe fati mund ta ketë ndihmuar Zogun, mund ta kenë përshpejtuar, madje edhe lehtësuar procesin e përparimit, megjithatë unë jam plotësisht i bindur se vendimtare kanë qënë vullneti i fortë dhe zotësia e këtij njeriu. Në këtë botë egoiste askush nuk të dhuron gjë badjava. Ahmet Zogu e ka merituar suksesin e tij me vështirësitë, mundimet dhe rreziqet që iu desh të përballojë, e mbyll shkrimin e tij Eqerem Bej Vlora.Ndërsa për Fan Nolin mikun e tij dhe kundërshtarin politik Eqerem Bej Vlora është shprehur kështu në kujtimet e tij: Fan Noli metropoliti shumë i kulturuar tha një ditë:” Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh “Bej” mund të jetë një fshatar, fshatar një patric; të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa edhe tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të madhit dhe të voglit, midis të fortit dhe të dobtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabart, apo edhe përshtatjes. Këtu është sinori i mënyrës evropiane dhe asaj aziatike të jetesës, midis koncepteve sociale gjermane latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha reflekset e së kaluarës dhe së tashmes”. Ky burrë i mençëm u bë shtypësi dhesimboli i këtij revolucioni, gjoja ekonomiko shoqëror. Fitorja e tij e solli në karrigen e kryeministrit (16 qershor 1924). Zgjedhja u bë me short, si në lojrat e fatit. Ai pati meritën e parë të madhe për t’u treguar 300 mijë shqiptarëve orthodoksë rrugën e emancipimit. Së pari Fan Nolit iu desh të përkthente në shqip të gjitha tekstet e nevojshme për ritet fetare. Me zgjidhjen e kësaj detyre të nevojshme për ekzistencën e një pjese të rëndësishme të kombit shqiptar, me themelimin e një kishe shqiptare orthodokse autoqefale, Fan Noli e futi veten në rradhën e atdhetarëve më të mëdhenj shqiptarë. Nga pikpamja politike-partiake mund të mos jesh me të për qëndrimin socialist, madje, herë-herë komunist, por në këtë pikë nuk i duhet ngrënë haku; ai e shpëtoi pjesën orthodokse të popullit shqiptar, për Shqipërinë dhe për etninë shqiptare. Por ka edhe veti e merita të tjera që e rradhisin atë ndër burrat e mëdhenj të popullit shqiptar. Veprimtaria e tij letrare shkonte nga përkthimet e shkrimeve kishtare deri tek ato të Shekspirit dhe Gëtes, një seri e pambarimt veprash të shkruara, të gjitha me një shqipe të bukur, të kuptueshme, ndonëse pakëz folklorike. Këtë njeri pra, i cili pak kuptonte nga politika e sidomos nga ajo që quhet e tillë në Shqipëri, i cili nuk kishte haber nga administrimi, e nxorrën në krye. Dhe çfarë nuk u bë me emrin e Fan Nolit, shumë herë madje pa dijeninë e tijTimoleo GURI
Eqerem Bej Vlora vitet 1920-1939
Uncategorized
November 13, 2025
perpjekjashqiptare.al
Related Posts
“Letërsia në rrezik”, ose refuzimi estetik i radhës
Nga Behar Gjoka Libri “Letërsia në rrezik” është një nga tekstet teorike të T. Todorov, botuar më 2007 në Paris,…
Francesko Krispi
Poeti ynë Gavril Dara i Riu e quan Italinë një mbretëreshë të bukur. Ai godet gjithë tradhëtarët dhe u bënë…
Në kalendarin e kujtesës.Për të kujtuar ata që folën me jetën e tyre, kur fjala nuk mjaftonte. Rekuiem për Mirash Ivanaj
Mësues i një kombi, shtyllë e arsyes, zemër që nuk u tremb kurrë. Në 22 shtator 1953, Shqipëria humbi një…
Udhëtarët anglezë në tre pashallëqet shqiptare (Pjesa II)
(Piktura nga Edward Lear) Të dhënat e udhëtarëve anglezë për pashallëqet shqiptare dhe për politikën e tyre autonome, të brendshme…
Fjalë të huaja që kanë hyrë në shqip
Nga Ndue DEDAJ Janë fjalë që në “shqipen” tonë kanë fituar qytetari, apo njëfarë kuptimi të dyfishtë, çka nuk ndodh…
September 19, 2025
Uncategorized, Dosier, Kulturë, Trashëgimi, Uncategorized
by perpjekjashqiptare.al
Arbëreshët në bashkimin e Italisë (pjesa I)
Sami Frashëri, në enciklopedinë e tij historike dhe gjeografike Camus-ul Alam, shkruante: “Me vdekjen e Skënderbeut, e gjithë Shqipëria u…
𝟓𝟑𝟕-𝐯𝐣𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢 𝐢 “𝐇𝐨𝐫𝐚 𝐞 𝐀𝐫𝐛𝐞̈𝐫𝐞𝐬𝐡𝐞̈𝐯𝐞𝐭” (𝐏𝐢𝐚𝐧𝐚 𝐝𝐞𝐠𝐥𝐢 𝐀𝐥𝐛𝐚𝐧𝐞𝐬𝐢)
Nga Bledar KURTI Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e…
Francesko Krispi – Dritëhijet e një kryeministri arbëresh në Itali
Poeti ynë Gavril Dara i Riu e quan Italinë një mbretëreshë të bukur. Ai godet gjithë tradhëtarët dhe u…
Dorëzimi i Shkodrës nga Esat Pashë Toptani
Megjithatë Shkodra mbahej shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, por ai e kishte të vështirë të largohej prej…
Ataturku kërkon të udhëheqë luftën për shpëtimin e Turqisë (Pjesa III)
Mustafa Qemalin e emëruan në Siri. Anglezët, me një ushtri nga India, kishin pushtuar Bagdatin dhe po avanconin drejt Mosulit.…