Sunday

14-12-2025 Vol 19

Gjeoekonomia si arenë e re e pushtetit global

Termi gjeoekonomik është futur kohët e fundit nga Eduard Lutvaku si një pozicion i kundërt jo vetëm ndaj termit gjeopolitik, por edhe ndaj merkantilizmit. Sipas tij, me përfundimin e botës bipolare, forca ushtarake do të merrte një karakter dytësor jo vetëm në marrëdhëniet midis Veriut dhe Jugut (falë epërsisë së madhe teknologjike të Veriut), por mbi të gjitha në marrëdhëniet Veri-Jug (midis poleve gjeoekonomike dhe shteteve të industrializuara). Sipas Lutvakut, vetë gara ekonomike është e ndryshme nga ajo që zhvillohej në të kaluarën, sepse këto shtete nuk mund të përdorin më forcën ushtarake si instrument të skajshëm për të zgjidhur kontradiktat e tyre ekonomike. Gara gjeoekonomike është një realitet, ashtu siç është edhe gara politiko-strategjike. Në botën e “Realpolitikës”, si dhe në atë të “Realekonomisë”, realiteti është i ndryshëm; interesat e veçanta mbizotërojnë mbi interesat e përgjithshme, të cilat ekzistojnë vetëm në fantazi. Afati i shkurtër mbizotëron mbi afatin e gjatë.

Koncepti i luftës ekonomike është disi i paqartë dhe i shumëanshëm, gjë që vjen nga fakti se përmes këtij koncepti synohet të arrihen qëllime të ndryshme: politike, strategjike ose ekonomike. Kur synohet të arrihen qëllime politike, ekonomia përdoret si një armë përmes embargos dhe sanksioneve, për të detyruar shtetet e tjera që t’i përgjigjen dëshirave të shtetit që e përdor këtë armë. Synohet të arrihen qëllime strategjike kur parashikohet që kundërshtari potencial të ketë nevojë për prodhime dhe teknologji kritike. Kjo arrihet përmes të ashtuquajturave embargo strategjike (tani të quajtura kontrolle kundër përhapjes së armëve bërthamore). Qëllimi strategjik arrihet edhe gjatë një konflikti, kur synohet që kundërshtarit, përmes bllokadave detare, ajrore dhe tokësore, t’i hiqet mundësia e furnizimeve të nevojshme për forcat e armatosura dhe për popullsinë.

Gjithashtu, synohet të arrihen qëllime strategjike kur një shtet, përmes praktikave tregtare të paligjshme në raport me standardet normale të konkurrencës (siç janë ato të kodifikuara në kuadrin e GATT-it), synon të rrisë mirëqenien e qytetarëve të tij dhe pasurinë kombëtare. Lufta ekonomike është një dukuri po aq e vjetër sa vetë bota. Ajo është përshtatur në funksion të ndryshimeve të situatës ndërkombëtare.

Në veprimtarinë praktike, Perëndimi, veçanërisht SHBA-ja, gjithnjë e më gjerësisht ka përdorur instrumentet e embargos, të cilat, sipas rasteve, janë përforcuar edhe me bllokadë ushtarake dhe me sanksione ekonomike të detyrueshme. Të dyja së bashku bllokada ushtarake dhe embargoja, përfaqësojnë formën më të vjetër të luftës “ekonomike”, historikisht të lidhur me luftën “ushtarake”. Lufta ekonomike propagandohet masivisht si “alternativë” e forcës ushtarake. Për të qenë efikase, sanksionet dhe embargoja kërkojnë ekzistencën e kushteve teknike dhe politike të veçanta. Duhet të goditen përbërësit kryesorë të ekonomisë, madje ato duhet të jenë të rrepta dhe të shumëanshme. Sanksionet, për të qenë efikase, kërkojnë një kohë të caktuar. Koha nuk duhet të kalojë kufijtë e nevojshëm, me qëllim që të mos i krijojë mundësinë shtetit të goditur për t’u organizuar dhe për të “metabolizuar” efektet e sanksioneve. Logjika e sanksioneve është ushtarake.

