
Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali sjell në zemër të Romës ekspozitën fotografike “Bellezze del Kosovo – Bukuritë e Kosovës”, një udhëtim vizual që promovon natyrën, trashëgiminë dhe kulturën e vendit.
Në një nga sheshet më të njohura të kryeqytetit italian, Piazza San Silvestro, është hapur ekspozita fotografike “Bellezze del Kosovo – Bukuritë e Kosovës”, e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali. Ngjarja zhvillohet gjatë datave 1 dhe 2 nëntor 2025, nga ora 10:00 deri në 17:00, dhe synon të prezantojë imazhet më të bukura të Kosovës për publikun italian dhe ndërkombëtar.
Ekspozita paraqet një udhëtim artistik përmes peizazheve natyrore, monumenteve historike dhe jetës kulturore të Kosovës, duke e sjellë vendin përpara syve të vizitorëve si një destinacion i pasur me diversitet, traditë dhe frymë moderne.
Në hapje morën pjesë ambasadorja e Kosovës në Itali, znj. Nita Shala, stafi diplomatik i ambasadës si dhe përfaqësues të rrjetit “Illyrian Brains”, një komunitet profesionistësh shqiptarë në Itali që kontribuojnë në promovimin e imazhit pozitiv të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ekspozita u prit me interes të madh nga qytetarët e Romës dhe turistët që vizitojnë zonën qendrore, duke ofruar një dritare të re mbi artin dhe natyrën e Kosovës, në një prej hapësirave publike më të njohura të Italisë.
Kjo iniciativë vjen si pjesë e përpjekjeve të Ambasadës së Kosovës për të forcuar diplomacinë kulturore dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi përmes artit dhe kulturës.