
Një nga shkaqet e vonesës sonë historike ka qenë lufta e pandërprerë e popullit shqiptar kundër armiqve të jashtëm, shkruan në kujtimet e tij Eqerem Bej Vlora: “Ka qenë dhe mbetet një tragjizëm i popullit shqiptar që gjatë mijëvjeçarëve ai ka qenë i detyruar të luftojë pandërprerë kundër armiqve të jashtëm, pa gjetur qetësi për të ndërtuar rendin e vet të brendshëm.” Një ndihmesë të veçantë për nxitjen e mendësisë së spikatur kombëtare, tashmë të zgjuar, kanë dhënë edhe momentet kulturore, shkruan më tej Eqerem Bej Vlora.
Duhet pranuar se në fillimet e shekullit XIX nuk kanë mbetur jashtë kësaj veprimtarie edhe popullsia ortodokse e Shqipërisë, apo ndonjë prift ortodoks. Në vitin 1827, fjala vjen, peshkopi ortodoks i Korfuzit, me origjinë nga Gjirokastra, Gregor Gjirokastriti (Gregorius Argjirokastritis), botoi përkthimin e parë, shumë të mirë, në dialektin e shqipes së jugut, të Biblës. Edhe pse pjesërisht vetëm një përmbledhje e përkthimeve të Biblës të kryera më herët nga priftërinj të ndryshëm, ajo mbetet një vepër origjinale me vlerë. Po kështu, edhe heroi i madh i luftës çlirimtare greke, shqiptari Marko Boçari, nga fisi i Suliotëve në Çamëri, u përfshi në këtë rrymë të re letraro-atdhetare, edhe pse në lëmin shkencor ai nuk mund të kishte njohuri të mëdha. Gramatika e vogël (1809) dhe fjalori i tij shqip-greqisht ishin përpjekje modeste, por tregonin se edhe shqiptarët ortodoksë e kanë pasur prej kohësh vullnetin dhe dëshirën të përdorin gjuhën e nënës si mjet për zhvillimin e kulturës dhe afirmimin e kombit shqiptar.
Për forcimin e këtyre prirjeve ka ndikuar edhe qendra shqiptaro-ortodokse–kucovllehe e Voskopojës, në malet midis Korçës dhe Beratit. Që nga shekulli XVII, Voskopoja ka qenë një vend ku gjenin strehë shumë njerëz të shkolluar e të përndjekur. Këtu kishin marrë zhvillim të madh jo vetëm synimet popullore dhe kulturore, por edhe një veprimtari e gjallë ekonomike, e pashoqe në Ballkan. Nga viti 1720 deri më 1769, në këtë qytet ka punuar edhe një shtypshkronjë, për punën e së cilës dëshmojnë librat e shtypur atje dhe që janë ruajtur deri në ditët tona. Këtu lindën alfabetet e fshehta (të reja), të cilat duhen parë si përpjekjet e para për të krijuar një shkrim të veçantë shqip. Interes të veçantë paraqesin dy orvatje të tilla: së pari, një dëshmi e ruajtur në teqenë e Petrelës, mbase e shekullit XVI, dhe së dyti, një tjetër tekst i Shkrimit të Shenjtë i përkthyer në shqip, i përmendur dhe shpjeguar shkëlqyeshëm nga Georg fon Hahni. Këto shkrime dhe botime flasin për një ndjenjë kombëtare të hershme edhe te shqiptarët ortodoksë, shkruan Eqerem Bej Vlora në kujtimet e tij.

Ka shumë rrëfime rreth të vërtetës së flamurit që u ngrit atë ditë në Vlorë. Si erdhi në Shqipëri ky flamur? Ja se çfarë kujton nipi Ervin Vlora:
Origjina e familjes Vlora dëshmohet qysh më 1398-n me të parin e tyre Gjergjiu Golem Sinan Pasha nga Kanina dhe ka nxjerrë 4 kryeministra në Perandorinë Osmane. Sinan Pasha, i pari kryeministër…, e kështu me radhë: Syrja Bej Vlora, miku më i ngushtë i Abdyl Hamitit, i cili bashkë me Ismail Qemalit, pas Kuvendit të Sinjës (1911) ishin arkitektë të Pavarësisë së Shqipërisë…
Me sa di unë, nga goja e gjyshes time, flamuri, në një darkë që kanë qenë në Francë, nga stërnipi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, i është dhuruar Eqerem Bej Vlorës, gjyshit tim, duke i kërkuar në atë darkë me shumë dashamirësi, bujari dhe besim që Eqerem Bej Vlora t’ia dhuronte Shqipërisë, Vlorës, flamurin që Gjergj Kastriot Skënderbeu kishte ngritur në Krujë. Ky ishte një besim që vinte si rrjedhojë e një lidhjeje gjaku që kishte midis familjes Vlora dhe Gjergj Kastriot Skënderbeut. Me sa di unë, e shoqja e Gjergj Kastriot Skënderbeut ishte nga Kanina, pra nga Vlora, nga kjo familje. Pra, nga ajo darkë, flamuri që do ngrihej në Vlorë iu dhurua me shumë besim gjyshit tim Eqerem Bej Vlora, për nder të miqësisë dhe gjakut që i lidhte. Këto janë bazuar në kujtimet e gjyshit tim, por edhe në rrëfime nga gjyshja ime.
Kur delegacioni me në krye Eqerem Vlorën kthehet nga Franca, së bashku me flamurin e besuar, Perandoria Osmane ka bërë një kontroll të imtësishëm në det. Dhe gjyshja ime, zonja Adije Vlora, më ka treguar që vjehrra e saj, Mirije Toptani Vlora, e ka fshehur flamurin në tubin e sobës. Ky veprim arriti të habisë edhe Perandorinë Osmane, e cila u çudit sesi ishte e mundur që ky flamur mbërriti në Vlorë. Madje, Ismail Bej Qemali, kushëriri i parë i Eqerem Vlorës, kur erdhi, pati një moment kur iu drejtua Abaz Akaninës, një burrë shumë i lartë, firmëtar i pavarësisë, njeri me shumë vlera dhe mik i familjes Vlora, dhe tha: “Po e di unë ku është flamuri!” Por në atë kohë gjyshi ishte në Himarë dhe në Kuç. “Flamuri është te koka e krevatit të Eqerem Beut në dhomë! – Do shkoj ta marr.” Pra, flamuri është marrë nga dhoma personale e fjetjes së Eqerem Bej Vlorës, gjyshit tonë. Dhe flamuri u ngrit.
Mes shumë dokumenteve të botuara me iniciativën e familjes tuaj, në “Vëllimin I” të veprës së Syrja dhe Eqerem Bej Vlorës, kemi shkëputur për publikim një pjesë të raportit konfidencial të konsullit austro-hungarez në Vlorë, Leyhanec, dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Kontit Berchtold. Aty zbulohen detaje mjaft kurioze nga atmosfera dhe ngjarjet e ditës së shpalljes së Pavarësisë.
Ja çfarë shkruan ndër të tjera konsulli Leyhanec:
Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh dje në orën 2 pasdite, në shtëpinë e kryetarit të bashkisë, Xhemil Bej Vlorës. Pas shqyrtimit dhe pranimit të mandateve të delegatëve, situatën e theksoi Ismail Qemal Beu, i cili, duke përshkruar zhvillimet, Kuvendi dëgjoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit. Kuvendi vendosi unanimisht proklamimin e Pavarësisë së gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese (ballkanike). Njëkohësisht, Ismail Qemal Beu u zgjodh kryetar i qeverisë provizore dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, respektivisht të komitetit ekzekutiv. Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, Imzot Kaçorri, famulltar i Durrësit, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij. Më pas, rreth orës katër pasdite, pranë derës së shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar: një shqiponjë dykrenare e zezë mbi një fushë të kuqe. Proklamimi i Pavarësisë së Shqipërisë iu bë i ditur popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.
Më pas, një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Ajo u ndal përpara konsullatës sonë dhe shpërtheu në brohoritje të fuqishme, duke thirrur: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Austria!”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje të zjarrta. Nga dritarja falënderova kolonën, duke tundur kapelën dhe thirrur: “Rroftë Shqipëria!”. Më pas, turma u drejtua drejt konsullatës italiane, ku u zhvilluan manifestime të ngjashme. Zoti De Facendis u shfaq gjithashtu në dritare dhe falënderoi, duke thirrur tri herë: “E viva l’Albania! (Rroftë Shqipëria!)”.
Përpara nënkonsullatës ruse nuk pati asnjë manifestim. Thuhet se u dëgjuan vetëm disa thirrje të izoluara: “Rroftë Drejtësia!”.
Ismail Qemal beu, i cili ditën e mbërritjes së tij kishte vizituar konsullatën perandorake dhe mbretërore të Austro-Hungarisë si dhe atë italiane, nuk i ka rezervuar deri më sot të njëjtën konsideratë nënkonsullit të nderit rus, zotit Çika, një shqiptar ortodoks vendas, të cilin e njeh edhe privatisht. Deri më tani, mes tyre nuk ka pasur asnjë komunikim.
Sipas ftesës së Ismail Qemal beut, mbrëmjen e datës 28 të këtij muaji, unë dhe kolegu im italian shkuam në banesën e tij (në shtëpinë e tregtarit të njohur Hasan Sharra). Aty ai na përshkroi zhvillimin e bisedimeve në Kuvendin Kombëtar dhe rezultatin e tyre të përkohshëm. Ai na kërkoi që të njoftojmë qeveritë tona dhe të kërkojmë përkrahjen dashamirëse të tyre për shtetin e ri shqiptar.
Me këtë rast, ai shprehu shqetësimin për përparimin e trupave serbe në drejtim të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, pa marrë parasysh shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, ai lavdëroi grekët në Himarë, të cilët, sapo panë flamurin shqiptar, thuhet se ndaluan zjarrin dhe pritën ndërmjetësit shqiptarë që u dorëzuan një njoftim me shkrim për shpalljen e pavarësisë. Pas kësaj, luftimet u ndërprenë përfundimisht.
Një tjetër shqetësim për qeverinë shqiptare mund të lindë nga lajmi se në Berat dhe Lushnjë po hyjnë kontingjente trupash turke të mundura dhe në gjendje të rënduar. Çështja e furnizimit të tyre mund të sjellë vështirësi të mëdha.
Sot në mëngjes, flamuri kombëtar u ngrit edhe në godinën qeveritare, në ndërtesën e nënprefekturës, atë të bashkisë dhe në zyrën e doganës në Skelë.