
Nga Boris MISKA
Kushdo që e lexon këtë titull mendon se mos unë kam lajthitur! Jo të nderuar miq, nuk kam dalë mendsh, por e gjeta si skup për sa do shkruaj më poshtë:
Dje në fjalimin e përcjelljes së paraardhësit të vet Fatos Nano, Edi Rama shfrytëzoi sërish rastin të shfrynte mbi diktaturën, bile këtë radhë u shfaq më origjinal, përdori figura letrare, bëri krahasime, tregoi barcaleta e solli situata që të ngrinin qimet përpjetë. Nuk është hera e parë, ndoshta as rasti i fundit që kryeministri fuqiplotë i vendit tim vijon sërish t’i referohet të ‘kaluarës së errët’ me fraza të kërkuara për ta nxjerrë veten sa më origjinal e tërheqës para auditorit, publikut, përherë mes të huajve e pse jo edhe faqe vetes…
Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, është në të drejtën e vet të thotë çfarë do e kë urren. Bile, duhet theksuar se Ai e urren shumë diktaturën, më tepër se askush, shumë e shumë më fort se të gjithë të marrë së bashku. Kjo e errëson në logjikë, e çon larg, atje ku nuk ka shkuar askush para e anash tij. Dukshëm Ai urren çdo gjë të së kaluarës, dhe këtë nuk e shpreh vetëm me fjalë e ligjërime por e ka materializuar tashmë; në zhdukjen e çdo gjurme, histori, figura, kulturë, art, vepër, djersë, mendim, shkencë, objekte, institucione, akademi, muzeume, galeri arti, teatro, ngjyra, kinema, tokë, fushë, pemë, parqe. Nuk kursehet të urrejë edhe ata që ka pranë, të partisë së vet, ish-socialistë, të majtë…, vetëm e vetëm se kanë lindur para tij, janë ca më të vjetër, nuk mbathin atlete, se ndoshta dinë më shumë. Që një politikan i ri të urrejë diktaturën, duket krejt normale, biles do të konsiderohej e shëndetshme, por kur kjo nuk shoqërohet me dashuri në kahun tjetër, të bind se sjellja e tillë politike është vetëm koperturë, fasadë, hipokrizi, teatër, kallzus, model i nxirë për të fshehur diçka; mungesën e dashurisë për tjetrën; Demokracinë. Edi për fat të keq tonin, Rilindjes së tij, vendit e vetes së vet, nuk e dashuron demokracinë, nuk është i dashuri i saj, as shoku e miku i sistemit të drejtë. Kjo nuk do aq mund për ta parë e konstatuar. Shumë Sundimtarë për ta nxjerrë veten të butë, mendjehapur nxijnë diktatorët e tjerë, dmth të kaluarën, e shohin atë si bekim, ‘tabelë’ pa të cilën nuk mund të vazhdojnë mbijetesën e mbrapshtë politike. Kam bindjen se; sikur të tjerë para tij, qoftë dhe ai i ndjeri që ia përmendi ‘frymën demokratike’ të kishin bërë diçka ndryshe, atë që u predikua, sot diktatura do qe harruar, do ishte një kujtim i keq, i largët, e mundur, një histori e dhimshme… Por nuk ndodhi, bile edhe aq sa…, u pretendua në fillesë… Edi i fjalimeve mbresëlënëse e bëri pluhur e hi, kuptohet së bashku me bashkëtranzitorët e tjerë. Sepse demokracia nuk është vetëm frymë, fjalë boshe, ide. Ndryshe do mbetej aspiratë e ëndërr e pa arritëshme. Shteti i së drejtës, shoqëria demokratike janë: institucion, ligj, drejtësi, pushtet i ndarë, pavarësi, konkurrencë, meritokraci, mandat i kufizuar, rrotacion, dorëheqje, zgjedhje e lirë, votë, prekje, barazi ligjore, shtyp i pavarur, shërbim, pronë, besim, siguri… Por, për fat të keq, këto nuk janë, ndaj i bien të njëjtit avaz dhe fërkojnë barkun përnatë e thonë: Shyqyr diktatura!