Në një të tretën e rasteve ku është përdorur “lufta ekonomike”, ka pasur suksese – theksojnë studiuesit e Institutit Strategjik Ekonomik të Uashingtonit. Sukseset e kontrolleve strategjike janë shumë të vështira për t’u vlerësuar. Në rastin e “zjarrit grek”, metoda e të cilit është mbajtur sekret për shekuj, bëhet fjalë pa dyshim për një sukses të rëndësishëm në mbrojtjen e Perandorisë Bizantine. Sa i përket kontrolleve strategjike të realizuara ndaj bllokut sovjetik, vlerësimet janë të ndryshme. Shumë herë, si në rastin e bombës atomike, ato janë rrezikuar nga rrjetet e spiunazhit dhe nga marrja ilegale e teknologjive. Gjithsesi, ato shkaktuan për sistemet e armëve sovjetike një vonesë prej 8–10 vjetësh në krahasim me ato perëndimore. Më e dukshme ishte vonesa në fushën elektronike dhe informatike.

Në luftrat ekonomike të ndërmarra për qëllime ekonomike, gjërat janë të ndryshme. Ekziston një barazi midis mjeteve dhe qëllimeve – të dyja janë ekonomike, ashtu siç janë kostot dhe dobitë. Vlerësimet nuk bëhen mbi kosto të efektshme, por mbi dobi. Duhet të ekzistojë një konkurrencë e drejtpërdrejtë midis kostos së pranueshme dhe dobive që do të përfitohen. Të parat duhet të jenë më të vogla se të dytat. Një humbje nuk justifikohet nga niveli i dëmit që i shkaktohet konkurruesit.

Logjika e luftës ushtarake totale, që është një logjikë tendencialisht me shumë zero, duhet t’ia lëshojë vendin logjikës së luftës së kufizuar, shumë të ngjashme me atë të tipit ekonomik, që bazohet më shumë në transaksione (marrëveshje që çojnë në zgjidhjen e kontradiktave) sesa në konflikte vdekjeprurëse. Qëllimi themelor nuk është më ai i shkaktimit të dëmeve kundërshtarit, por i rritjes së vetë pasurisë. Kjo e fundit arrihet duke shkelur rregullat e konkurrencës së lirë dhe të tregut të lirë, përmes një forme të veçantë të neomerkantilizmit, të ndërmarrë nga shtete në një kontekst dhe me kushtëzime krejt të ndryshme nga ato të së kaluarës. Dështimi i kundërshtarit është një “byproduct”, domethënë një rrjedhojë, por nuk është një objektiv.

Në krahasim me të kaluarën, ekziston një ndryshim thelbësor. Shtetet, në thelb, kanë mbetur territoriale, ndërkohë që tregu dhe ndërmarrjet janë bërë ndërkombëtare, ose të paktën nuk janë të kufizuara nga kufijtë ndërshtetërorë. Ato nuk kanë strukturë hierarkike, por një organizim në rrjet. Shteti ka mundësi më të vogla kontrolli, jo vetëm mbi prodhimin dhe tregtinë, por edhe mbi vlerat monetare, financiare dhe fiskale, të cilat në të kaluarën përbënin instrumentet bazë të politikës së tij ekonomike.

Ndërsa lufta ekonomike e dy tipave të parë (për qëllime politike ose strategjike) nuk ndryshon shumë nga ajo e së kaluarës (me gjithë dematerializimin e pjesës më të madhe të pasurisë, që kërkon teknika dhe taktika të veçanta, p.sh., në sektorët e njohurive shkencore dhe teknologjike), lufta ekonomike për qëllime ekonomike, të cilën, ashtu siç e quan Lutvaku, mund ta quajmë “konflikt gjeoekonomik”, paraqet sot karakteristika të tjera, si përsa i përket objektivave të saj, ashtu edhe për strukturën e ndryshme të ekonomisë botërore dhe për logjikën e garës ekonomike normale, mbi të cilën vihet ajo e konfliktit gjeoekonomik.

Modeli gjeoekonomik mund të përdoret si mjet për të ribërë shtetin. Ky nuk është një opsion…, por një nevojë, sepse në karakteristikat e sotme të ekonomisë botërore nuk egziston më alternativa e ekspansionit dhe e uljes së përgjithëshme të veprimtarisë prodhuese.


Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *